LAJMI I FUNDIT:

Më shumë se gjashtë muaj nga fillimi i agresionit rus – kah po shkon lufta në Ukrainë?

Më shumë se gjashtë muaj nga fillimi i agresionit rus – kah po shkon lufta në Ukrainë?

Forcat ukrainase kanë bërë avancime të shpejta ditëve të fundit, duke çliruar zona të mëdha nga Rusia, raporton BBC, transmeton Telegrafi.

Rusia thotë se po rigrupohet – dhe forcat e saj ende mbajnë rreth një të pestën e vendit.

Si ka ndryshuar konflikti?


Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, duke rrethuar kryeqytetin ukrainas Kiev. Vendi gjithashtu nisi sulme në jug, lindje dhe veri të vendit.

Tashmë janë bërë më shumë se gjashtë muaj që kur nisi konflikti në Ukrainë.

Në fillim të prillit, forcat ukrainase rimorën zona të mëdha rreth Kievit, pasi Rusia braktisi shtytjen e saj drejt kryeqytetit.

Rusia që atëherë ka përqendruar operacionet e saj ushtarake në jug, lindje dhe veri-lindje të Ukrainës, duke pushtuar zona të mëdha.

Megjithatë, gjërat ndryshuan në mënyrë dramatike në fillim të shtatorit.

Në një ofensivë vendimtare në veri-lindje, Ukraina zmbrapsi forcat ruse. Vendi thotë se ka çliruar 3,000 kilometra katrorë të territorit vetëm rreth qytetit të Kharkiv.

Në total, Ukraina thotë se ka çliruar më shumë se 8,000 kilometra katrorë nga kontrolli rus në shtator – avancimet e saj më të rëndësishme territoriale që nga fillimi i luftës.

Qytetet Izium dhe Kupiansk, për të cilat Ukraina thotë se u çliruan më 10 shtator, ishin të dy qendrat kryesore të furnizimit për forcat ruse. Si të tilla, këto përfaqësojnë përfitime të rëndësishme strategjike.

Ekziston gjithashtu një kundërsulm ukrainas rreth rajonit Kherson në jug të vendit.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) thotë se trupat ukrainase iu kanë shkaktuar një “humbje të madhe operacionale” forcave ruse.

Justin Bronk i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara tha se pozicionet ruse në Kharkiv kishin pësuar një “kolaps total”.

Tërheqja ruse ishte, tha ai, “sigurisht kthimi më dramatik që kemi parë nga rusët që kur ata u tërhoqën nga Kievi në prill”.

Si është përgjigjur Rusia?

Rusia konfirmoi se forcat e saj u tërhoqën nga Izium dhe Kupiansk. Vendi tha se kjo ishte një tërheqje strategjike për t’u “rigrupuar”.

Vendi ka thënë gjithashtu se do të vazhdojë të vë në cak këto zona me sulme ushtarake.

Ushtria ruse duket se ka braktisur sasi të mëdha pajisjesh dhe municionesh gjatë tërheqjes.

Sa territor ka ende nën kontroll Rusia?

Rusia ende mban rreth 20 për qind të Ukrainës, sipas ISW.

Zonat janë kryesisht në rajonin lindor të Donbasit dhe në jug të tokës ukrainase, si dhe në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Donbasi është një zonë kryesisht rusisht-folëse dhe pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, forcat pro-ruse pushtuan më shumë se një të tretën e rajonit. Vendi krijoi atje dy të ashtuquajturat republika popullore.

Zonat në perëndim të vendit, përfshirë Lvivin, kanë përjetuar sulme me raketa, por asnjë përpjekje nga forcat ruse për të marrë dhe pushtuar tokën.

Çfarë dëshiron Rusia?

Rusia refuzon ta quajë pushtimin e saj si luftë dhe thotë se po ndërmerr një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Kremlini tha se operacionet e tij do të vazhdojnë të derisa të arrihen “të gjitha detyrat e përcaktuara fillimisht”.

Kur nisi pushtimin në shkurt, presidenti rus Vladimir Putin tha se qëllimi i tij ishte “çmilitarizimi i Ukrainës”.

Një objektiv ishte të sigurohej që Ukraina të mos bashkohej me aleancën mbrojtëse perëndimore, NATO.

Qëllimi fillestar i Rusisë ishte të mposhtte Ukrainën dhe të rrëzonte qeverinë e saj.

Megjithatë, tani duket se i ka kufizuar ambiciet e saj në sigurimin e tokës në lindje dhe jug të Ukrainës.

Çfarë kërkon Ukraina?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se qëllimi i tij kryesor është të dëbojë të gjitha trupat ruse, të “çlirojë të gjithë territorin tonë”.

Zelensky ka bërë apel për më shumë fonde dhe pajisje për të mbajtur zonat e çliruara nga Rusia.

Dërgesat perëndimore të armatimit po përdoren shumë nga forcat ukrainase.

Sa njerëz kanë vdekur?

Të dyja palët kanë pësuar humbje, megjithëse asnjëra nuk publikon shifra të sakta.

Ukraina thotë se ka vrarë më shumë se 50,000 trupa ruse dhe në fund të gushtit tha se kishte humbur rreth 9,000 personel ushtarak që nga fillimi i konfliktit.

Rusia rrallë zbulon numrin e viktimave të trupave të saj. Numri më i fundit i vdekjeve ishte në mars, kur tha se 1,351 ushtarë rusë kishin vdekur që nga fillimi i pushtimit.

Në korrik, zyrtarët amerikanë vlerësuan se rreth 15,000 ushtarë rusë kishin vdekur.

Gjithashtu ka të vdekur edhe civilë. Në fillim të shtatorit, Kombet e Bashkuara vërtetuan më shumë se 5,700 vdekje.

Megjithatë, OKB tha se numri aktual ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë. /Telegrafi/

Përktheu dhe përshtati: Arigona Bytyçi 

Në trend Botë

Më shumë
Rikthim i fuqishëm i Ukrainës në frontin e Donetskut - ukrainasit ndaluan rusët afër Pokrovsky, çlirohet edhe një pjesë e Niu-Yorkut

Rikthim i fuqishëm i Ukrainës në frontin e Donetskut - ukrainasit ndaluan rusët afër Pokrovsky, çlirohet edhe një pjesë e Niu-Yorkut

Evropa
I turpëruar, i mundur dhe pa ekuipazh: Starliner i Boeing u kthye nga hapësira në Tokë

I turpëruar, i mundur dhe pa ekuipazh: Starliner i Boeing u kthye nga hapësira në Tokë

Botë
Ukraina godet

Ukraina godet "depo municioni" brenda Rusisë

Evropa
Ministri italian pasi u zbulua se punësoi dashnoren në kabinetin e tij: Dua të jem me gruan time!

Ministri italian pasi u zbulua se punësoi dashnoren në kabinetin e tij: Dua të jem me gruan time!

Evropa
Qytetarët francezë protestojnë kundër emërimit të Michel Barnier si kryeministër

Qytetarët francezë protestojnë kundër emërimit të Michel Barnier si kryeministër

Evropa
Partia Socialiste e Francës: Macron harroi Banjskën, aeroplanët

Partia Socialiste e Francës: Macron harroi Banjskën, aeroplanët "Rafale" do të aterrojnë pranë varrit masiv të Batanjicës

Serbia
Kalo në kategori