LAJMI I FUNDIT:

Sfida të sigurisë kombëtare

Duke e diskutuar renditjen e këtyre sfidave për sigurinë e vendit, një mik i imi nuk u pajtua, duke mohuar se relacionet ndërpartiake paraqesin sfidë më serioze se faktori serb.
Por, mik i nderuar- i thashë, derisa për mbrojtjen e kufijve të Kosovës ekziston një obligim ndërkombëtar i Aleancës më të madhe ushtarake të globit, kush do të na mbroj nga vetvetja?

Sfida 1


Relacionet e ashpërsuara PDK – AAK

Ashpërsimi i luftës politike, të manifestuar me deklarime të serta para mediave, me akuza reciproke për krim të organizuar, korrupsion dhe shumëçka tjetër ka filluar të i tejkaloj përmasat e një fushate parazgjedhore dhe po merr përmasat e paralajmërimit të një gjendjeje shqetësuese politike, shoqërore dhe të sigurisë në Kosovë e cila po i qet në brengë të gjithë dashamirësit e këtij vendi.

Përkundër retorikës standarde për demokracinë, orientimin perëndimor të Kosovës dhe qytetarinë, në deklaratat e këtyre subjekteve politike, pavarësisht nivelit akademik, apo përgjegjësisë politike të folësve, po zbrazen pasione, agresivitet, mosdurim, dhe frikshëm po paralajmërohet ngritja e një fronti të ri, të brendshëm, të armiqësisë i cili rrezikon që sërish të rikthehen pamjet ku aktivistët politik defilojnë nëpër ekrane dhe para masës me përcjellje të armatosur rëndë dhe me këmisha anti-plumb.

Në vitet e para të pasluftës, nëpër tubime politike apo në aktivitete tjera publike , aktivistët e një subjekti politik shkonin të shoqëruar me roje ndërkombëtare të armatosura deri në dhëmbë dhe të veshura me antiplumb. Kjo bëhej për shkak të pasigurisë që disa personalitete ndienin si anëtarë të një partie apo orientimi politik. Dhe ishte ironike, madje mund të thuhet lirisht, ishte sarkastike, se ushtarët dhe policët ndërkombëtarë mbronin shqiptarët nga shqiptarët, sepse shqiptarët kishin frikë nga shqiptarët.

Ndër personalitetet që shkonin me roje ndërkombëtare kishte edhe emra akademikësh, intelektualësh, aktivistësh të hershëm të lëvizjes politike e kombëtare, të cilët tërë jetën ishin përkushtuar, qoftë me krijime artistike, shkencore apo sakrifica të ndryshme, për lirinë e këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Ndër ta kishte edhe njerëz që kishin humbur krejt familjen në luftën e fundit . Situata të tilla e vinin seriozisht në pikëpyetje orientimin demokratik dhe civilizues të një pjese të subjekteve politike të vendit.

Shtendosja e relacioneve PDK-LDK

Në atë kohë, një grafit në rrugë pat ngjallur shumë emocione te kujdestarët e vlerave luftës, pas zgjedhjeve të para parlamentare. Dikush, i pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, kishte marrë të drejtën morale dhe kombëtare, dhe Kosovës ia kishte bërë haram gjakun e derdhur për lirinë e sajë. Gjakun e të tjerëve.

Acari ndihej frikshëm në damarët politik të vendit. Dikush nuk hezitonte edhe publikisht të i quaj njerëzit e këtij vendi “narod”, sepse nuk kishin votuar sipas dëshirës së gjysëmanalfabetve të cilët ngjallnin frikë me retorikën e tyre të revolucionit permanent dhe meritës së përjetshme, e cila sipas tyre duhej shpërblyer edhe me votë.

Kur, para 4-5 vitesh, autori i këtyre rreshtave angazhohej në takimet e PDK, për qasje tjetër , dhe fliste me tone pajtuese për LDK, dhe nevojën e tejkalimit të marrëdhënieve të acaruara me të, dhe kur kërkonte një ndjeshmëri më të madhe për angazhimet e shoqërisë civile, disa zyrtarë të lartë dhe militantë të ndryshëm krahinorë të përfaqësuar aty, acaroheshin aq shumë, sa nuk arrinin të përmbanin mllefin e tyre dhe nuk arrinin të fshihnin qëllimet e veta krejt të kontestueshme në raport me demokracinë , lirinë e individit dhe qytetarinë.

