LAJMI I FUNDIT:

Serbia, në vend të kërkimfaljes, flet për kufij të rinj

Çdo ndryshim i kufijve në Ballkan do të thotë lufte e re.

Në vend që t’u kërkojë falje të gjithë atyre njerëzve të cilëve u shkaktoi aq shumë trauma e dhembje, Serbia ende godet njerëz të gjallë e të vdekur; shqiptarë, boshnjakë, serbë e të tjerë, pa përjashtim. Sa duket, ministrit serb të punëve të brendshme i duhen ende viktima, refugjatë e të pastrehë. Atij sa duket nuk i bëjnë përshtypje mijëra të zhdukur që ende nuk u dihet varri as nishani. As përkatësia e cilës do viktimë nuk ka rëndësi për të. Këtë duhet t’ua thonë politikanëve të tyre edhe vetë qytetarët serbë, kudo që jetojnë ata. Ballkani nuk ka nevojë për dhembje të reja. Vendet dhe popujt e këtij rajoni kanë nevojë për lëvizje të lirë dhe integrime e jo për ndarje.


Struktura etnike e vetë Evropës dëshmon se çdo lëvizje e kufijve ka shkaktuar dhembje të mëdha tek popujt e këtij kontinenti. Edhe sot, sa herë flitet për ndryshim kufijsh, kjo ide shkakton trauma të reja tek njerëzit që kanë pësuar nga mosmarrëveshjet shekullore. Ideja për një Evrope të bashkuar, që nga lansimi i saj është shfaqur si fije shprese për të gjithë ata popuj që i shkatërroi vizatimi i kufijve të rinj.

Në asnjë rast, ata që kanë folur për kufij të rinj, as që janë marrë me dhembjet që iu kanë shkaktuar njerëzve, pa përjashtim etnie. Çdo vizatim i vijave të reja kufitare ka shkaktuar plagë të reja tek të gjithë ata njerëz të cilët në çfarëdo mënyre janë prekur nga hullia ndarëse.

Në Ballkan, fantazmat e krimeve ende shëtisin pa u dënuar, ndërsa flitet për ndarje të reja. Të gjithë atyre që sot flasim për do farë këmbimesh të territoreve, duket se u mungon ideja më elementare për pasojat, e në anën tjetër, po ata, flasin për integrime. Është mirë që, së paku faktori ndërkombëtar, këto far pazaresh me territore i ka hedhur poshtë.

Nuk befasojnë deklaratat serbe për ndarje të reja, as fushatat e medieve serbe, por befasojnë mjafte shkrime e opinione shqiptare për mundësi të korrigjimit të kufijve. Këto janë më shumë produkt i atyre që nuk kanë dalë asnjëherë përtej Prishtine, e lë më t’i kenë parë për se afërmi gjithë ato vise ku jetojnë sot shqiptaret.

Serbia, në shekullin e kaluar, u ka diktuar fqinjëve se deri ku shtrihet pushteti i saj. Deri vonë, vendet që vendosnin për kufijtë e këtyre viseve, në ë shumtën e rasteve kishin përpara hartat e vizatuara nga Serbia dhe asnjëherë nuk kanë marrë parasysh faktet e popujve të tjerë, pasi ato nuk ishin shtruar asnjëherë në tavolinat e fuqive vendimmarrëse
të kohës. Disa politikan serb i kanë harruar hartat e fundit që vizatuan në Kroaci, pastaj në Bosnje e së fundi edhe në Kosovë.

Miliona njerëz mbajnë mend krijesën “SAO Kraina”, ndarjen aktuale të BeH, që është produkt i pastrimit etnik, dhe se fundi, Beogradi flet për ndarje të Kosovës. Se ç’farë hartash kanë në kokë politikanët serb, as ata vetë nuk e dinë.

Kosova nuk guxon të bjerë pre e shkollës serbe të pazareve me territore dhe vizatime hartash, megjithëse, për fat të keq, dikush me apo pa vetëdije vazhdon t’i bëjë reklamë asaj politike në Ballkan. Kur flasin politikanët serbë për ndarje territoresh, përafërsisht dihet se çka mendojnë, por kjo nuk dihet se për këmbim të cilave territore flasin disa shqiptarë.

