LAJMI I FUNDIT:

Shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë dhe synimi i Athinës që çamët t’i quante turq!

Shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë dhe synimi i Athinës që çamët t’i quante turq!
Ilustrim

Nga: Hajredin Isufi dhe Enver Kushi

Greqia shpresoi të zgjidhte problemin e spastrimit të çamëve myslimanë në kuadrin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë, në planin e brendshëm ajo shtoi shtypjen dhe diskriminimin e popullsisë shqiptare çame për t’ia bërë asaj jetën e padurueshme në trevat e veta. Kështu, Greqia merrte për bazë Nenin 17 të Kushtetutës Greke të vitit 1911, sipas të cilit “Shteti grek kishte të drejtë të kryente Reformë Agrare të detyrueshme për pronarët e mëdhenj të tokave” (K. Llambros, “Tsamides qe Tsamuria” / “Çamët dhe Çamëria”, 1949, f.15 e në vazhdim.)

Në shkurt të vitit 1920 Athina shpalli zyrtarisht Reformën Agrare, e cila synonte të prekte pronarët e mëdhenj e të mesëm çamë dhe të krijonte mundësinë që në fshatrat myslimane shqiptare të vendoseshin refugjatë grekë. Në fakt, u duk se largimi i shqiptarëve çamë nga kufijtë e shtetit grek do të ishte i shpejtë.


Në periudhën 1913-1922, në çdo zonë të Çamërisë vepronin banda të armatosura greke të cilat terrorizonin popullsinë shqiptare çame.

Traktati i Minoriteteve, i nënshkruar pas Luftës së Parë Botërore, u njihte atyre të gjitha të drejtat. Edhe Shqipëria i njohu minoritetit grek në Shqipëri të drejtën për të pasur shkolla në gjuhën e vet amtare, u garantoi jetën dhe pasurinë, si dhe për të pasur përfaqësuesit e vet në Parlamentin Shqiptar. Qeveria shqiptare shpresonte se edhe fqinja e saj, Greqia, do t’ua njihte po këto të drejta shqiptarëve të cilët jetonin në Greqi. Qeveria greke në parim i njihte çamët si minoritet, por duke u bazuar në fenë e tyre muhamedane, bënte përpjekje për t’i quajtur turq, në mënyrë që t’i përfshinte në një shkëmbim të mundshëm të popullsisë grekoturke.

Shqiptarët në Greqi i kishin humbur të gjitha të drejtat. Qeveria greke nuk lejonte për shqiptarët në Çamëri asnjë shkollë në gjuhën amtare shqipe, ndërkohë që në të gjitha fshatrat e banuara prej tyre ajo kishte hapur shkolla në gjuhën greke.

Qeveria greke, në kundërpërgjigje të ankesave çame kundër Athinës, të cilat kishin krijuar një imazh të keq për të në opinionin ndërkombëtar, sajoi se krerët myslimanë të Paramithisë, Margëlliçit, Gumenicës dhe Filatit po përgatisnin grupe terroriste, të cilët propaganda greke dhe shtypi i saj i paraqiste përpara opinionit të huaj si “komplotistë të tmerrshëm” (Gazeta greke “Kiriks”, Janinë, 6 qershor 1921). “Kjo sajesë djallëzore, do të shkruante 25 vjet më vonë deputeti grek, Kristo Vasili, ishte kurdisur në Patras, qendër ku ishte një fabrikë gënjeshtarësh veçanërisht për Çamët” (Gazeta Greke “Eleftheria”, nr.102, Janinë, 30 prill 1936).

Në Çamëri filloi një valë arrestimesh në të gjitha qendrat e saj, nën akuzën e komplotimit kundër shtetit grek. Qeveria shqiptare, rrethet patriotike brenda e jashtë vendit dhe shtypi shqiptar ndërmorën një fushatë të fuqishme kundër dhunës së egër që ushtrohej ndaj parisë myslimane të Çamërisë (Gazeta Greke “Kiriks”, Janinë, 21 qershor 1921). Në këto presione të forta, Qeveria greke u detyra të vendoste lirimin e të arrestuarve: Musa Demi, Qamil Izeti, Kaso Duçe, Haki Musai nga Filati, Hafiz Muhedini nga Paramithia etj.

