LAJMI I FUNDIT:

Serbia dhe “tregtia” e organeve njerëzore

Kohëve të fundit shumë zëra qarkullojnë se gjatë luftës së popullit të Kosovës për mbijetesë në trojet e veta shekullore, ka pasur kinse edhe “tregti të organeve njerëzore”. Kjo propagandë bëhet me qëllim të barazimit të viktimës (Kosovës) me xhelatin (Serbinë). Kjo e fundit, pra Serbia, në çdo mënyrë është munduar ta zhbëjë popullin shqiptar në Kosovë, përkatësisht në Ballkan. Serbia edhe më tutje mundohet që me instrumente fiktive të shpikë çdo gjë që është e mundur në dëm të shqiptarëve, mundohet me çdo kusht t’i krijojë probleme Kosovës, por nuk e di se një ditë të gjitha këto do t’i kthehen si bumerang.

Së fundi kemi edhe akuza të rënda që kanë të bëjnë me tregtinë e organeve që kinse është zhvilluar në një “shtëpi të verdhë”, që në fakt ajo shtëpi as ngjyrën nuk e ka të verdhë. Autoritetet serbe, përkatësisht prokuroria serbe, i ka dhënë 400 dosje që kanë të bëjnë me këtë, kështu që mund të themi se raporti i Dick Marty-t është i bazuar kryesisht në to. Të pohosh pa fakte se në trupat e dikujt që tanimë mund t’i gjenden vetëm eshtrat, i janë marrë organet, është një gjë që nuk mund të dëshmohet, pasi që dihet se të gjitha organet e trupit e njeriut treten pasi që njeriu të vdes – dhe nuk mund të pohohet nëse është hequr ndonjë organ apo jo. Kjo ofron një amulli mendimesh që as filozofët më të mëdhenj nuk arrijnë ta zgjidhin kështu që të gjitha faktet e ofruara nga prokuroria serbe duhet të merren të pavërteta, pasi që fund e krye thjeshtë janë trillime të përpiluara nga qarqet e ndryshme serbe, duke filluar nga Akademia famëkeqe e tyre deri te qeveria e tyre.

Në bazë të kësaj themi se të gjitha akuzat që janë bërë nga Dick Marty nuk mund të provohen të jenë të sakta, kësaj i kontribuon edhe pamundësia e të ofruarit të dëshmitarëve, mos cekja e emrave përgjegjës për këtë gjëra të “bëra” në trojet shqiptare, e shumë trillime të tjera që kontribuojnë në mosrealizimin e akuzës tejet abstrakte që i drejtohet tërë popullit shqiptarë. Kjo punë i bie tamam si të shkruhej diç në akull tani e pas gjashtë muajsh të merret e të lihet në dritën e diellit për tu parë më mirë, por akulli dhe rrezet e diellit nuk kanë marrëdhënie të mira, kështu që akuzat e shkruara në të do të avullohen.