Koha e dëshmoi se, PDK dhe LDK-ja u detyruan që për hir të interesit nacional (dhe nën presionin ndërkombëtar) të hyjnë në një koalicion të domosdoshëm për shtet, i cili do të ishte i pamundur pa stabilitetin politik që u krijua; Koha e dëshmoi se zyrtarët më të lartë të PDK, sot, publikisht flasin me respekt të thellë për ish-Presidentin Rugova dhe angazhimet e tij prej burrështeti; Koha e dëshmoi se pjesa më e madhe e këshilltarëve të qeverisë aktuale, sidomos të kryeministrit Thaqi, janë ish-pjesëtar të shoqërisë civile, dhe se relaksimi i relacioneve PDK-LDK solli atë që i duhej shumë Kosovës, demokratizimin dhe stabilitetin e shoqërisë kosovare, së paku në planin ndërshqiptar.

Gjithashtu u dëshmua se mosndjeshmëria e revolucionarëve permanent për vlerat civilizuese të shoqërive perëndimore, u tejkaluar me angazhimin e një pjese të mirë të shoqërisë civile në proceset poltike të bërjes së shtetit dhe ndërtimit të demokracisë.

Fenomeni i njëjtë në paketim tjetër medial

Si duket, me të njëjtën urgjencë dhe me të njëjtën arsyeshmëri duhet shtendosur domosdo edhe relacioni PDK-AAK. Ngarkesa emocionale, që fshehë pas edhe interesa grupesh dhe aspak interes të Kosovës, po e vështirësojnë komunikimin normal pozitë-opozitë dhe funksionimin e shoqërisë demokratike.

Qarqe të caktuara, nga të dyja anët , për motive të njëjta, po e nxisin dhe po e ashpërsojnë retorikën në relacionet pozite-opozitë dhe po krijojnë parakushtet për krizë të institucioneve dhe eventualisht trazira të përmasave më të gjera në Kosovë.

Fatkeqësisht , tashmë i kemi dy anë, dhe ka tendencë të fuqishme që të krijohen blloqet e konfliktit , përkatësisht ndarja në “NE” dhe “ATA”, ndarja në të mirë dhe në të këqij.

Emocionet e dikurshme negative të formësuara në PDK, në kohën e koalicionit AAK ae pat lidhur më herët me LDK-në, u rritën dhe u forcuan dhe nuk u dobësuan as me kalimin e AAK në opozitë. Madje, me një inercion u shndërruan në një platformë për konfrontim, duke besuar se tashmë AAK ishte një forcë minore politike e cila për nga rëndësia politike ishte e katërta apo e pesta dhe se kjo nuk do të kishte pasoja në nivel nacional.

Kështu së paku duket se e vlerësuan analistët e partisë, duke ashpërsuar dhe bllokuar relacionet normale, së paku korrekte, me një parti , e cila ka përplot anëtarë të cilët dikur ishin edhe luftëtarë të shquar, pjesëtar të lëvizjeve atdhetare, qoftë legale apo ilegale.

Aspak nuk është e domosdoshme që PDK dhe AAK “të duhen” , por nuk duhet dhe nuk guxojnë të kenë marrëdhënie armiqësore, dhe kështu të sjellin sërish në shoqërinë tonë ndjenjën e pasigurisë dhe rrezikut për çdokënd që mendon ndryshe nga qeveria apo AAK-ja, dhe të sjellin sërish në skenë truprojet ndërkombëtare me antiplumb dhe pamjet e trishtueshme të një shoqërie jostabile dhe një qeverisjeje autoritare.

“Pafuqia” e AAK dhe fuqia e PDK

Fatkeqësisht analist sipërfaqësor e militant apo këshilltarë të sertë, shpesh nuk përdorin aspak gjuhë të kujdesshme në këtë drejtim dhe nuk marrin në konsideratë pasojat për shtetin dhe shoqërinë për të cilën të gjithë ne jemi përpjekur, secili me armën, mënyrën dhe mundësitë e tij, të bëjmë diçka të mirë.
Përpos interesave të mundshme të grupeve, kryesisht klandestine, nuk ka asnjë arsye tjetër të mundshme që do të shpjegonte armiqësinë e re publike në mes AAK dhe PDK e cila po merr përmasat e një fushate që mund të sjell deri te dezintegrimi i brendshëm i vendit.

Orientimi pro-perëndimor i dy partive, orientimi për shoqëri demokratike, orientimi për shtet, etj janë të përbashkëta dhe nuk e shpjegojnë as arsyetojnë krejt këtë energji negative që rrezaton në komunikimin mes këtyre subjekteve.

