LAJMI I FUNDIT:

S’frikësohemi nga bisedimet politike

Duke falënderuar organizatorët e Konferencës të 81-të Rose-Roth, për ftesën që mundësoi pranimin këtu të përfaqësuesve të Republikës së Kosovës, gjej rastin ta përshëndes publikimin nga Komisioni Evropian të Studimit të Fizibilitetit, që i hap rrugë Kosovës për ta nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA).

E veçova këtë fakt në nisje të fjalës time, sepse dëshmon për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe në vlerësimin zyrtar prej BE-së, të rolit të saj për stabilitetin në rajon.


Për të shfaqur ndonjë mendim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor mendoj se duhen mbajtur parasysh dy fakte të rëndësishme: Së pari, Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Ballkanit, i cili qysh në fillimet e shekullit XX është cilësuar botërisht “fuçi baruti”. Nuk mund të gjykoj sa e meritonte këtë cilësim Ballkani, por shkaku për fillimin e Luftës së Parë Botërore u gjet në një kryeqendër të gadishullit, në Sarajevë.

Sidoqoftë, edhe aktualisht Ballkani me pesë shtete anëtare të BE-së vazhdon të mbetet temë diskutimi e kësaj konference për stabilitetin. Ndodh një gjë e tillë sepse e “tëra” dhe “pjesa” nuk mund të indentifikohen dhe as mund t’i imponohen njëra-tjetrës.

Së dyti, Ballkani Perëndimor ka qenë dhe vazhdon të mbetet në hapësirë dhe në kohë emërtimi i vetëm në Evropë, ku pas Luftës së Dytë Botërore u rishfaqën luftërat e përgjakshme ndëretnike dhe gjenocidi. Shpërbërja e Jugosllavisë shënoi aktin e fundit dhe më domethënës që i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për t’i kushtuar më tepër vëmendje “stabilitetit” në rajonin tonë. E bëra këtë parashtrim për të cilësuar, madje edhe për të shmangur njëfarë paragjykimi e mentaliteti se destabiliteti në rajonin tonë është pasojë e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Ecuria e këtij raporti, që ka lënë mënjanë marrëdhëniet Serbi – Bosnjë dhe Serbi – Kroaci, është bërë objekt diskutimi në BE dhe OKB. Në këto instanca të larta botërore, folësit zyrtarë, përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës janë shfaqur antagonistë. Ky antagonizëm u shfaq, madje u demonstrua qartazi gjatë muajit shtator, veçanërisht në vlerësimin e dy ngjarjeve.

Së pari, në përfundimin e “pavarësisë së mbikëqyrur të Republikës së Kosovës” që shënoi zyrtarisht statusin e institucioneve të zgjedhura të shtetit më të ri në Evropë për të pasur autoritet të plotë për të vepruar pa pasur nevojën e aprovimit nga ndërkombëtarët. Ky stad në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës u vlerësua dhe u përshëndet nga komuniteti i shumicës demokratike të shteteve dhe të udhëheqësve më të lartë botërorë.

Njihen botërisht deklarimet, veprimet dhe qëndrimet e institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës. Por, dëshiroj të veçoj nga vlerësimi në unison i këtij akti si historik edhe cilësimin prej të gjithëve si sfidë normalizimi i situatës së komunitetit serb në veri, që është dhe mbetet në varësi të bisedimeve realiste mes Kosovës dhe Serbisë. Ngarkesat nacionaliste në këto bisedime, pavarësisht nivelit shtetëror të përfaqësimit e të garantuesve ndërkombëtarë, janë dhe me siguri do të jenë penguese, për të mos thënë të dëmshme.

Së dyti, shteti i Kosovës u ftua dhe u përfaqësua denjësisht në mbledhjen e shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Procedurat e takimeve të organizuara dhe deklarimet momentale në to dihen. Si do të jetë ecuria e raporteve Serbi – Kosovë? Ky është problem më delikat për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan Perëndimor. Një përgjigje për këtë kërkon një qëndrim të përcaktuar politik, ligjor dhe institucional, për ta përballuar trysninë nacionaliste, sidomos të ekstremistëve nacionalistë që janë dukuri të natyrshme e më të dukshme në Beograd, por dhe në Prishtinë.