Shtypi serb i cili përherë ka veprua si pararojë e politikës së Beogradit, këto dite vërshoi me shkrime për ndarje të Kosovës. Në anën tjetër, Serbia, 100 vjet ia doli ta bind botën se ajo që quhet Jugosllavi ishte Serbi dhe anasjelltas.

Kisha ortodokse serbe ende vizaton harta

Kisha ortodokse serbe po vazhdon të tallet me shtetin e Malit të Zi, Bosnjën as që e llogaritë shtet, dihet si flet për Kosovën, ndërsa është në konflikt të hapur edhe me Maqedoninë. Në hartat e kishës serbe, edhe kryeqytetin e Bullgarisë-Sofje mund ta gjeni brenda kufijve të Serbisë. Edhe në kufijtë e tashëm, Serbia realisht ende është tepër e madhe. Brenda territorit aktual, ajo ka edhe shumë pakica etnike numerikisht të mëdha, të cilat gjithsesi do të duhej të kenë trajtim më demokratik politik e ligjor. Vojvodina dihet mirë se si përfundoi, mirëpo fati i Luginës se Preshevës dhe i Sanxhakut duhet të zgjidhet më mirë.

Kosova filloi të shkëputet nga kthetrat e Serbisë vetëm pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës se vitit 1974 kur iu njoh statusi i elementit konstituiv të federatës Jugosllave. Megjithëse ish RSFJ kishe ambasador në pothuaj të gjitha vendet e botës e po ashtu të gjitha ato vende kishin ambasador në Beograd, të huajt vonë kuptuan realitetin ngase çdo informacion dilte nga kryeqyteti jugosllav.

Vetëm demonstratat shqiptare te vitit 1981 shpërthyen muret e bllokadës se informacionit. Studiuesit e historisë tani kanë mundësi qe në arkivat e vendeve të ndryshme, sot në kohën e internetit të shohin historinë e vërtetë të hartave serbe, të cilat shumë herë edhe me dorë të lirë i kishte vizatuar KOS-i.

Në secilin rast, varësisht se cili shtet i ka vizatuar ato harta, shihet se kush dhe ç’farë kufijsh njihte për vete apo për shtetet fqinje. Nëse dikush i referohet arkivave serbe të cilat ekskluzivisht kane qenë pronë e kishës ortodokse, atëherë ka për të parë vetëm territore serbe në pjesën më të madhe të Ballkanit.

Megjithëse Ankaraja ka dokumente të bollshme ku dëshmohet organizimi administrativ i territorit të pushtuar nga Turqia në Ballkan, deri tash, historiografia shqiptare nuk ka pasur mundësi reale të demantoje gënjeshtrat serbe dhe shtrembërimin e tmerrshëm te historisë, në dëm të shqiptarëve.

Sa i përket organizimit të brendshëm, kisha serbe e cila ishte vet përfaqësues shtetëror, duke njohur mirë strukturën e popullatës në Ballkan caktonte vet organizimin territorial. Kështu, territoret e pushtuara shqiptare dikur iu kishin ndarë tri banovinave sllave. Po ato harta, në mungesë të informacioneve relevante, fuqitë e mëdha të kohës i kanë pranuar si reale, pa e njohur gjendjen në terren.

Diplomati amerikan Hollbruk jo një here kishte deklaruar se nuk ia fal vetes për së gjalli gabimin që bëri duke lënë të shkruar emrin e Republika Serpskes, e cila siç dihet doli si produkt i gjenocidit dhe e cila vazhdon ta mbaj peng çdo ide për funksionalizimin e shtetit të BeH.

Secili qe sot flet pa kompetencë dhe njohuri për vizatim kufijsh dhe që nuk e ka prekur realitetin në terren, vetëm shkakton dhembje të reja tek njerëzit e atyre trojeve pa përjashtim të përkatësisë etnike. Koha e vizatimit të kufijve të rinj qoftë e mbaruar.