LAJMI I FUNDIT:

Synimi i dezinformatave të Kremlinit për të tërhequr paralele mes Ukrainës dhe Kosovës

Synimi i dezinformatave të Kremlinit për të tërhequr paralele mes Ukrainës dhe Kosovës

Rusia vazhdon të tentojë të tëreheq paralele në mes të Kosovës dhe Ukrainës përmes dezinformatave. Këto dezinformata fillimisht publikohen në mediat e kontrolluara nga Kremlini e më pas ripublikohen nga mediat lokale në vende të ndryshme.

KALLXO pas një hulumtimi disamujor ka gjetur se dezinformatat e prodhuara nga Kremlini vazhdojnë të publikohen edhe në gjuhën shqipe.

Synimet e dezinformatave nga Rusia janë që të paraqesin Kosovën si rast i njëjtë me Ukrainën, pra vende që nuk kanë sovranitet dhe pavarësi. Përveç kësaj, narrativat dominuese të sponsorizuara nga Rusia tentojnë të paraqesin NATO-n si agresore dhe rrezikun që i kanoset rajonit nga një luftë e nxitur nga NATO-ja.
Platforma EUvsDisinfo në të cilën publikohen analiza e task-forcës së BE-së kundër dezinformatave ka identifikuar disa narrativa ruse të cilat lidhin Kosovën dhe Ukrainën në aspektin e pavarësisë së tyre si shtet, po ashtu edhe  ndërlidhjen e luftës në këto shtete me trafikim të organeve.


Një nga narrativat dezinformuese të Kremlinit është tendenca për të nxitur konflikte ndëretnike në Kosovë dhe tendeca për të paraqitur NATO-n si agresore dhe përkrahese të shqiptarëve në

lunftën kundër serbëve. Kremlini gjithashtu pretendon se Qeveria e Kosovës planifikon një operacion për t’i larguar serbët nga Kosova (shih këtu, këtu dhe këtu).

Këto narrativa janë identifikuar nga Task-Forca e BE-së kundër dezinformatave (StratCom) dhe në raportin e BIRN-it, Vorbulla e Rrenave. Të njëjtat dezinformata kanë vazhduar të publikohen edhe gjatë vitit 2024.

Të njëjtat narrativa janë publikuar nëpër postime të ndryshme në rrjetet sociale. Gjatë vitit 2024 kanë dominuar lajmet e rreme për gjoja armatosjen e Kosovës, për të forcuar atë në luftën kundër Serbisë (shih këtu, këtu dhe këtu). Mirëpo, ka pasur disa raportime të rreme se gjoja Kurti është duke i kërcënuar ndërkombëtarët dhe është i vendosur në synimin e tij për të përndjekur serbët nga Kosova (shih këtu, këtu dhe këtu).

Një artikull për pushtimin e Kosovës nga Serbia u shpërnda në fillim të vitit 2024, madje duke bashkangjitur edhe video për të ilustruar ‘pushtimin’. Në përmbajtje të videos nuk flitet për “pushtim të Kosovës” siç thuhet në titull, por aty flitet për disa takime që zyrtarët e NATO-s kishin me krerët e institucioneve të Kosovës.

Trafikimi i Organeve

Një prej dezinformatave të Kremlinit ndaj Kosovës ka qenë se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte tregtuar organe të njerëzve. Kjo dezinformatë ishte shpërndarë që nga përfundimi i luftës duke kulmuar me raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Më 21.09.2024 faqja e internetit ‘Serbian Times’ ka publikuar një artikull në gjuhën serbe me titull: “KRVAVI BIZNIS NA VRHUNCU: Trgovina organima u Africi dostila epidemijske razmere a svi ćute o tome kao nekad o Žutoj kući!” (në shqip: BIZNESI I PËRGJAKUR DERI NË KULM: Tregtia e organeve në Afrikë ka marrë përmasa epidemike dhe të gjithë heshtin për të si dikur për Shtëpinë e Verdhë!”.

Artikulli flet se si trafikimi i paligjshëm i organeve po rritet në të gjithë Afrikën, mirëpo askund nuk përmendet Kosova apo “Shtëpia e Verdhë”, megjithatë UÇK dhe Kosova ishin në titullin e këtij artikulli.

E njëjta dezinformatë ishte publikuar disa herë të tjera në Facebook. Një profil me emrin Vajzat e Kosovës ka publikuar një deklaratë të zëdhënes së Kremlinit, e cila e kishte përsëritur dezinformatën se në Kosovë kishte trafikim të organeve nga UÇK. I njëjti profil kishte publikuar edhe një postim tjetër duke e akuzuar Kushnerin për mbulim të rasteve të trafikimit të organeve nga ana e UÇK-së, si dhe e kishte bashkangjitur edhe një intervistë që bënte krahasimin e Ukrainës dhe Kosovës për trafikim të organeve të njerëzve.

