LAJMI I FUNDIT:

S’jemi kërkah, ama hiç kërkah!

Dihet mirëfilli se për të pasur bereqet të mirë, bujkut i nevojitet toka e mirë, dielli dhe lagështia. Nëse njëra nga këto mungon, bujku rendimentin do ta ketë të ulët. Ngjashëm është edhe me ekonominë. Për të pasur zhvillim ekonomik nevojiten lidershipi, politikat makroekonomike dhe funksionim ligjor. Nëse njëra nga këto mungon, ato të tjerat nuk e japin efektin. Bie fjala, ta marrim si shembull funksionimin ligjor. Është e kotë sa ligje i miraton Kuvendi kur ato nuk implementohen në praktikë.

Për më tepër, kur kihet parasysh fakti se tashti formulimi i ligjeve është procedurë e thjeshtë, sepse të gjitha mund të merren nga interneti dhe të përkthehen. Prandaj, nuk duhet të zgjedhim në mes të asaj se a duhet të koncentrohemi në sistemin e drejtësisë (transparencës), siç po avokojnë disa, nga fakti se aty çalojmë shumë, apo te koncentrimi në krijimin e politikave makroekonomike apo në lidership, sepse këto veç së bashku ja japin kuptimin zhvillimit dhe njëra pa tjetrën nuk bën.


Por, çfarë të bëjmë kur asnjërin prej këtyre faktorëve nuk e kemi!? Siç jemi tashti! Pra kur mungon lidershipi, punohet pa program dhe ligji nuk funksionon. Fare nuk ka transparencë kur merren vendime të rëndësishme për ekonominë, siç është bie fjala kur vendoset që gjithë paratë që i kemi (edhe ato që si kemi) t’i investojmë në autoudhë të cilën na e ndërtojnë kompanitë e huaja (të cilët bile edhe zallin na shesin tri herë më shtrenjtë).

Qeveria për t’i bindë qytetarët se sa mirë është duke punuar kohë pas kohe na bën gjymysh duke i ftuar disa njerëz të njohur dhe TV stacionet shtetërore. Edhe atë disa herë, njëherë kur t’ia fillojnë punët, pastaj edhe njëherë kur kryhet një e treta e punëve, dhe deri sa të përfundojë e tëra kush e di ndoshta edhe dy-tre spektakle, varësisht nga rrethanat politike. Kjo i bie sikurse njëherë të martohesh (ta marrësh një nuse) a tri-katër herë të bësh dasmë!

Na shpjeguan edhe autostradën se sa e mirë do të jetë. Na thanë “do të jetë e sistemit të mbyllur ku hyrje dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës, me qëllim që atyre që veç janë në autostradë të mos ju pengohet në vozitje, të mos detyrohen ata ta ulin shpejtësinë”. Kurse sa i përket shpejtësisë në autoudhë thanë se “mund të zhvillohet shpejtësia deri 120 km në orë, ndërsa në aty ku karakteristikat e leje mjedisore lejojnë është gjithashtu e mundshme të zhvillohet shpejtësi edhe 140 km në orë”.

Që nëse e përkthejmë këtë në gjuhën e vozitësve kosovarë i bie që për ata me vetura të mira mund t’i ngasin prej 140 km/h deri 160 km/h, e bile për ata me vetura superluksoze edhe më shumë. Zaten, edhe funksioni kryesor (për shumë kohë) i kësaj autoudhe do të jetë për disa të vetëquajtur komandantë edhe të tjerë që kanë “bërë para pas luftës” t’i vozitin kerret e tyre luksoze me shpejtësi të madhe si “nëpër filma”.

Po të funksiononin faktorët e zhvillimit ekonomik ashtu siç duhet, pra të tregohej lidership në këtë projekt, duke e hapur debatin gjithëqytetar gjerë e gjatë, pastaj të bëhej një plan i mirëfilltë dhe po të funksiononte ligji (transparenca) me siguri se Qeveria nuk do ta kishte kontrabanduar këtë projekt në këtë mënyrë.

Ta shpenzosh gjithë buxhetin në një projekt që e kryen një kompani e huaja, në kohën kur vdesin pacientët për barnat më elementare, në kohën kur gjysma e popullatës jeton në varfëri dhe kur i kemi një mijë probleme të tjera, kësaj nuk mund t’i thuhet lidership, sepse lideri ato mjete do t’i shfrytëzonte më racionalisht.

T’i shpenzosh 331 milionë euro për 38 km, që d.m.th., për 102.8 km sa do të zgjasë autoudha do të kushtojë rreth 900 milionë euro duke supozuar se inflacioni nuk do të rritet (sepse në bazë të kontratës Qeveria do ta paguajë zhvlerësimin e parasë), dhe kërkesat tjera nuk do të ndryshojnë, kjo i bie sikurse një familje me fëmijë në shkollë, pa shtëpi, pa punë të rregullt, pa sigurime sociale dhe shëndetësore, e me shumë obligime tjera të mbijetesës, e cila i posedon të themi 50 mijë euro. Dhe, përkundër gjitha atyre obligimeve, i zoti i shtëpisë vendos me ato para të blejë një BMW. Sigurisht se atij njeriu gjithçka mund t’i thuhet, por jo edhe shpianik (nikoqir) i mirë.

Bile, ishte qesharak njëri nga këta çunat që UNMIK-u i dërgoi jashtë diku të studiojnë (për nja gjashtë muaj), e na u kthyen si “ekspertë” të Perëndimit tashti, tha me krenari se “kryeministri i Kosovës, duke marrë mësim nga eksperienca e presidentit Roosevelt me planin ‘New Deal’, në strategjinë e tij zhvillimore, prioritet i ka dhënë ndërtimit të autostradës’”.

Që do të ishte ndoshta në rregull sikurse Kryeministri i Kosovës të kishte marrë me të vërtet mësim nga plani “New Deal”. Sepse, atëherë punët kryesore do t’ia jepte kompanive kosovare ashtu sikurse bëri presidenti Roosevelt, i cili projekte u jepte vetëm kompanive amerikane.

Duke bërë që në të njëjtën kohë edhe t’u mundësonte kompanive amerikane të zhvilloheshin më shumë (logjikisht edhe duke punësuar më shumë punëtorë) por edhe paraja e taksapaguesve amerikanë të mos dilte jashtë sistemit ekonomik amerikan.
Kështu bëjnë liderët dhe futen në histori, kurse kur punët fillojnë me hile që nga fillimi, si në rastin e autoudhës sonë, sigurisht se ato edhe do të përfundojnë me hile. Prandaj edhe duhet të bëhen show të shumta për t’u hedhur hi syve qytetarëve.