LAJMI I FUNDIT:

Të flasim e të shkruajmë shqip

Për shumë vjet, në të kaluarën, gjuha shqipe ka qenë e ndikuar nga gjuhët tjera, duke bërë kështu që në fjalorin e përditshëm, si gjatë të folurit e po ashtu edhe të shkruarit, të jenë përdorë fjalë nga gjuhë të ndryshme. Përderisa për një kohë të gjatë fjalorit të gjuhës shqipe i ishin “ngjitur” fjalë të ndryshme turke, më pas ishin fjalët serbe apo edhe fjalë të tjera nga gjuhët e fqinjëve, ato që përdoreshin në të folmen shqipe.

Duket se edhe sot, ndikimi i gjuhëve të huaja në gjuhën shqipe po e “kryen” detyrën e tij. Thuaja se nuk ka ditë apo edhe ndoshta fjalim i ndonjë politikani, drejtuesi të ndonjë emisioni, por dhe nga qytetarët e thjeshtë, që në fjalorin e tyre të mos ketë fjalë të huaja. Pas luftës në Kosovë më shumë janë fjalët angleze që kanë hyrë në fjalorin tonë.


S’ka se si të mos përmendet gjatë të folurit apo edhe të shkruarit fjala angleze “OK”, e cila tashmë ka “ngulur” thellë rrënjët e saja në fjalorin e gjuhës shqipe. Sikur kjo fjalë të përdorej vetëm në të folurit e përditshëm dhe nga njerëzit e zakonshëm nuk do të ishte ndonjë “hata” e madhe, por kur kjo fjalë zë vend në fjalorin e kryeministrit, ministrave dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës, doktorëve të shkencave, etj., atëherë s’ka pse të mos alarmohemi.

Nuk di pse të lartpërmendurit nuk i përdorin fjalët shqipe “ani”, “mirë”…, për të zëvendësuar “OK”-in. Ma thotë mendja se të tillët, por jo vetëm politikanët, por thuaja se çdonjëri nga ne, po të përdorim sa më shumë fjalë të huaja, mendojmë se fjalori i ynë është më i pasur. Jo. Të përdorurit e sa më shumë fjalëve të gjuhës sonë në ligjërimet e përditshme i shton vlerat e ligjëruesit dhe të gjuhës së tij.

Është për të ardhur keq që në televizionet tona ka shumë emisione që janë të emërtuara me emra që rrjedhin nga gjuhë të huaja. Në këtë drejtim “prin” gjuha angleze, nga e cila e kanë marrë emërtimin disa prej emisioneve të 4 televizioneve tona (RTK, RTV21, KTV dhe Klan Kosova).

Po i lexuam emrat e emisioneve si “Target”, “As”, “Oxygen”, “Multimedia”, “Odeon”, “Pro et contra” (RTK), “Rendez vouz”, “Flash”, “Relax”, “Zoom”, “Kabare variete” (RTV21), “Cosmo”, “Matinee”, Anima”, “, Asist”, “Interaktiv”, “Prokid games”, “Express day”, “Automan” (KTV), “Prive”, “Exlusive” (Klan Kosova), do të thoshim se nuk kemi të bëjmë me emisione të gjuhës shqipe, por të ndonjë gjuhe tjetër.

Nuk di nëse drejtuesit e këtyre televizioneve të kenë menduar ndonjëherë që ka shumë njerëz në Kosovë që nuk e dinë gjuhën angleze, apo edhe ndonjë gjuhë tjetër, prej nga vjen emërtimi i ndonjërit prej emisioneve të përmendura, apo edhe të kenë menduar ata që të bëhet një rishikim i emërtimit të atyre emisioneve dhe të emërtoheshin në shqip.

E nëse drejtuesit e këtyre televizioneve mendojnë se emërtimi i këtyre emisioneve në gjuhët e përmendura është në “modë”, atëherë pse këtë “modë” nuk e praktikojnë shtetet e përmendura më parë. Si do që të jetë, është detyrë e drejtuesve të këtyre mediave që të vendosin për emërtimet e emisioneve të tyre. Mendoj se nuk ka asgjë të keqe nëse këto emisione të kishin emrat shqip.

Ne që jetojmë në këtë kohë jemi me shumë fat, pasi nuk jetojnë në epokën e të madhit Gjergj Fishta, i cili po të ishte gjallë, do të përballej me “kumbarët” e emërtimit të këtyre emisioneve. Nga ana tjetër, ne, pasardhësit e Fishtës, nuk jemi duke e çuar amanetin e tij në vend, pasi gjuhës sonë të ëmbël shqipe ia kemi “veshur” edhe shumë fjalë të huaja.

Megjithatë, në televizionet tona ka edhe emisione të emërtuara shqip, siç janë: “Gjurmët tona”, “1 2 3 Fillo”, “Mirëmëngjesi Kosovë”, “Bujku”, “Libri i hapur”, “Zëri ynë” (RTK), “Edhe unë jam Kosovë”, “Për ditë të mbarë”, “2 me 1” (RTV21), “Flladi veror”, “Një moto për foto” (KTV), “Ora 7”, “Minuta e fundit” (Klan Kosova)…

Të flasim sa më shumë shqip, apo jo!?

(Autori është gazetar dhe profesor nga Prishtina)