Përkundrazi, nëse vazhdon kështu , duke u vënë në pyetje interesi nacional, tërësia territoriale, integriteti dhe ruajtja e stabilitetit të vendit, këto dy subjekte do të detyrohen të përballen me presionet ndërkombëtare, të shoqërisë civile e madje edhe të vetë popullit për një ambient të sigurtë. Do të ketë edhe presione për një bashkëqeverisje dhe gjithsesi për një aleancë të përbashkëta për vlerat e përbashkëta që i deklarojnë publikisht.

Nëse nuk ndodhë kjo, dhe destabilizimi vazhdon, skenari i vetëm i mundshëm është ai i demilitarizimit të plotë , duke hequr nga skena politike të gjithë ata individ dhe subjekte që nuk besojnë në votën e lirë dhe në institucionet demokratike, por mbështeten në kallashnikov dhe retorikë luftënxitëse.

Në fazën që po hyjmë, pas shpalljes dhe procesit të konsolidimit e njohjes së shtetit të Kosovës, do të detyrohemi që të tejkalojmë konfrontimet ndër komunale, ndër regjionale dhe luftën e tyre për dominim, do të detyrohemi të qesim në diell të gjitha strukturat klandestine dhe të shkëpusim të gjitha ndikimet joformale dhe joligjore drejt institucioneve të vendit..

Sfida 2

Policia e brishtë kosovare dhe bombat e tymit

Kur një shtet dhe një pushtet, komunikimin me komunitete e mbështetet vetëm në polici,në fakt pranon pafuqinë e vet dhe mungesën e vizionit.

Dalja në skenë e policisë së Kosovës, duke shpërndarë tym lotësjellës mbi protestuesit e egërsuar serb, përkundër uniformave bashkëkohore dhe retorikës mediale të zëdhënsve të partive dhe të policisë, po fillojnë të sjellin efekte negative, duke u transmetuar nga mediat ndërkombëtare dhe duke u viktimizuar kështu rebelët serb në Kosovë, të cilët pastaj përpiqen t’i identifikojnë veten me tërë komunitetin serb. Dërgimi i pamjeve të tilla televizive, të cilat te ne përjetohen si angazhim i drejtë i policisë për ruajtjen e rendit, për rikthim në vatrat e të parëve, megjithatë në botë shikohet ndryshe.

Tregimi i muskujve ndaj minoriteteve , çfarëdo qoftë preteksti, nuk jep imazh të mirë për një vend dhe një popull i cili dikur trajtohej keq dhe për shpëtimin e të cilit nuk mjaftuan muskujt e vet, por u deshtë ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtarë.

Këto pamje po bëjnë të harrohet eksodi i shqiptarëve me 1999 dhe krijojnë një ndjeshmëri dhe një solidarizim të ri me viktimën e radhës , kësaj radhe serbët, të cilët nuk e pranojnë ende shtetin më të ri në botë dhe shprehen të kenë frikë nga ai.
E gjithë kjo përcillet me një propagandë të fuqishme serbe lidhur me të zhdukurit dhe krimet e supozuara ndaj civilëve serb.

E gjithë kjo detyrimisht do të ndikoi keq në imazhin e shtetit të ri, dhe përkundër përkrahjes do të ketë edhe shumë hezitime të cilat do të ngadalësojnë tempon e ndryshimeve dhe tempon e reformave të cilat do të na hapin rugën për integrime në BE, NATO etj.

Fushata policore në veri edhe pse flladitë zemrat e shumëkujt që ishte përndjekur dikur, vështruar nga aspekti i sigurisë rrezikojnë një konflikt përmasash të paparashikuara.
Shteti serb, së paku ekstremistët në ushtri , polici dhe në veçanti mafia serbe, duke parë se me këtë koniukturë dhe këtë proces që po rrjedh e ka humbur lojën, supozohet të kenë nxjerrë nga sirtari skenarin për destabilizimin e sërishëm të rajonit, duke luajtur në potencialin e tyre ushtarak, por tashmë gjoja në funksion të mbrojtjes së ekzistencës fizike.

Kur vlerësohet potenciali ushtarak serb , në njerëz dhe teknikë, i koncentruar përreth dhe në brendi të Kosovës, dhe kur merret parasysh brishtësia e vijës evropiane dhe demokratike në Serbi, lojërat me tym nuk duken të rekomandueshme tani për tani, sidomos tani kur disa fuqi që e mbështesin shtetësinë e Kosovës ndodhen në probleme të mëdha ekonomike, ushtarake e politike.

