LAJMI I FUNDIT:

Sejdi Berisha i dhuron 120 libra Bibliotekës në Podujevë

Sejdi Berisha i dhuron 120 libra Bibliotekës në Podujevë

Biblioteka e komunës së Podujevës të premten është pasuruar edhe me 120 libra, përkatësisht 12 tituj të ri të cilat i dhuroi vet autori i tyre Sejdi Berisha, poet që jeton dhe vepron në Pejë.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Nexhmi Balaj e falënderoi donatorin për këtë kontribut që e bëri ai në baza vullnetare.

Sejdi Berisha është një poet i mirënjohur kosovar. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës. Berisha deri më tani i ka 26 vepra të botuara me poezi, ese, prozë, dramë, monografi etj.

Zyrtarët e Bibliotekës së Qytetit u shprehën falënderues për këtë donator, si dhe për donatorët e mëparshëm, duke shpresuar se edhe më tej do të ketë bamirës të tillë që e ndihmojnë kulturën, duke e pasuruar fondin e Bibliotekës së qytetit.


Siç dihet gjatë luftës së fundit në Kosovë Biblioteka e Qytetit ishte djegur dhe shkatërruar plotësisht. Po ashtu edhe buxheti për kulturë është ende i kufizuar për shkak të rrethanave dhe nevojave aktuale. Prandaj donacionet e tilla janë shumë të mirëseardhura për bibliotekat tona. /Telegrafi/