Janë këto dy ngjarje ku raportet midis dy shteteve fqinj të Ballkanit Perëndimor bëhen objekt diskutimi dhe shkas pozicionimi bipolar të Evropës dhe Botës. Është problem më delikat dhe më i rëndësishmi për ruajtjen apo prishjen e stabilitetit në këtë pjesë të Ballkanit. Në përballje me këtë problem, që në fundshekullin që lamë pas nxiti dhe legalizoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Ballkan, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit vazhdojnë të mos jenë në një mëndje.
Serbia, “e dëmtuara” e vetme dhe e drejtpërdrejtë nga njohja botërore e pavarësisë së Kosovës, shfaqet në vazhdimësi, edhe pas ndryshimeve demokratike në pushtet, tepër armiqësore ndaj pavarësisë dhe njohjes së Kosovës shtet. Arsyet për këtë qëndrim mendoj se janë të ndryshme. Serbia, për arsye emocionale, përdor në favor të pretendimit të vet historinë, toponominë dhe betejën ballkanase të Gazimestanit. Jemi mbledhur dhe duhet të flasim për rruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Jemi pak shtete që diskutojmë për këtë çështje, por duke besuar se po shfaq edhe mendimin tuaj të pashpallur, shqetësimi imediat në rajonin tonë është ecuria e raporteve Serbi – Kosovë. Jam i bindur se gjithkush nga ju, por edhe tej mureve kufizuese të këtij samiti, është tejet i qartë se destabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ketë për burim shtetin e Kosovës. Në mbështetje të këtij përfundimi dua të vë në dukje një dukuri mijëravjeçare: iliro-shqiptarët historikisht nuk kanë kërcënuar dhe nuk kanë pushtuar kurrë fqinjët e vet. Dëshiroj, (dhe për këtë jam angazhuar) që Kosova të jetë shtet i pavarur, të jetë dhe të bëhet një subjekt dinjitoz e i barasvlefshëm në tërësinë e shteteve ballkanase, bashkëpunuese dhe mike e mirë edhe e Republikës së Serbisë, me të cilën, me hir apo me pahir, kemi edhe një shekull më tepër histori sesa me Shqipërinë shtet. Në mbyllje të kësaj fjale dëshiroj ta përmend e ta vlerësoj shqetësimin e shumicës dërrmuese të demokracive botërore për normalizimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë, nëpërmjet vazhdimit të dialogut, që propozohet e pritet të shënojë një fazë të re në këtë pjesë të Ballkanit në mes të fqinjëve.

Duke qenë dakord me vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, ku problematika teknike do të ndërthuret me atë politike, Kosova pret zbatimin e marrëveshjeve të arritura në fazën e parë të bisedimeve. Nuk u druhemi dhe ca më pak t’u shmangemi bisedimeve politike. Qëndrimet tona zyrtare janë përpunuar në konsultim të vazhdueshëm me përvojën historike të shteteve fqinjë në Evropë dhe në Ballkan. Fqinjët, kudo qofshin në hapësirë dhe në kohë, kanë pasur dhe kanë pretendime dhe pakënaqësi ndaj njeri-tjetrit.

Shekulli XX provoi dhe konfirmoi jo vetëm pajtimin, por edhe bashkëpunimin e shteteve dhe kombeve evropiane, në luftëra dhe konflikte shumëshekullore. Shekulli XXI vuri në provë popujt e Ballkanit Perëndimor. Përveç dëshirës, kam dhe bindjen që edhe situata aktuale shqetësuese mes dy shteteve do të zgjidhet me dialog, që do ta sigurojë stabilitetin në rajon dhe do të hapë rrugë mirëkuptimit dhe fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

Ju faleminderit!

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Kosovës. Këtë fjalim e ka mbajtur të mërkurën në Konferencën e 81-të Rose Roth me temën “Vendosja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe përmbushja e premtimit të integrimit euroatlantik”)