Sa kemi mësuar nga pushtimi serb dhe shkatërrimi i ish-YU?

E gjithë rrëmuja ballkanike filloi kur ekstremistët serb , në kuadër të ish-Lidhjes Komuniste , morën besimin e ideologëve të ASSHA të implemetojnë memorandumin e tyre famoz, për rikonstruktimin e Jugosllavisë në një Serbi të Madhe. Jugosllavia tashmë është shpërbërë, por programi i parealizuar nacional serb ende mbetet në qendër të shtetit serb dhe në kokat e elitës politike serbe , dhe ai ende është me ambicie hegjemoniste dhe me pretendime të dominoi Ballkanin. Serbia etnike edhe pse me kufij të reduktuar vazhdon të mbetet program shtetëror serb. Pansllavizmi është baza ideologjike e këtij programi.

Ideja e Kosovës është boshti emocional dhe ideologjik , i cili e rrotullon këtë retorikë e cila i mban serbët ende të bashkuar rreth idesë së Serbisë së Madhe sipas sloganit “Serbi është kudo që ka një varr serb”

Rezistenca serbe ndaj institucioneve të Kosovës, megjithëse në pamje të parë duket e pashpresë, është pjesë e pandarë e këtij plani dhe kësaj shprese për rilindjen dhe përtëritjen e fuqisë serbe ne regjion.

Konfrontimi luftarak me këtë “pakicë” e cila mbështetet ushtarakisht nga armata serbe, e cila brenda kufijve të Kosovës, nga qarqe diplomatike, vlerësohet të ketë diçka më pak se 10.000 ushtarë, të trajnuar dhe të pajisur me armatim të sofistikuar, ndërkohë që në mbështetje të tyre rreth kufijve të Kosovës dhe në funksion të sajë, nga analistët vlerësohet të jenë edhe së paku 20.000 trupa tjera të ushtrisë së rregullt, sisteme raketore dhe teknikë tjetër luftarake, në këtë moment duket të jetë i paarsyeshëm dhe i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në regjion.

Këto forca mund të emërohen si të ia do qejfi , nga ndonjë gazetari, apo politikan që synon vota apo publicitet, por në fakt ato paraqesin një ushtri të rregullt e cila vepron në territorin e një shteti fqinjë dhe se tërë organizimi i brendshëm politik, ekonomik dhe i sigurisë nëpër “enklava” paraqet pjesë të zgjatur të prezencës reale të shtetit serb në Kosovë. Në mes të zgjedhjes të pranohet ekzistimi i shtetit serb në Kosovë dhe luftës për largimin e këtyre strukturave nga Kosova, faktori ndërkombëtarë , për momentin e ka parë të nevojshme të mos e trajtoj këtë si një çështje ekzistuese dhe të mbështesë më tej proceset ekzistuese të shtetndërtimit në Kosovë

Shpallja, ndërtimi dhe njohja e shtetit të Kosovës e krijojnë bazën ligjore, politike dhe pragmatike për të çmontuar strukturat paralele serbe në Kosovë, duke e bindur gjithë se në Kosovë funksionon vetëm shteti ligjor i cili kujdeset për interesat e të gjithë qytetarve të Kosovës dhe se nuk ekziston asnjë arsye reale për shqetësim të fqinjëve.

Acarimi i mëtejmë dhe i panevojshëm i relacioneve me komunitetin serb, do të ngjallte shpresat e elitës ushtarake serbe , anti – reformë se gjërat do të rrëshqasin sërish nga terreni politik dhe ekonomik, në atë ushtarak dhe kështu do të rikthehet në skenë më e fuqishme se kurrë.

Lëvizjet regjionale të shqiptarëve, për një bashkim jashta proceseve evropiane të integrimeve, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni, apo Serbi të cilat janë ende të pranishme, nën këto rrethana, rrezikojnë sërish një zjarr të madh dhe nuk kanë mbështetje serioze në konjukturat ndërkombëtare.. Pasojat e këtij zjarri do të ishin, ndarja e Maqedonisë, ndarja e Kosovës, ndarja e Bosnjës dhe kjo në fakt paraqet ëndrrën e ekstremistëve serb dhe sponsorëve të tyre rus.

