LAJMI I FUNDIT:

Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët në Ekspozitën Dokumentare

Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët në Ekspozitën Dokumentare

Në Muzeun Holokaust në Çikago do të hapet Ekspozita Dokumentare, “Hebrenjtë në Arkivin Shqiptar”, e Prof.dr.Nevila Nika, ndërsa në Universitetin Northwestern do të fillojë mësimi i historisë Shqiptaro-Hebrenje me Prof.dr.Harold Shpiro.

Ditë më parë në Çikago u mbajt një takim pune në mes Shoqatës Shqiptare-Amerikane dhe asaj të Grave Hebrenje për shtetin e Ilinoisit, me përfaqësuesit Prof. Skënder Karaçica, drejtor ekzekutiv dhe Mahmut Skenderi, sekretar i SHSHA-së me Prof. Sharon Merel, kryetare e këtij asociacioni të gruas hebrenje. Me këtë rast u bë fjalë lidhur me bashkëpunimin në të gjitha fushat e jetës e sidomos për afirmimin e jetës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, që ka të bëjë me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore (1940-1945).

Do theksuar se SHSHA në bashkëpunim me Redaktorin e gazetës Chicago Tribune, Ron Grosman, për shpalimin e ngjarjeve shqiptare dhe shpëtimi i hebrenjve nga asgjësimi nazi-fashist dhe hyzmeqarët e tyre që e bëri Shqipëria dhe Kosova, i dorëzuan një material modest me shënime, fotografi, botime të veçanta historike, intervista me personalitete të njohura shqiptare që do të pasuronin periodikun arkivor të Muzeut Holokaust në Çikago.

Në këtë takim, Prof.Sharon Merel ka shprehur interesim për ndihmën që ka dhënë populli shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur populli hebre ishte afër shfarosjes së tij deri në substancën kombëtare. Për ndriçimin e kësaj periudhe, thanë përfaqësuesit e të dyja shoqatave Shqiptaro-Hebrenje, doli nisma që në bashkëpunim me institucionet shkencore në Tiranë dhe Prishtinë, të fillojnë përgatitjet për hapjen e Ekspozitës Dokumentare nga periudha e Luftës së Dytë Botërore(1940-1945) në Muzeun më modern në botë Holokaust në Skokie të Çikagos.


Për këtë nismë,në kërkesë të SHSHA-së Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë me drejtoreshën Prof.dr.Nevila Nika ka nisur dhjetëra ekzemplarë të botimit, Hebrenjtë në Arkivin Shqiptar”, që hedhin dritë nga shpëtimi i hebrenjve në vitet 30-40 të shekullit të kaluar në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare. Ndërkaq, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe me drejtorin Prof.dr.Luan Maltezi,kemi propozuar që Ekspozita e hapur kohë më parë në Tiranë madje edhe në prani të Ambasadorit të ri nga Izraeli, David Cohen të vjen për të prezantuar historinë e shpëtimit hebrenj që e bëri me bujari populli shqiptar në Muzeun Holokaust në Skokie.

Shoqatat Shqiptaro-Hebrenje do të begatojnë aktivitetin e vet me nismën që e bëri Prof.Sharon Merel me përfaqësuesit e SHSHA-së që në Universitetin Northwestern në Çikago të fillojë mësimi i historisë Shqiptaro-Hebreje me Prof.dr.Harold Shpiro,Ligjërues në këtë Tempull të dijes. Me rastin e hapjes së Ekspozitës në Muzeun Holokaust do të ftohen personalitetet e njohura të dyja shteteve Shqipërisë dhe Kosovës si dhe pjesëve etnike në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. /Telegrafi/