LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri: Martesat e të miturve me pasoja social-ekonomike

Shqipëri: Martesat e të miturve me pasoja social-ekonomike

Martesat në moshë të hershme në radhët e vajzave vijojnë të mbeten ende një problem shqetësues në Shqipër. Elementë të traditës familjare me rrënjë nga prapambetja dhe vështirësitë ekonomike dhe sociale, e mbajnë këtë rit prezent kryesisht në radhët e komunitetit rom…

Për ekspertët, dinamika e zhvillimet sociale, ekonomike dhe kulturore apo emigrimi nga Shqipëria për në vendet e tjera kanë ndikuar në zbutjen e treguesve, por gjithsesi evidentohen sërish raste kur vajzat e mitura martohen. Këta precedentë shkaktojnë efekte të tjera zinxhir: lidhje të dobta të çiftit, mungesën e koshiencës për planifikim familjar, rritjen e divorceve, moskujdes për fëmijët, rënien në rrethanat e varësisë së ndihmës sociale etj.

Një nga organizatat joqeveritare që ka monitoruar nga afër këtë problem në dy vitet e fundit është Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Sipas aktivistëve të Observatorit, referuar të dhënave që janë mbledhur në terren gjatë 2016-s, konfirmohet përhapja e martesave edhe në zona urbane.


Monitorimet në dy vitet e fundit kanë pasur si qëllim për të vrojtuar se si dhe sa martesat e hershme ndikojnë tek shëndeti, edukimi, gjendja ekonomike, sociale, trafikimi, dhuna, pavarësia.

Eridjona Kica nga Observatori, duke iu referuar të dhënave nga monitorimet, tregon për Deutsche Welle-n, se përqindja e fëmijëve të martuar në komunitetin rom është 9% e totalit të tyre.

“Në krahasim me fëmijët e martuar dhe beqarë romë të shoqërisë shqiptare, mund të themi se 14.7% e fëmijëve beqarë në total janë fëmijë rom dhe 93.5% e fëmijëve të martuar në Shqipëri janë fëmijë rom. Shumë nga të intervistuarat vajza ishin martuar që në moshën 13 vjeçare dhe në moshën 17 vjeçare dhe shumica e djemve ishin martuar në moshën 17 vjeçare”.

Nuk mund të aplikohen gjoba për prindërit

Një nga shënjestrat e monitorimit ka qenë edhe Korça. Miranda Fejzo nga shoqata “Për mbrojtjen e të drejtave rome” në këtë qytet mendon, se pavarësisht një lloj ndryshimi në mentalitetin e komunitetit, martesat e hershme kryen. Sipas të dhënave që ka shoqata, nëse dy dekada më parë në shumicë dërmuese kryeshin martesat në moshën 13-14 vjeç, aktualisht mosha mesatare është rritur në rreth16 vjeç. Por ende në radhët komunitetit ka raste kur kjo u ndodh dhe vajzave në moshën 12-13 vjeçare, thotë Fejzo për Deutsche Welle-n.

“Vetë ne si shoqatë, por dhe të tjera grupime joqeveritare nga rradhët e komunitetit rom, ashtu dhe nga strukturat shtetërore, duhet thënë se ka pasur fushata ndërgjegjësimi, janë bërë tryeza diskutimi me prindër dhe të rinj, për të nxjerrë në pah negativitetin e këtij fenomeni. Se një martesë e hershme, e pamenduar, sjell një sërë pasojash të tjera. Grindje e zënka në familje, divorce të shpejta, fëmijë të braktisur, të cilave po t’i shtosh dhe hallet ekonomike dhe sociale vetëm se e rëndojnë edhe më shumë jetën e këtyre njerëzve. Unë mendoj se vetëm ndërgjegjësimi, puna me njerëzit, shtëpi më shtëpi, jep efekt. Nuk mund të aplikosh gjoba për prindërit. Në ato kushte ku jetohet, në mjerim ekonomik dhe pa strehim do të ishte fare pa vlerë aplikimi i një gjobe. Një metodë që e quajmë të dobishme është dhe tërheqja e vajzave në kurse të trajnimit profesional, në një përpjekje që ato të marrin një zanat, për t’i dhënë mundësi që të punojnë, të marrin të ardhura dhe pse jo, që të jenë dhe më të pavarura në familjet e tyre, për të mos pranuar zgjidhjet e problemeve me martesë në moshë të mitur.”
Albanien Roma

Arsimimi “ilaçi” më i mirë

Arben Kosturi, president i Unionit rom “Disutni Albania” po në qytetin e Korçës e shikon këtë dukuri të lidhur me arsimimin. Po nuk ndryshoi niveli arsimor për fëmijët dhe të rinjtë romë, martesat e hershme do të jenë prezente, shprehet Kosturi për DW.

“Arsimimi është në themel të situatës kritike për komunitetin rom. Pa shkollë i bie që të varesh tek lypja, tek pasiguria për jetën, që të afrohesh te veset e këqija që në moshë të njomë. Shpesh në takimet që bëjmë me të rinjtë ne e themi hapur se martesat e hershme janë zgjidhja më e gabuar, është si të pranosh që një ‘fëmijë të lindë fëmijë’. Ka dalë problemi i regjistrimit në gjendjen civile të të sapolindurve, në rastet ekstreme kur kanë humbur jetën na janë dashur dhe 3-4 ditë që të arrijmë të marrin certifikatë vdekjeje. Kemi zhvilluar fushata ndërgjegjësimi duke folur me njerëzit, por dhe duke shpërndarë fletëpalosje. Edhe në një program televiziv që kemi përgatitur prej disa vitesh tema e martesave të hershme është trajtuar disa herë”.

Fenomeni në rajonet rurale e periferike

Drejtoresha e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, Elma Tërshana, sjell realitetin jashtë komunitetit rom në zona periferike, suburbane dhe rurale. Informacionin ne e kemi mbledhur në bashkëpunim dhe me njësitë e qeverisjes vendore, policinë, spitalet, gjykatat, thotë Tërshana për DW.

“Disa nga gjetjet kryesore të studimit të martesave të hershme në zonat rurale dhe periferike janë: grupmosha dominante kur ishin martuar të anketuarat ishte 16- 17 vjeç; mosha kur kishin sjellë në jetë fëmijën e parë në Korçë ishte 17 apo 18 vjeç; po në këtë qytet diferenca e moshës bashkëshortore varionte nga 2 deri në 10 vjet. Krahasimi i nivelit arsimor të prindërve me atë të intervistuarave tregoi një korrelacion domethënës. Të intervistuarat kishin një rritje shumë të vogël të numrit të viteve të kaluara në arsim në krahasim me prindërit. Niveli i edukimit i të intervistuarave përputhej me atë të prindërve të tyre. Gratë që ishin martuar herët nuk ktheheshin në shkollë pas lindjes në 84% të rasteve në Korçë dhe në 88% të rasteve në Vlorë”.

Tërshana shton se Observatori nuk është mjaftuar vetëm me monitorimin dhe analizën e gjetjeve, por është investuar në lobim me institucionet publike të linjës Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të sinkronizuar veprimtari sensibilizuese që e parandalojnë fenomenin, sikundër dhe shtimin e kujdesit për përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet në nevojë, për arsimimin e fëmijëve, për punësimin e prindërve të tyre, strehimin etj. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori