LAJMI I FUNDIT:

Si po hyjmë në këtë 28 Nëntor?

S’ka dyshim se ka ndryshuar shumëçka që një shekull sa i përket pozitës së shqiptarëve në Ballkan. Ndryshimet nuk janë në masën e njëjtë tek të gjitha vendet ku flitet shqip, por ka kapërcime pozitive si rezultat i rritjes së përmasës së lirisë.

Megjithatë, vet ambienti ku jetojnë ballkanasit nën presionin e madh të parimeve të shtresuara në ndërdije të kodit moral dhe premtimeve, besëdhënies dhe ndonjë cope letre të firmosur, e cila ka përmbajtur ndonjë zgjidhje, zor të harrohet zanati i vjetër që në momente delikate dhe të liga t’i futet thika pas shpine njëri-tjetrit.


Në një situatë të tillë për një kohë mbeten shqiptarët që janë të goditur befasisht në të gjitha planet e jetës nga disa fqinjë. Por, nuk do të kishte arsye që goditjet të vijnë më nga brenda, sepse mund të jenë vdekjeprurëse dhe nuk do të kishte më kuptim të jetohet me pasiguritë që mund t’ia krijonim vetës në këtë milenium të ri.

Ekziston nevoja që të hyhet në stadin e veprimeve politike të përgjegjshme, ku përfundimisht ndryshon filozofia e të menduarit se nuk ka kthim në kornizat konceptuale ku dyshimi fuqizohet më shumë se fakti; të ndërtohet klima e brendshme e bashkëpunimit, e cila e ndërton tolerancën dhe nuk fletë më rreth saj, ku çlirohen energjitë kolektive nga të qenurit peng të koncepteve sterile dhe hyhet në realizimin e projekteve me interesa vitale dhe nacionale.

Se ekzistojnë dy shtete shqiptare mund të thuhet se është një sukses i madh; se si funksionojnë këto dy shtete mbetet për të dëshiruar, sepse funksionalizimi i tyre brenda kornizës ligjore është përkushtimi i të sotmes dhe të ardhmes së tyre, me qëllim që çdo pjesë “anatomike” e skeletit shtetëror të shndërrohet në gjymtyrë aktive.

Se kemi pasur mospajtime edhe në gjërat që është kërkuar më shumë kompromise është e njohur; se kemi qenë të ndërmjetësuar nga jashtë për problemet e brendshme ka mjaftë fakte; se nuk i rritëm kapacitetet e bashkëpunimit për interesa madhore mbetet çështje dëshpëruese me mundësi të përmirësimit në të ardhmen; se trashëguam probleme nga e kaluara dhe nuk u kemi dhënë zgjidhje të merituar, ndoshta as të duhurën, as këtu nuk ka gjë të panjohur.

E panjohur për shqiptarët mbeten një varg veprimesh politike të sotme e që nuk u dihen pasojat për të ardhmen, të cilat janë të shumta dhe të ndryshme. Se ka hiperkritikë politike opozitare në shpërpjesëtim të zhdrejtë me alternativat që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të besueshme, edhe këtë gjë e ka kuptuar më në fund shqiptari i shekullit XXI.

Ky njëqindvjeçar i pavarësisë së Shqipërisë, përveç karakterit festiv do të duhej të ndikonte në ndryshimin e qasjeve të brendshme për hir të realizimit të objektiva madhore të ndërlidhura me raportet e jashtme, me qëllim që të ecet më shpejt nga integrimet nacionale në ato evropiane.

Hapësirat shqiptare kanë ndërtuar individë dhe personalitete të dijeve më të avancuara, që nuk janë përfshirë ose kanë mbetur të margjinalizuar skajshmërisht, të cilët duhet t’u hapet dera për angazhim në zbërthimin e një varg çështjeve brenda proceseve mjaftë të ndërlikuara, me qëllim që të eliminohen ngecjet dhe të kapen trendët e zhvillimit me kohë.

Në të gjitha vendet ku flitet shqip ende nuk po arrihet të tejkalohet fenomeni i shoqërisë fragjilitare, duke u keqshërbyer me moton e demokracisë dhe diversiteteve të panevojshme. Ka nevojë që të unifikohen qëndrimet e kundërta dhe të plotësohet e pasurohet me ide të reja dhe kreative diskursi aktual politik dhe kjo sa më parë edhe institucionalisht.

Formacionet politike që udhëheqin shtetin nuk e ka të drejtën as ligjore dhe morale ta “pronësojnë” atë. Shteti duhet të kuptohet si kategori supreme që i shërben qytetarit. Ka nevojë të ndërtohet një kulturë politike, e cila nuk i bartë përçarjet partiake në institucionet shtetërore, dobësi kjo që ende po jeton e zhvillohet ndër ne.