Europa dhe Amerika e duan një faktor shqiptar të cilit vazhdimisht po i hapen rrugët e zhvillimit dhe integrimit, por nuk e sponzorojnë një lëvizje e cila do të prishte konjukturën e ndërtuar deri më tash, me kaq shumë viktima dhe shpenzime. Në fakt, konjukturat ndërkombëtare i shkojnë për shtati të gjitha proceseve që e fuqizojnë faktorin shqiptar në regjion, por jo edhe organizimet joformale të natyrës ushtarake.

Sa kemi mësuar nga lëvizja jonë për liri?

Mësimet nga lëvizja paqësore dhe luftarake e Kosovës, mund të jenë të dobishme edhe sot . Nuk mjafton vetëm të ndajmë dekorata apo të organizojmë përkujtime.

Që nga viti 1990 shqiptarët patën shpallë refuzimin e institucioneve serbe dhe patën krijuar lëvizje politike legale , edhe pse vazhdonte të ekzistonte fuqishëm lëvizja ilegale e cila me hap të shpejtuar po përgatitej për luftë. Kjo lëvizje ilegale, vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit, nuk ishte shuar asnjëherë që nga pushtimi serb më 1913, vetëm kishte ndërruar formë sipas koniukturës dhe situatës.

Pushteti diktatorial i Millosheviqit , me pak kukulla politike kosovare përpiqej të legjitimonte pushtetin e vet, ndërkohë që shpërndante dhunshëm demonstruesit me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Kur nuk arrinte t’i kontrollonte protestat nuk hezitonte edhe të hapte zjarr, të burgoste, të vriste. Kjo gjendje tymi dhe zjarri u tolerua 9 vite nga regjimi nacist i Millosheviqit, derisa Serbia, përkatësisht udhëheqësit e sajë dritëshkurtër dhe kriminel, i kuptuan gabimisht sinjalet ndërkombëtare dhe vendosën t’i hyjnë spastrimit etnik të Kosovës.

Ky ishte fillimi i fundit të këtij regjimi kriminel dhe këtu nisë rreshtimi i mbarë botës demokratike përkrah popullit të Kosovës , duke e kuptuar dhimbjen tonë dhe duke e kuptuar si të domosdoshme kërkesën tonë për liri. Edhe pse po luftonim gati 100 vite, vetëm atëherë ndërgjegjja globale reagoi në mbrojtje të një populli, i cili po bënte një luftë me sakrifica të mëdha.

Politika ndaj minoriteteve

Politika kosovare, e pasluftës dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë ka pasur ngritjet dhe rëniet e sajë në raport me minoritetet. Ngjarjet e marsit 2004 dëshmuan se nën rrogozin e qetësisë , ekziston një potencial shpërthyes që rrezikon konflikte përmasash të mëdha. Ekzistimi i ideve shtetmëdha e rrjedhimisht edhe strukturave ushtarake në funksion të tyre, mungesa e traditës demokratike dhe interesat e përziera ndërkombëtare kur kombinohen keq, sjellin situata të tilla dramatike.

Pas shpalljes së pavarësisë , pushteti kosovar ka pasur një qasje kryesisht të matur ndaj minoriteti serb, përkundër provokimeve të vazhdueshme dhe refuzimit të vazhdueshëm të serbëve të njohin shtetin e ri dhe institucionet e reja.
Edhe kundërshtarët e kryeministri Thaqi, e kanë të vështirë të mohojnë se ai vazhdimisht e ka shtrirë dorën e pajtimit në drejtim të qytetarëve serb të Kosovës, se ka bërë dhe po bënë përpjekje në këtë drejtim . Ai ka komunikuar shumë intensivisht me ta dhe ka bërë lëvizje qëllimmira në drejtim të tyre. Edhe pse rezultatet nuk kanë qenë shumë të mira, ai ka vazhduar , me një këmbëngulje serioze në këto përpjekje dhe kam përshtypjen e mirë se këtë nuk është duke e bërë vetëm për të ua bërë qefin ndërkombëtarëve , por me një synim të sinqertë për integrimin e vërtetë të serbëve në shoqërinë kosovare.

Loja me kukulla politike, nuk e legjitimon shtetin tonë të ri, dhe do të duhej të vazhdohet të komunikohet me durimi për të vjelë rezultate. Zyrtarët paguhen nga buxheti i shtetit për durimin dhe përkushtimin e tyre ndaj interesave vitale të vendit të cilat mbrohen me kushtetutë. Prandaj duhet të bisedohet me durim, me përkushtim, me përfaqësuesit e serbëve, cilët do të jenë ata që kanë besimin e tyre , sado të vështirë qofshin ata, sado të pa gatshëm të jenë për kompromise.