Athina, në frontin e Luftës Greko-Turke më 1920-1922, pësoi disfatë të turpshme. Kontingjentet e para të refugjatëve grekë nga Azia e Vogël kishin nisur të zbarkonin në Greqi. Planet e qeverisë greke ishin që një pjesë e grekëve të ardhur nga Turqia dhe kontingjentet e tjera që priteshin, të sistemoheshin në shtëpitë dhe në pronat e shqiptarëve myslimanë çamë. Këta të fundit planifikonte t’i përfshinte në shkëmbimin e popullsisë grekoturke. Në mbështetje të kësaj ideje, ishte dhe një Urdhëresë e lëshuar nga Ministria greke e Bujqësisë më 1 tetor 1922, ku urdhërohej administrata e përgjithshme e Epirit që “refugjatët grek të ardhur nga Azia e Vogël të sistemoheshin në shtëpitë e në pronat e Çamëve në Çamëri” (AYE, 1923 A/5, 3, Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Janinë, 2 mars 1923). Gjithashtu, në Ministrinë e Jashtme greke ishte krijuar një drejtori që përgatiste listat e shkëmbimit të turqve në Epir për t’u përfshirë në shkëmbimin e popullsisë grekoturke.

Pas disfatës që pësuan forcat greke në Turqi, më 9 shtator 1922 Greqia duhet të hiqte dhe një kalvar të fundit. Në Traktatin e Lozanës të 30 janarit 1923, u vendos largimi i detyrueshëm i 1.3 milionë grekëve të Azisë së Vogël. Në Lozanë u vendos gjithashtu që qeveria turke të hiqte nga territoret e shtetit grek të gjithë myslimanët me kombësi turke. Pavarësisht se problemi i shqiptarëve myslimanë të Epirit dhe Maqedonisë ishte jashtë agjendës së diskutimeve, diplomacia shqiptare, për t’u dalë përpara ndonjë të papriture, ndërhyri te përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrës në Konferencë, duke argumentuar se shqiptarët në Epir dhe në Maqedoni (Kostur – Follorinë), ishin autoktonë në trojet e  eta dhe do të ishte padrejtësi e madhe historike, të përfshiheshin në shkëmbim duke marrë për bazë fenë dhe jo racën. Diplomacia shqiptare, me ndërhyrjet e veta në Lozanë, arriti një sukses të madh sepse nën presionet e qeverisë shqiptare, përfshirë këtu edhe të asaj turke dhe italiane, u arrit që përfaqësuesi i Qeverisë greke të deklaronte: “Minoriteti Shqiptar në Greqi do të përjashtohej nga shkëmbimi”.

Pas Konventës së Lozanës, Athina mendonte se spastrimin etnik të shqiptarëve do ta arrinte përmes presioneve të dhunshme, aq sa ai minoritet, kundër dëshirës dhe vullnetit të vet, të deklaronte përfshirjen në shkëmbim dhe vajtjen në Turqi. Qëllimi i Greqisë ishte ta çrrënjoste këtë popull nga trojet e veta, për t’iu grabitur atyre pasurinë dhe për të vendosur në shtëpitë e pronat e tyre refugjatët grekë.

Nga burimet e dokumenteve të kohës, qeveria shqiptare në kulmin e presioneve të shqiptarëve çamë në vitet 1923-1925, nuk ofroi mundësinë e pranimin e shqiptarëve të Çamërisë me pretekstin se bejlerët e Delvinës, Sarandës dhe të Konispolit, për lëshimin e trojeve për sistemimin e çamëve kërkonin kompensim të menjëhershëm nga qeveria. Atë që nuk e bëri Tirana në këtë kohë për situatën e rëndë që përjetonin shqiptarët e Çamërisë, e bëri Qeveria e Qemal Ataturkut.

E lëmë këtë histori të shkurtër të situatës politike në Çamëri për 1913-1924, për të sqaruar lexuesin se cilat kanë qenë arsyet që e detyruan një masë të madhe të familjeve shqiptare të lënë trojet e veta dhe kundër vullnetit morën rrugën e mërgimit në masën më të madhe drejt Turqisë.

Për atë pjesë të popullsisë çame që edhe pas 100 vjetësh jetojnë larg trojeve të veta, ka pak informacione për të mos thënë aspak. Janë raste të rralla kontaktet e çamëve me lidhje gjaku, që kanë krijuar lidhje pas vitit 1990.

Për herë të parë, kohët e fundit kemi njohur një zonjë shqiptare nga Kruja, Mimoza Elezi, që për afro 10 vjet me një përkushtim e pasion patriotik ka shëtitur në çdo qytet të Turqisë ku janë vendosur shqiptarët e Çamërisë – që nga Edirneja deri në Hataj Dortiol në kufi me Sirinë. Ne kemi kontaktuar nga afër me zonjën Mimoza. Në materialet që ka grumbulluar ajo për familjet çame kemi një burim informacioni të bollshëm për popullsinë çame e cila sot është integruar në Turqi. Elezi është një arkivë e pasur për historinë e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi. Nga hulumtimet e saj dëshmohet se në Uçpinar jetojnë edhe sot e kësaj dite, pas 100 vjetëve, 22 familje çame dhe një pjesë e tyre flasin shqip. Në materialet e grumbulluara ndër vite, të cilat na i ka vënë në dispozicion për qëllime studimore, njihemi me disa të dhëna shumë interesante: Fshati Reis Dere në Aleçati në Izmir, njihet me plot kuptimin e fjalës fshat çam, se atje jetojnë më shumë se 100 familje çame nga fshatrat e Filatit, Paramithisë, Gumenicës, Margëlliçit e Pargës, Salicës, Karbunarit, Mazrrekut, Koskës, Dolanit, Arpicës etj. Rajoni i Izmirit ka një numër të madh shqiptarësh çamë, si në Karshiaka, Selçuk, Torbali etj. Ka rreth 400-500 familje çame kryesisht nga Mazrreku, Karbunari, Margëlliçi e rrethinat e Filatit.

