LAJMI I FUNDIT:

Shkallë njëkrahëshe në lokalet e Prishtinës

Shkallë njëkrahëshe në lokalet e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka marr një vendim ku të gjitha shkallët e lokaleve afariste të vendosura në trotuare e të cilat gjenden në rrugët “Garibaldi”, “Perandori Justinian”, “Luan Haradinaj” dhe “Rexhep Luci” do të jenë njëkrahëshe dhe do të vendosen përgjatë murit të lokalit që i takojnë, njofton kumtesa komunale.

Të dhënat më të detajuara të dizajnit të shkallëve do të përcaktohen nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Krahu i shkallëve do të jetë me gjerësi 110 – 120 cm, me dimensione të shkelëses së paku B-29 cm për nga gjerësia dhe maksimalisht H-17 cm për nga lartësia.

Po ashtu, të gjitha panot reklamuese të vendosura në lokalet afariste që gjenden në rrugët e sipërpërmendura, do të kenë sipërfaqe maksimale 0.75 m2. Panot reklamuese duhet të jenë të vendosura në lartësi deri te konstruksioni mes-katësh, në mes të përdheses dhe katit të parë.


Panot reklamuese të lokaleve afariste që gjenden në katet e mësipërme do të vendosen në hyrje të objektit dhe do të jenë me dimensione 50×30 cm.

Vendimi për uniformimin e shkallëve dhe panove reklamuese në rrugët “Garibaldi”, “Perandori Justinian”, “Luan Haradinaj” dhe “Rexhep Luci” vjen si rezultat i ankesave të këmbësorëve si dhe problemeve që janë duke shkaktuar panot reklamuese. /Telegrafi/