Bisedimet, qofshin edhe me decenie janë më të mira se një luftë e re me serbët që do të sillte viktima të reja. Ato duhet të zhvillohen me këdo të cilin serbët e Kosovës e delegojnë. Në fakt, proceset që po rrjedhin në Serbi, nëse ekstremistët humbin teren, atëherë as serbët nuk do të jenë të interesuar për konflikte dhe mund të pritet një gatishmëri më e madhe për bisedime rreth pakicave andej dhe këndej vijës së brishtë kufitare në mes dy shteteve tona, sepse definitivisht asnjë shtet evropian nuk do të ruaj më me armë kufijt e tij.

Përpjekjet duhet të zhvillohen në drejtim të dëgjimit të kërkesave , cilat do qofshin ato, pa paragjykuar asgjë dhe zhvillimit të bisedimeve, me apo pa ndërmjetësim ndërkombëtarë, megjithëse nuk besoj të ketë bisedime serioze pa ndërmjetësim ndërkombëtar.

Diçka si përfundim

Relacionet ndërpartiake, skajshmërish të ashpërsuara mes partive me identifikim regjional dhe relacionet ndëretnike të karakterizuara me refuzim të institucionesh dhe me sfondin përcjellës të mbushurme tym lotsjellës që po e shpërndanë Policia e Kosovës mbi protestuesit e nacionalitetit serb , pa u lëshuar në arsyshmërinë e tyre, vetvetiu paraqesin sfidat kryesore dhe më serioze të sigurisë së brendshme kombëtare të Kosovës.
Fushata policore në veri edhe pse flladitë zemrat e shumëkujt që ishte përndjekur dikur, apo banorëve të pafat që nuk mund të qasen në shtëpitë dhe pronat e tyre, vështruar nga aspekti i sigurisë rrezikojnë një konflikt përmasash të paparashikuara.

Shteti serb, së paku ekstremistët në ushtri , polici dhe në veçanti mafia serbe, duke parë se me këtë koniukturë dhe këtë proces që po rrjedh e ka humbur lojën, supozohet të kenë nxjerrë nga sirtari skenarin për destabilizimin e sërishëm të rajonit duke luajtur në potencialin e tyre ushtarak, por tashmë gjoja në funksion të mbrojtjes së ekzistencës fizike

Duke e diskutuar renditjen e këtyre sfidave për sigurinë e vendit, një mik i imi shprehu dyshim në arsyeshmërinë e kësaj renditjeje, duke mos u pajtuar se relacionet ndërpartiake paraqesin sfidë më serioze se faktori serb.

Por, derisa për mbrojtjen e kufijve të Kosovës ekziston një obligim ndërkombëtar i Aleancës më të madhe ushtarake të globit, kush do të na mbroj nga vetvetja – i thash?

Në trend

Më shumë
Pamjet tregojnë ‘Old Trafford’ drejt shkatërrimit  – Ronaldo kishte të drejtë kur foli për kushtet e klubit

Pamjet tregojnë ‘Old Trafford’ drejt shkatërrimit – Ronaldo kishte të drejtë kur foli për kushtet e klubit

Premier League
Gjatë luftës në Kosovë, nana e ktheu fëmijën që po qante drejt kamerës e i tha: Bija e nanës tregoji botës se çka po na bëjnë!

Gjatë luftës në Kosovë, nana e ktheu fëmijën që po qante drejt kamerës e i tha: Bija e nanës tregoji botës se çka po na bëjnë!

Lajme
Wayne Rooney zbulon skandalin e lojtarëve të Man United - nëse vërtetohet do ketë pasoja

Wayne Rooney zbulon skandalin e lojtarëve të Man United - nëse vërtetohet do ketë pasoja

Premier League
Ish-ylli i Liverpoolit zbulon trajnerin e ardhshëm të Man United – thotë se ia tregoi një lojtar aktual i tyre

Ish-ylli i Liverpoolit zbulon trajnerin e ardhshëm të Man United – thotë se ia tregoi një lojtar aktual i tyre

Premier League
Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Evropa

"Do të jem tifozi më i madh i Tottenhamit ndonjëherë" - Kai Havertz me deklaratë sensacionale pas fitores së Arsenalit ndaj Man united

Premier League
Kalo në kategori