LAJMI I FUNDIT:

Shtyerja e fillimit të vitit shkollor, papërgjegjësi e MASHT-it

Shtyerja e fillimit të vitit shkollor, papërgjegjësi e MASHT-it

Jonuz Salihaj

Fillimi i vitit të ri shkollor është ngjarje e shënuar për çdo shoqëri, është ndjenjë e papërsëritshme sidomos për fëmijët e klasave të para, por edhe për nxënësit e klasave të gjashta dhe të dhjeta.


Kemi të bëjmë me një moment solemn i cili mbetet përgjithmonë në kujtesën e nxënësve dhe prindërve të tyre.

Në shtetin tonë të ri, që nga momenti i shpalljes së pavarësisë, pothuajse asnjëherë ky proces nuk është trajtuar seriozisht.

Nuk është shënuar ndonjë rast kur të gjitha institucionet e nivelit parauniversitar kanë filluar vitin e ri shkollor me kohë, sipas kalendarit shkollor, me 1 shtator. Gjithnjë është gjetur ndonjë arsye për shtyrje, përgatitja e lokaleve shkollore, mungesa e inventarit shkollor, mungesa e kuadrit e tj.

Por, kumtesa e MASHT-it për shtyrjen e fillimit të këtij viti shkollor, është krejt banale dhe e paarsyeshme. Shtyrja e fillimit të vitit shkollor kinse, për shkak të mungesës së mjeteve financiare për sigurimin e teksteve shkollore është indikator i qartë se kemi të bëjmë me shkelje ligjore dhe menaxhim joprofesional nga ana e MASHT-it.

Arsyetimi i dhënë se, po citoj, “Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), siguron komunitetin shkollor se po punohet intensivisht për finalizimin sa më të shpejtë të këtij procesi, dhe se në javën e parë të fillimit të procesit edukativo-arsimor do të pajisen të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta me tekste shkollore dhe materiale tjera mësimore”, konfirmon se kjo çështje është trajtuar me vonesë, edhe pse do duhej të ishte prioritet i MASHT-it.

Ka edhe plot indikatorë tjerë që tregojnë për “seriozitetin” e përgatitjeve të MASHT-it dhe Drejtorive Komunale të Arsimit për fillimin e këtij viti shkollor si:

• Afati për hartimin e teksteve të reja shkollore sipas kërkesave të Kornizë së Re Kurikulare,
që nuk është realizuar dhe as që do të përmbushet sivjet, për shkak se asnjëherë nuk ka qenë prioritet.

• Dështimi i pilotimit të Kurikulës së re dhe mësimit tërë ditor i cili ka filluar pa realizimin e kushteve elementare, hapësirës shkollore, kuadrit të aftësuar, materialeve mësimore, shujtave për fëmijë e tj. Procesi i dështuar i pilotimit, konfirmon katërçipërisht se dokumenti bazë i arsimit parauniversitar, i reklamuar si arritja ma e madhe e MASHT-it, Korniza e Re e Kurrikulit të Kosovës tani më ka dështuar. Nëse dështon procesi i zbatimit të dokumenti kryesor, Kushtetutës së Arsimit Parauniversitar atëherë ka dështuar i tërë sistemi.

• Konkurset për rekrutimin e kuadrit arsimor, në vend që të shpallen dhe të mbyllen në qershorin e kaluar, shumë komuna ende nuk e kanë përfunduar procesin e rekrutimit të kuadrit arsimor. Mësimdhënësit e rinj do të duhej së paku një muaj më parë të rekrutohen në mënyrë që të aftësohen për eliminimin e vështirësive që sjell fillimi i karrierës së mësuesisë. Mësimdhënësit e rekrutuar me 31 gusht do të kenë vështirësi në hartimin e plan-programeve mësimore. Ata vetëm për këtë proces do duhej të monitorohen së paku një gjysmëvjetor.

• Mungesa totale e teksteve shkollore për shkollat profesionale asnjëherë nuk është shqyrtuar seriozisht nga MASHT, dhe asnjëherë nuk ka qenë pengesë për fillimin e vitit shkollor, ani pse kjo prekë 60% të nxënësve të shkollë së mesme të lartë. Mungesa e buxhetit për tekste shkollore për nivelin 1 dhe 2 të arsimit, është vetëm njeri nga shkaqet e mos fillimit me kohë të vitit shkollor, por jo i vetmi, pasi asnjëherë deri më tani, nuk janë përmbushur konditat elementare për fillimin e një viti të mbarë, që do të përfundonte me një vlerësim të suksesshëm në fund të vitit.

Mungesa e buxhetit është një shkas banal, pasi vija buxhetore për tekstet shkollore tani më ka hyrë në vitin e dhjetë, dhe nuk ka kurrfarë arsyetimi nga MASHT-i dhe Ministria e Financave për mungesë mjetesh.

Kemi shumë arsye për brengosje me politika arsimore ad hock të kësaj Qeverie të cilat kanë prodhuar degradim të përmasave të mëdha në të gjitha segmentet arsimore.

Në asnjë rast nuk kemi parë ndonjë vetëkritikë të Qeverisë, si përgjegjësia kryesore për dështimet në arsim, përveç deklaratave megalomane, puro politike, që flasin për cilësi, ose kritikojnë mësimdhënësit pse kërkojnë të drejtat veta të garantuara me ligj dhe Kontratën Kolektive.

Madje ministri Bajrami, pat paralajmëruar pa kurrfarë analize dhe një proces të testimit të mësimdhënësve, në tetor të këtij viti, duke i anashkaluar të gjitha aktet ligjore të nënshkruara nga vet ai, ose paraardhësit e tij.

Për çudi ai zgjodhi mediet, në këtë rast televizionin 21, të paralajmëroi këtë iniciativë pa kurrfarë debati ose analize, duke shfaqur kështu jo seriozitet të paparë dhe mosnjohje elementare të legjislacionit në fuqi.

Kosova për fat të keq deri më tani ka dëshmuar se nuk ekziston mekanizmi i llogaridhënies.

Në çdo sistem demokratik do të duhej nënshtruar përgjegjësisë institucionale, pse në vitin shkollor 2008/2009, për sigurimin e teksteve shkollore për nivelin 1 dhe 2 janë nevojitur 3 milion euro, kurse në vitet në vijim kjo shumë është trefishuar.

Para se ministri Bajrami dhe shokët e tij të na tregojnë se si të sillemi me 1 shtator, pasi shkollat do të jenë të mbyllura, është mirë që opinionit të gjerë t’ia bëjë me dije ku qëndrojnë shkaqet e vërteta të mos shpërndarjes së librave shkollor. Ose sa administratorë janë dënuar për keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë procesit të administrimit të testit të arritshmërisë dhe maturës shtetërore.

Arsyetimi se gjoja askush nuk e ka fituar luftën me teknologjinë informative, është krejtësisht i pavend dhe amator, sepse inkurajon keqpërdoruesit të vazhdojnë tutje me shkelje të ligjit duke mbetur të pa ndëshkuar si deri më tani.

Koha e reflektimit ka kaluar kaherë, tani është koha e përgjegjësisë.