E gjejmë me vend, meqë më poshtë flitet për një ngjarje të hidhur, të ndodhur në Pargë, të njohim lexuesit me këtë qytet. Për këtë po citojmë Sami Frashërin: “Parga është një qytet, qendër krahine nënprefekturën e Margëlliçit të Prefekturës së Prevezës, në Prefekturën e Janinës, në jug të Shqipërisë, 45 kilometra në veriperëndim të Prevezës dhe 55 kilometra në Jugperëndim të Janinës. Ka pesë mijë frymë popullsi, një xhami, një fortesë të vjetër sipër një shkëmbi të futur në det dhe kopshte me portokalli dhe ullishta. Ka edhe qitro me shumicë, të cilat janë shumë të pëlqyera dhe pasi kërkohen nga çifutët, populli siguron shumë fitime. Eksporti tjetër përbëhet nga portokajtë dhe limonët dhe vaji i ullirit, ndërsa në qytet punohet edhe një lloj sapuni i zeshkët. Ajri është i bukur dhe i butë dhe shumë i dobishëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Edhe banjat e detit janë shumë të dobishme. Megjithëqë anijet nuk e takojnë, pasi është port i asaj ane të Çamërisë, vijnë dhe ikin mjaft anije me vela dhe qyteti bën tregti me Korfuzin dhe Triesten … Popullsia myslimane dhe një pjesë e të krishterëve janë shqiptarë, të tjerët janë grekë (Zyber Bakiu, “Shqipëria dhe Shqiptarët”, Hulumtime Historike në Enciklopedinë Kamus-ul alam të Sami Frashërit. Tiranë, 2015, fq. 208).

Nga kontaktet me të moshuarit e familjeve çame në Turqi, Mimoza Elezi na tregoi historinë e një familjeje parganjote, që kishte qenë e detyruar – nga presionet e dhunshme të administratës greke – të emigroj në vitin 1924 në Turqi. Në Hartoj Dortiol, vendi në kufi me Sirinë, janë katër fshatra. Aty kishin zënë vend disa familje çame. Njëra prej tyre ishte nga Parga. Gruaja që kontaktoi Mimoza Elezi ishte një e moshuar që i kishte kaluar të tetëdhjetat. Zonja nga Parga ishte e bija e Avdulla Kremidhës, nipi i njërit nga më të pasurit të Pargës, Ismail Kremidhës, me çifligje në fushën e Frarit, me plantacione me ullishte e agrume me portokalle, limona, qitro, me vreshta që shtriheshin në kodrat e Pargës e zbrisnin deri në afërsi të Bregdetit.

Zonja nga Parga quhej Hazine dhe kishte lindur në Adana. Ajo nuk e dinte asnjë fjalë shqip. Fliste rrjedhshëm greqisht, të cilën e praktikonte me të ëmën. Kur intervistuesja e pyeti se pse ishin larguar prindërit e saj nga Parga, e tregoi një episod tronditës që i kishte detyruar të merrnin rrugën e emigrimit për në Turqi: “Një vëlla i babait tim dhe nip i Ismail Kremidhës, kishte një vajzë shumë të bukur që kishin rënën në sevda gjithë djalëria e Pargës, myslimanë e të krishterë. Një ditë, një djalë i krishterë parganjot, që kishte mbështetje në administratën vendore, shkoi dhe i kërkoi babait të vajzës që t’i jepte të bijën për grua. I ati i vajzës e refuzoi kërkesën pa e fyer dhe pa e prekur në sedër. Djalit të krishterë i kishte mbetur në kokë dhe këmbëngulte që i ati t’ia jepte vajzën. Mosmarrëveshjet u ndezën dhe tonet u ngritën. I krishteri nxori thikën, ia nguli të atit dhe e la të vdekur në vend. I biri shkoi menjëherë për t’i ardhur në ndihmë të atit, por u godit edhe ai në pabesi dhe kështu babë e bir mbetën të vdekur në vend. I krishteri hyri në odat e shtëpisë, gjeti vajzën që qante me dënesë për gjëmën që kishte ndodhur, e rrëmbeu nga flokët vajzën dhe iku bashkë me çamen e bukur parganjote”.

