LAJMI I FUNDIT:

Sa i more mëditjet?

Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale në përgjithësi kërkon angazhime në bashkëpunim ndërkombëtar dhe njëra prej formave të bashkëpunimit mbetën konferencat e karakterit ndërkombëtar ose vizita studimore në institucione përkatës publike ose private, me qëllim të përvetësimit të praktikave dhe përvojave më të mira që do të mund të shërbenin në avancimin e shërbimeve për grupet e caktuara qeveritare ose qytetare.

Është shume e zakonshme që pjesëmarrja në konferenca ka për qëllim: Informimin për zhvillimet në fushën e caktuar; prezantimin e hulumtimeve dhe pranimin e reagimeve për të njëjtën; për të publikuar vlerësimet në publikimet e konferencës dhe për të takuar dhe njoftuar të tjerët që punojnë në të njëjtën fushë.


Derisa në Kosovë në pjesën më të madhe pjesëmarrja në konferenca ka për qellim përpos krijimit të albumeve të fotove për publikim në profilet e Facebookut, gjithashtu qëllimi kryesor mbetet realizimi i mëditjeve dhe eventualisht vizita ndonjë të afërmi në të kapërcyer.

Sa janë shfrytëzuar këto konferenca për publikime të hulumtimeve nga Kosova për cilëndo fushë? Nuk besoj se do të jetë punë e vështirë, ngase janë shumë të pakta. Ose, le të bëhet një analizë se sa është numri i vizitave studimore dhe numri i pjesëmarrësve nga Kosova dhe të krahasohen me shpenzimet e krijuara për realizmin e këtyre vizitave në relacion me përfitimet eventuale? Rezultati do të jetë më parë i favorshëm për atë që njihet si “turizëm akademik” se sa për përfitime institucionale ose publike.

Jo rrallë ndodhë që në biseda me përfaqësues të institucioneve publike të dëgjohen komente lidhur me të ardhurat e tyre, si “paguhem 400 euro por gjithashtu marr edhe beneficione tjera si mëditje nga vizita jashtë që në fund bajagi mirë dal”! Ky është perceptimi real, sot, nga shumica e atyre që gëzojnë këtë përfitim në emër të taksapaguesve kosovarë.

Ku është llogaridhënia e atyre që shfrytëzojnë këto privilegje apo cili është arsyetimi i institucioneve për të deleguar cilindo prej tyre në këto vizita studimore apo konferenca? Epo më e shpeshta është: “Nipçe e di që e ke vëllain në Gjermani ose boll i kam dërguar këta të tjerët. Tani e ke radhën ti se moti nuk je kanë kërkund”! Pastaj, disa shtyjnë biletën kthyese për një ose dy ditë që të mund t’i vizitojnë të afërmit që i kanë në atë shtet e që si kanë parë moti.

Me kaq fatkeqësisht përfundon llogaridhënia. Në fakt gabohem, sepse përfundon me bërjen kopje të pasaportës për të dëshmuar vulën hyrëse dhe dalëse, sepse i lypin këta të Auditorit të Çërgjithshëm dhe nuk bën pa i pasë në dosje!?