LAJMI I FUNDIT:

Shpresa vdes… e fundit!

Të jetosh në Kosovë, do të thotë të shpresosh. Të shpresosh që nesër ne do të shëtitim nëpër botë, pa pasur nevojë të shkojmë në ambasadat në Prishtinë, që ngjajnë si hyrjet e stadiumeve para një derbi futbolli. Të shpresosh që nesër vendi ynë do të jetë shtet anëtar në OKB, BE, NATO, ndoshta edhe në OPEC (sepse kemi më shumë shpresë tek nëntoka jonë, sesa tek qielli që na sjellë shira të bollshëm për të pasur një bujqësi frytdhënëse). Ne shpresojmë se do të kemi një shtet shqiptar në Ballkan, se do të jetojmë të lumtur dhe të pasur dhe pastaj…. asgjë. Pse? Sepse, nuk e di. Këto i kemi aq të ngatërruara dhe të lidhura saqë kam përshtypjen se më shumë kohë do të merr zgjidhja dhe renditja e tyre sesa realizimi (qofsha i gabuar!).

Veçantia jonë sot nuk qëndron në aftësinë tonë, por në të kundërtën e saj. Dhe kjo dhemb kuq e zi. Dhimbja më e madhe duhet të jetë ajo që njeriu ia shkakton vetes, sepse nga të tjerët ajo është e para që duhet të pritet këtyre ditëve.


Kam mësuar të mendoj gjithmonë mirë për kombin tim dhe tani duhet të kujtoj se çfarë kam bërë për të dhe nëse përgjigja nuk zgjat shumë (gjë që në shumicën e rasteve i ndodhë një shqiptari të ri), atëherë do të thotë se kam shumë rrugë përpara. Detyra e parë që më vjen ndërmend është të punoj në mentalitetitn tim dhe ta bëj atë të trashëgueshëm – një punë që mua më duket se është më e vështirë se shpallja e pavarësisë apo edhe proceset në të cilat (nuk) po kalon vendi ynë. Krijimi i një mentaliteti ku ëndrrat e këtij e bëjnë këtë popull realizues të tyre dhe jo vetëm një tufë ëndërrimtarësh të pashpresë.

Të dëgjosh nga ata që na udhëheqin se ndaj kombit tonë po veprohet me masa diskriminuese, dhunë apo terror dhe të mos dëgjosh se çfarë ata kanë ndërmend të bëjnë kundër këtyre dukurive, është sikur të dëgjosh se sot Dielli ka lindur dhe ka perënduar. Është çudi që kjo i ndodh një populli që shumë gjatë ka jetuar sipas një kodi ku “gjaku lahet me gjak”, por siç duket ky kod është më lehtë i aplikueshëm brenda kufijve kombëtar (një kufizim ky që fatkeqësisht vlen vetëm në kohë festash), ndonëse sa herë është aplikuar jashtë tyre na ka dalë mirë!

Ajo drita që e pamë në fund të tunelit në vitin 1999, sot për ne është një sfidë që nëse nuk përballemi me të “si burra” ajo do të kthehet në një mallkim për pasardhësit tanë. Kjo sfidë nuk qëndron vetëm në atë se a do të integrohemi ne në BE apo në NATO, por si do të integrohemi. Nëse ne nuk ia kthyem kurrizin vendit tonë, kur ai na e kërkoi të bëheshim luftëtarë, a do ta bëjmë të njëjtën gjë sikur ai të na bëjë argat të të huajve?

Problemi është se sistemi mund të të garantojë njëfarë barazie, por respekt jo, gjë që e bënë atë të kundërt me luftën. Ne po ushqehemi nga shpresa jonë me plot imazhe që fillojnë nga pasaporta biometrike deri te Kulla e Eiffelit, por nuk po e ushqejmë shpresën tonë me imazhin përballë imazheve. Me ne, jo si dukemi, por si jehojmë.

Unë do të ndihesha shumë krenar nëse bashkësia ndërkombëtare në krye me ShBA-të, kanë ardhur të na ndihmojnë (qoftë edhe për ndonjë interes) për t’u çliruar nga Serbia dhe për t’u bërë aleat të Perëndimit, sepse kjo do të tregonte se ne jemi të denjë për të qenë miq. Por, do zhgënjehesha sikur gjërat të rridhnin në atë mënyrë që ta bëjnë Serbinë të çliruar nga ne, të dëmshpërblyer me veriun e Kosovës dhe me të gjitha dyert e hapura drejt perëndimit: para nesh dhe larg nesh. Prandaj, shpresoj se historia do të jetë tani e tutje e drejtë ndaj nesh, dhe ne më të përkushtuar ndaj saj. Ajo do të tregojë se çfarë kemi bërë ne dhe vendi ynë mes kombeve do të vijë nga ajo se çfarë ne kemi bërë e jo se çfarë tjerët kanë bërë për ne.

Ne shpresojmë sepse shpresa vdes e fundit. Por, nuk do të jetë kështu nëse ne vrasim gjithçka që duhet të vdes para saj!