LAJMI I FUNDIT:

Shpronësimi

Rikolonizimi është trajtuar shpesh si vazhdimësi e shkëputur nga një periudhë kohore tek tjetra e kolonizimit të territoreve të pushtuara apo të ripushtuara nga i njëjti pushtues. Në esencë këto projekte nuk kanë ndryshuar, por janë seleksionuar mjetet dhe metodat që mund të jenë më funksionale për ta bërë të mundur realizimin qëllimeve.

Në arkivat e Kosovës, po të shihen me kujdes, mund të gjinden dëshmi dhe vendime, të cilat administrata shtetërore serbe ua ka kumtuar personaliteteve më të njohura nga regjionet e ndryshme të Kosovës, të cilët janë dënuar me vdekje.


Shembull, Ali Iliaz Raçaku nga fshati Radevë, i cilësuar si kundërshtar i regjimit pasi nuk i përgjigjet ftesës për t’u dorëzuar, janë inkurajuar shqipfolës dhe mercenarë që për një shumë nga 500 deri në 500.000 të bëhet realizimi i vendimit për ekzekutim krahas organeve të xhandarmërisë serbe.

Këto vendime të shumta kanë prodhuar këto efekte:
Personave të përndjekur u është pamundësuar qëndrimi në shtëpitë e tyre, janë mbajtur në terror psikologjik familjet, nëse pushteti nuk ka qenë i suksesshëm në vrasjen e tyre, atëherë janë atakuar familjarët duke u zhvendosur nga fshati qoftë duke u depërtuar jashtë vendit ose për qëndrim në kampet e Nishit e Leskocit, si formë presioni për dorëzim të të përndjekurve, ndërsa në shtëpitë dhe tokat e tyre janë vendosur kolonët serbë, me çka kështu ka filluar njëra nga format e shpronësimit jo vetëm nga pronat, por duke u rrezikuar ekzistenca, është lëkundur pozicioni i qëndrimit, dhe, zhveshja deri nga të drejtat më elementare që mund të ishin të shkruara, por që nuk kishte mekanizma nacional për t’i mbrojtur dhe as supranacional së paku për mbikëqyrje.

Shpronësimi rasti i hungarezve

Shekulli njëzetë e një e zuri Serbinë në proces të modifikimit të projekteve rikolonizuese edhe në “tokat e buta” të hungarezëve të Vojvodinës. Të ndarë më keq se sa shqiptarët nëpërmes Traktateve të fshehta dhe Konferencave ndërkombëtare, Hungaria e ndëshkuar me Traktatin e Trianonit, humbi mbi 70% të territorit, ndërsa popullsia e saj me diku mbi 20 milion u tkurr në pak më shumë se 7 milion banorë. Dhjetëra vende-qytete të banuara me hungarezë u bën pjesë e shteteve si: Rumania, Çekosllovakia, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene.

Vendi që dikur njihej si hambar i drithit për tërë ish-Jugosllavinë, me përmbysjen e komunizmit, tani është vënë në shënjestër të presioneve të politikës serbe, sidomos komuniteti hungarez, i cili po përjeton një diskriminim nga aplikimi i ligjeve me të cilat pretedentohet shpronësimi i pronave të hungarezëve.

Karshi politikës së ashpër serbe, politika hungareze ka mbajtur një distancë dhe ka treguar maturi që të përplaset me Beogradin zyrtar. Si duket këtij durimi po i vije fundi, sepse një sinjal më në fund erdhi nga zyrtarët e Budapestit, të cilët kërcënuan se janë të gatshëm që të drejtën e vetos ta përdorin kundër Serbisë për të aderuar në BE.

Për shenjtërinë e pronës

Në planin diplomatik duhet të kuptohet se pozita e Serbisë nuk mbetet vetëm peng i çështjeve të pazgjidhura me Kosovën, por edhe të sjelljeve diskriminuese ndaj komunitetit hungarez, sidomos me aplikimin e ligjeve pak a shumë të ngjashme që dikur janë aplikuar në Kosovë.

Ndoshta, në këtë relacion mes Prishtinës dhe Budapestit do të duhej të intensifikoheshin disa nga shqetësimet e përbashkëta, që nuk i kanë mbetur vetëm të kaluarës, por një pjesë e tyre janë bartur nga një periudhë tek tjetra, aty ku Serbia e ka ndjerë veten më të fuqishme, tani së paku për ta rrumbullakuar projektin e madh politik, i cili në një masë të konsiderueshme është vazhdimësi e shpronësimit jo vetëm të pasurisë, por lirisë së një vendi. Edhe problemi i pazgjidhur i veriut të Kosovës duhet të kuptohet si e tillë.

Prishtina me barrën e veriut të vendit, ndërsa Tirana me ndjenjën e inferioritetit, një ditë do të mund ta kuptojnë se sa shqiptarëve në Luginë të Preshevës iu shpronësuan pronat dhe u dëbuan jashtë vendit. Nëse Tirana komuniste nuk bëri asgjë, çfarë bën Tirana e sotme demokratike për pronat e çamëve, së paku kjo çështje ka mundur të shtrohet për zgjidhje, me moton që del nga përkufizimi për shenjtërinë e pronës.

Budapesti nuk do të mbetet inferior, sepse ka mjaftë arsye për ta përdorë veton ndaj Serbisë, ndërsa shqiptarët nëse nuk e kanë këtë mundësi, nuk janë të penguar ta ngrehin zërin.