Këto narrativa nuk janë të reja, pasi të njëjtat janë identifikuar në vazhdimësi nga EuVsDisinfo. Në vitin 2019, Sputnik kishte raportuar se si ndërkombëtarët i kanë ndihmuar shqiptarëve në trafikim të organeve, raportim që ishte cilësuar si dezinformatë nga EuVSDisinfo.

Në një raportim tjetër të Sputnikut është thënë se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përfshirë në trafik ilegal të organeve njerëzore në Ukrainë. Edhe ky raportim ishte cilësuar si dezinformatë nga EuVsDisinfo.

Postime në frymën e njëjtë të dezinformatave janë publikuar edhe në disa faqe në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu dhe këtu).

Por, prej nga rrjedhë kjo dezinformatë për trafikim të organeve?

Këto pretendime u shfaqën për herë të parë në librin “Zonja Prokurore”, nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurore për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Në librin e Del Pontes pretendohej se UÇK-ja MUND të ketë rrëmbyer disa qindra civilë në Kosovë në vitin 1999 dhe t’i ketë çuar në veri të Shqipërisë, disa prej të cilëve janë dërguar në Burrel dhe u janë marrë organet.

Akuzat se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte e përfshirë në trafikimin e organeve nga e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri NUK mbështeten me prova, kishte thënë në vitin 2010 Matti Raatikainen, shef i hetimeve për krimet e luftës në EULEX.

Në vitin 2010, senatori zviceran, Dick Marty, hartoi një raport me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”- i cili pastaj u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Raporti pretendoi se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Këto pretendime, kanë çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në vitin 2015, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politik, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Thaçi e Veseli, bashkë me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, janë të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza dhe asnjëra prej tyre nuk përfshinë trafikimin e organeve.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023. Më 10.05.2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 04 dhe 05.04.2023. Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Dezinformatat që synojnë rritjen e tensioneve ndëretnike

Njohësit e fushës thonë se një nga qëllimet e deziformatave ruse është edhe krijimi i ndasive në mes komuniteteve në Kosovë.

Më 19.05.2024, faqja në rrjetin social Threads “srbininfo” ka publikuar një postim nga një konferencë për media që ishte mbajtur më 16.05.2024 në qendrën e shtypit në Beograd. Mbishkrimi i këtij postimi është se “Dr. Jakshiq tregoi konkretisht: Përmes patent shoferit, Vuçiq në Kosovë po i kthen serbët në shqiptarë!”.

Udhëheqësi i Divizionit për patentë shoferë në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Rifat Limani tregoi se një pretendim i tillë nuk qëndron, pasi personat që pajisjen me patentë shoferë të Kosovës nuk u kërkohet që të ndërrojnë nacionalitetin.

Më 18.03.2024 faqja “RKS NEWS” në rrjetin social “X” (ish Twitter), ka publikuar një video me mbishkrimin “Krejt e papranueshme! #UNMIKKosova u pa duke valëvitur një flamur serb, një shpërfillje flagrante për neutralitetin dhe dinamikën e ndjeshme në Kosovë”. Në këtë video shihet një veturë me mbishkrimin “UN” ndërsa në të njëjten shihen disa persona duke valëvitur flamurin e Serbisë dhe një flamur me logo të Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas UNMIK, videoklipi i shpërndarë synon dezinformimin e publikut. “Videoklipi i shpërndarë është lajm i rremë që synon dezinformimin e publikut. Trupat e shfaqura në video janë njësia e Forcave të Armatosura Serbe të dislokuara me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”- thuhet në përgjigjen e UNMIK.

Ekspertët thonë se përmes narrativës ruse synohet krijimi i një mendimi negativ kundrejt NATO-s, BE-së dhe OKB-së në Kosovë, e po ashtu ndarjen dhe mungesën e besimit në mes komuniteteve në vend.

Konflikti në mes Rusisë dhe Ukrainës ka arritur të prodhoj lajme për një konflikt të mundshëm edhe në Kosovë apo dhe Ballkan, kështu duke ngjallur frikën tek qytetarët.

Venera Gashi nga Demokracia në Zhvillim (D4D) tregon se si në kohën e nisjes së konfliktit  në Ukrainë lajmet që lexonte jashtë Kosovës ishin shumë të ndryshme nga ato që u servoheshin lexuesëve kosovarë.

