LAJMI I FUNDIT:

Si do të dukemi në kalendar?!

Nëse viti ka 12 muaj në kalendar, sa muaj ka një vit, kur përkthehet në sukseset- dështimet në jetën e njeriut, familjes dhe shtetit. Po të fiksoheshin në kalendarin e punës sonë, sikur se ditët e festave, shembull sukseset me ngjyra të bardha, ndërsa dështimet me ngjyrë të kuqe, a do të mundej kush ta përfytyronte se çfarë pamje do të kishim para vetes, dhe a do të na lejonte ndërgjegjja jonë ta varim fatin tonë njëvjeçar në ndonjë tabelë muri, që me peizazhin e vjetër të shërbehemi duke i numëruar datat dhe muajt. Po të mateshin sukseset ashtu siç e kanë zakon ta bëjnë këtë shtetet, që muajt i barazojnë me vitin dhe jo vitin me muaj, të imponohet që edhe ato pak thërrmija të shpërndara të sukseseve t’i mbledhësh dhe në fund ta bëjmë njëfarë kapitulli që mund të konsiderohet i ndritshëm për njeriun, shoqërinë dhe shtetin.

Njeriu në kalendarin e tij


Memoria e njeriut do t’i lejojë më në fund vetes, sikur alpinisti i shkërmoqur nga ngjitja në terrene të rrëpirëta shkëmbore, të ndalet në majën ku sosen lartësitë, ta hedhë shikimin prapa, pastaj duke marrë pak frymë se ka arritur t’i sfidoj të gjitha pengesat natyrore, edhe pse kostoja e kësaj marshute mund të ishte me lëndime të lehta trupore, gërvishtje të shumta e shoqëruar me momente paniku, e cila ia ka çuar mendjen në zgrips të humbjes së besimit se po i afrohet vdekjes së sigurt.

Megjithatë, nuk bëhet fjalë për koston, shpëtuam, por a ia ka vlejtur, ndoshta jo, sepse mund të përballeshim në një ngjitje tjetër, e cila bartë më pak rreziqe, ku përmasa e rrezikut do të ishte ma lehtë e kalkulueshme.

Sidoqoftë, njeriu si në mes të një trekëndëshi të Bermudeve, sa individulal aq shoqëror, ka para vetes tre faktorë, me të cilët matet suksesi në kalendarin e tij: Veten sa ka arritur të ketë kondicion për garën, shoqërinë e cila ia përcakton statusin, shtetin që ndihmohet reciprocikisht ta ketë më të realizueshëm objektivin që e ka para vetes.

Shoqëria në një kalendar

A është institucioni matësi i suksesit dhe i dështimeve brenda një periudhe njëvjeçare të shoqërisë? A e rrëfen të vërtetën, e cila mund të pasqyrohet në kalendar, apo shoqëria nuk do t’i zë besë se ato janë imazhet e vërteta të saj, do të mund të pajtohet se hija e suksesit po e ndjek pas, ndërsa dështimet janë thërrmija që nuk ia vlen as t’ua kalkulosh koston e jo t’i mbledhësh si një mostër për t’i identifikuar shkarjet më të theksuara brenda një viti.

Mbi të gjitha institucioni e ka obligim ta thotë të vërtetën, sepse sukseset dhe dështimet janë të dallueshme si fenomeni i ditës me natën. Veç kësaj, kërkohet të dihet se sa merr pjesë në hisen e saj njëra anë e medaljes dhe sa tjetra, tek e fundit ne jemi pasqyra qoftë ajo si e rrejshme. Kur pasqyra del e rrejshme, atëherë shoqërisë i hapet goja për t’u zënë me vetveten se u tha apo nuk u tha e vërteta, apo ajo struket brenda nesh për të mos u parë, sepse mund të jetë e shëmtuar sa nuk lejohet të shihet përmasa e bukurisë.

…Më në fund shteti ynë

Në mes njeriut, shoqërisë dhe institucionit, nëpërmes nesh identifikohet shteti si tërësi e krejt këtyre komponentëve. Çfarë e kishim nivelin e njeriut-qytetar më 2011, a ishte ai mbi faktorët e tjerë që ia përcaktojnë statusin material, kulturor, kodin e mirësjelljes apo institucioni dhe shteti do të mund të thoshin se ne jemi masa e njeriut dhe rritja jonë varet prej rritës së tij, jemi të lidhur ngushtë, pra si mishi me thoin. Ndoshta me një gotë vër nuk do të mund ta përmbysim një vit që i ka 12 muaj duke shprehur ndjenja gëzimi, këtu ka një përzierje emocionesh dhe çekuilibrim të peshës së mendimit, se a do të festojmë për hir të festës apo për të mirat dhe të këqijat e vitit që po lemë pas, sidoqoftë na mbetet të thuhet gëzuar!