Ismail Kremidha shkoi në portën e të krishterit për t’u ankuar e t’i kthehej mbesa e rrëmbyer, por u prit ftohtë nga oficeri grek, duke i thënë se i krishteri e kishte bërë aktin e vrasjes së babës e të birit, se ata kishin tentuar të vrisnin djalin e krishterë, ndërsa vajzën nuk e kishte grabitur, por ajo  kishte ikur me dëshirën e vet. Përgjigja që mori agai i Pargës i krijoi bindjen e plotë se për shqiptarët në Greqi nuk kishte as drejtësi, as siguri për jetën e nderin e tyre. Ismail Kremidha, në kulmin e dëshpërimit, mblodhi familjen e madhe dhe tha: “S’na mbetet gjë tjetër veçse të ikim nga Parga, nga halli dhe jo nga malli për të mbrojtur jetën dhe nderin”.

Zonja nga Parga, megjithëse kishte lindur në Turqi dhe nuk i kishte përjetuar vështirësitë, ajo rrëfente për sa kishte dëgjuar nga prindërit, se ata kur arritën në Turqi u përballën me skamje e varfëri. Për ta gjithçka ishte e huaj: edhe vendi, edhe gjuha, edhe njerëzit, edhe doket e zakonet etj. Ata ishin larg trojeve të Çamërisë, larg Pargës, larg njerëzve të dashur, bashkëqytetarëve të tyre parganjotë. Zonja Hazine Kremidha nuk lë pa përmendur se në ato ditë të vështira, qeveria Turke iu gjend pranë, megjithëse ajo ishte e sapodalë nga një luftë e përgjakshme greko-turke.

Vitet kalonin dhe familja çame Kremidha po integrohej dhe përparonte në Hataj Dortiol, por shpirtrat e pjesëtarëve të asaj familjeje ishin të trazuara. Ata mendonin për fatin e vajzës së grabitur nga i krishteri. Intervista e zonjës tetëdhjetë vjeçare nga Parga të emocion kur tregon: “Kur isha 60 vjeçare vendosa të nisesha për në Pargë me bindje e shpresë se do të takoja vajzën e familjes sime. Bukuria e qytetit të të parëve të mi, më pëlqeu shumë. Shëtita nëpër qytet dhe doja të mësoja ku ishte shtëpia e gjyshit tim, Ismail Kremidhës. Më në fund e mësova dhe shkova menjëherë, trokita në derë dhe një djalë doli e më pyeti: ‘Çfarë kërkoni’? Jam vajzë nga fisi i familjes Kremidha nga Parga. Kërkoj të takoj motrën time. Djali më tha se ishte i biri, por e ëma nuk ishte në gjendje të ngrihej, sepse ishte e sëmurë. Kur unë u drejtova për të hyrë brenda, ndërhyri djali tjetër i saj dhe nuk më lejoi të hyja e të takoja njeriun e dashur, për të cilën kisha ardhur enkas nga Turqia e largët”.

Hazineja e dëshpëruar shumë nga sjellja e keqe e njërit prej djemve të motrës, doli në qytet dhe hyri në një dyqan për të blerë ndonjë send, kujtim nga Parga. Në kohën kur zonja kalonte nëpër dyqan, shitësja iu afrua dhe i tha: “Zonjë mund t’ju ndihmoj”? “Jo, faleminderit”, iu përgjigj Hazineja me një greqishte të pastër. Shitësja e pyeti se nga ishte?

– Jam nga Parga brez pas brezi. Jam mbesa e Kremidhës, e keni dëgjuar këtë emër?

– Zonjë, dëshiroj t’u jap një dhuratë për nipërit e tu që keni në Turqi – tha shitësja.

– Faleminderit. Ju me sjelljen tuaj më dhatë një dhuratë të shtrenjtë.

Ajo doli nga dyqani, duke marrë me vete mirësjelljen dhe bujarinë e parganjotëve.

Parganjotja e mbyll intervistën e saj duke iu drejtuar bashkëqytetarëve parganjotë, në veçanti dhe çamëve në mërgim në përgjithësi, që të mos e harrojnë Pargën e bukur dhe magjike, të mos harrojnë Çamërinë. Atje ata kanë krahas pronave edhe shpirtin e të parëve të tyre.

Me këtë rast falënderojmë zonjën Mimoza Elezi për punën e jashtëzakonshme, që ka bërë, për t’u njohur familjet çame në Turqi, duke filmuar dhe intervistuar dhjetëra prej tyre.

Në trend Kultura

Më shumë
LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

Poezi
PAS VDEKJES SIME

PAS VDEKJES SIME

Poezi
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
“Dhoma e gjumit” e van Goghut

“Dhoma e gjumit” e van Goghut

Piktura
Çfarë është kultura?

Çfarë është kultura?

Kulture
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Kalo në kategori