“Kemi pasur shembull luftën në Ukrainë, ku qarkullonin narrativa se një konflikt mund të filloj edhe në Ballkan. Madje unë kam qenë jashtë Kosovës dhe lajmet për Ukrainë ishin komplet ndryshe nga lajmet që kishin lexuar familjaret e mi. Edhe gjatë bisedave më tregonin se shansat për të nisur një konflikt në Ballkan janë të mëdha, ndërsa unë isha shumë konfuze sepse asnjëherë nuk kisha hasur në ndonjë shkrim të vetëm që fliste për një supozim të tillë. Kjo tregon se si targetohet një shtet apo një popull dhe vendoset se çfarë kampanje dezinformuese  duhet krijuar”- thotë ajo.

Ramadan Ilazi nga Qendra për Studime të Sigurisë thekson se dezinformimi thellon ndarjet dhe mungesën e besimit midis komuniteteve shqiptare dhe serbe në Kosovë.

“Dezinformimi shfrytëzon narrativat kulturore dhe historike për të krijuar tensione, duke portretizuar grupet kundërshtare si kërcënime apo agresorë. Për shembull, mediat serbe shpesh paraqesin shqiptarët e Kosovës si kërcënues ndaj kulturës serbe, ndërsa mediat shqiptare shpesh përqendrohen në stabilitetin e kërcënuar nga komuniteti serb”- thotë ai.

Ilazi shprehet se dezinformim minon besimin në institucione dhe proceset e pajtimit ndërsa e sheh si jashtëzakonisht të rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Kosovë.

“Ajo që vërtet ndihmon dezinformimin të lulëzojë në Kosovë është mungesa e progresit në dialogun për normalizim. Rusia dhe aktorë të tjerë investojnë aktivisht për të penguar normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, ajo që fuqizon fushatat e dezinformimit që synojnë Kosovën janë veprimet që krijojnë perceptimin e frikësimit ndaj një komuniteti të caktuar”- thekson Ilazi.

Për Venera Gashin nga D4D lajmet propaganduese ruse kanë për qëllim krijimin e pasigurisë dhe frikës tek lexuesit.

Ajo vë theksin tek narrativat në të cilat investohet për të ftohur entuziasmin e qytetarëve për integrim në Bashkimin Europian.

“Narrativat me te shpeshta jane ato qe perçojnë një mesazh negativ kundrejt BE-së dhe NATO-s. Këto informata kanë për qëllim minimin e besimit të qytetarëve në vendet perëndimore. Këto narrativa mund të ndikojnë në ftohjen e entuziazmit të qytetarëve për të qenë pjesë e vendeve perëndimore, për t`u integruar në BE ose edhe në organizata të tjera ndërkombetare”- thotë ajo.

Raporti ‘Vorbulla e rrenave’ i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese kishte gjetur se mediat në Kosovë ripublikuan propagandën ruse pa i vendosur ndonjë kontekst, redaktim ose ndonjë pikëpamje balancuese. Hulumtimi i BIRN gjeti artikuj në gjuhën shqipe që ishin riprodhime të dezinformatave me origjinë nga mediat ruse ose që platformat e BE-së i kanë identifikuar si narrativa të dezinformimit rus.

Në trend Lajme

Më shumë
Morën pjesë në tubime zgjedhore - suspendohet koloneli, majori dhe një rreshter policor

Morën pjesë në tubime zgjedhore - suspendohet koloneli, majori dhe një rreshter policor

Lajme
BQK konfirmon mbylljen e kompanisë së sigurimeve

BQK konfirmon mbylljen e kompanisë së sigurimeve "Dunav Osiguranje" në veri, thotë se operonte pa licencë në Kosovë

Lajme
Kush është Dritan Rexhepi, shqiptari më i kërkuar në botë: Mjeshtër i arratisjeve nga burgu, ‘truri’ i trafikut të kokainës

Kush është Dritan Rexhepi, shqiptari më i kërkuar në botë: Mjeshtër i arratisjeve nga burgu, ‘truri’ i trafikut të kokainës

Lajme
Shpërthimi i virusit HMPV në Kinë, infektologu Ramadani tregon katër grupmoshat që janë më të rrezikuara

Shpërthimi i virusit HMPV në Kinë, infektologu Ramadani tregon katër grupmoshat që janë më të rrezikuara

Lajme
KQZ miraton fletëvotimin për zgjedhjet e 9 shkurtit

KQZ miraton fletëvotimin për zgjedhjet e 9 shkurtit

Lajme
Pandeli Majko letër SHISH: Më ktheni përgjigje nëse jam përgjuar

Pandeli Majko letër SHISH: Më ktheni përgjigje nëse jam përgjuar

Lajme
Kalo në kategori