LAJMI I FUNDIT:

“Rrobaqepësit” e hartës dhe parlamenti si teatër kukullash

Kosova me flamur. Nuk dihet ende kush e çepi i pari. Bile si simbolikë, nuk dihet saktësisht pse ai ka 6 yje, meqë në pjesën hyrëse të Kushtetutës nuk është saktësuar komuniteti shumicë dhe pakicë. Ende nuk po dihet a duhet tash flamurit t’i shtohet edhe një yll, ngase si duket Kosova do të "rilindë" edhe me një komunitet, atë malazias. Nuk u qartësua as laramania shumëngjyrëshe dhe domethënia e tyre. Zaten, parlamentarët e devotshëm dhe të gjithëdijshëm e ngjyrosën flamurin me dygishtërinjët e tyre për "hatër" të Evropës, sipas yrnekut të saj. Ndërsa, Evropa për hatër të Serbisë e la Kosovën dhe shqiptarët jashtë dyerve të saj.

Kosova është edhe me himn. Ka qenë vështirë të gjenden fjalët, ngase edhe ashtu shqiptarët janë bë pikë e pesë: nuk po dinë cilën gjuhë zyrtare komunikimi ta zgjedhin – shqip, arnautçe, kosovarr, kosovometohiste… Akoma po merren hulumtuesit e rinj, "newbornsit", me përpilimin e abetares së re. Jemi në pritje të sihariqeve të reja që do të na i servojnë analistët me pedigre, për vitin 2012…


Si duket optimizmi i madh i "kosovarëve" në shtetin e të "drejtës universale" do t’i detyrojë përfundimisht të bëjnë edhe një transaksion "etnik" – amendament shtesë, këmbim për ambasadë. Si duket malaziasit e kanë përnjëmend: nëse kosovarët e duan ambasadën në Podgoricë, ata duhet të plotësojnë kushtetutën me amendament shtesë: rrudhjen e territorit të Kosovës dhe pranim edhe të një komuniteti – malazias. Priti në të ardhmen edhe kombet e reja.

Ligji mbi shtetësinë ka përzënë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Edhe të luginave tjera shqiptare. Ndërsa, do t’i "kurorëzojë" të tjerët për tri vjet me shtetësi. Do të kemi dhëndurë e nuse të reja, për bereqet. Dhe, themi: ja, kjo është pavarësia, kështu do të shpreheshin përkrahësit e devotshëm të dokumentit Ahtiaari, të dokumentit 14 pikësh të trojkës ndërkombëtare, të Traktatit të Miqësisë me Serbinë, të bisedimeve "teknike" për dekompozim sovraniteti territorial… Do të presim edhe shumë sihariqe të reja, por jo për premtimet për të cilat paguhen deputetët dhe për të cilat kanë marrë votën në zgjedhjet parlamentare.

Askush nuk konteston faktin se Kosova është ndarë ligjërisht nga Serbia. Nuk kontestohet asnjë nga faktet që janë të depozituara në dokumentin e Ahtisaarit. Por, është shumë e pakuptueshme që nuk po dëgjohen zërat tjerë që mendojnë pak më ndryshe. Dhe, ata, "nganjëherë" konsiderohen si "armiq të brendshëm", apo jo?

Duhet të shprehen haptas parlamentarët për këto tema të nxehta. Nuk duhet lejuar edhe më që shoqëria kosovare të mbyllet "hermetikisht" , ngase secili ka të drejtë të mendojë dhe të shprehë mendimin. Pra, duhet t’u jepet hapësirë mediale edhe atyre që janë për zgjedhje të reja, apo zgjidhje funksionale të shtetit, të shoqëruara me propozim masash dhe operacionalizim kohor të tyre.

Të dëgjohen argumente të reja. Pse shprehet një nervozë e pamatur te ata që shohin bardhzi dhe ua imponojnë mendimin të tjerëve. Nuk di me çfarë kandari masin njerëzit mendimet dhe sigurisht më me dëshirë ua vënë debatuesve shenjat dalluese "ne dhe ata" (secila parti që garon veç e veç).

Tash që do ta "shartojnë" edhe dokumentin Aahtisasri, nuk lodhen aq shumë, ngase sipas agjendës janë imponuar e lansuar koalicione lojaliteti si prioritet. Por, edhe tash bile, shumë më fuqishëm duhet të deklarohen parlamentarët për këto rrjedha, e jo për rritje rrogash, e ndërtesa të bukura. Pastaj, për Parlamentin e "emëruar" teatër kukullash (këtë të dytën e shtova unë).

Shpejt po harrohet se sa domethënëse do të jenë dialogu "teknik" 2012, kjo do të varet ashtu siç vendosin "rrobaqepësitë" e hartës së Kosovës.

Nuk harrohet aq shpejt vrapimi aq i zhurmshëm i përkrahësve të dokumentit "profetik" që "nuk kishte" të meta dhe çdo pikë dhe presje ishte atraktive dhe shumë domethënëse, ngaqë kompromisi ndaj kërkesave serbe ishte pavarësia dhe sovraniteti i cili tash fare pak përmendet. Kanë thënë më herët se nuk do të ketë kompromis dhe se në çdo cep të Kosovës do të shtrihet sovraniteti kushtetues etj. Ne u besonim fjalëve të tyre, por ata demantuan veten. Por, fjalët kanë mbetur të shënuara: ato nuk avullohen, edhe pse për momentin mund të harrohen.

Mirë, ne që nuk kuptojmë ç’është marrëveshja dhe ç’është Kushtetuta, mund të konsultojmë literaturën, dhe do të kuptojmë se akti më i lartë juridik i shtetit është Kushtetuta. Pajtohemi apo jo? Sigurisht që po. Dhe, shteti pa flamur nuk bënë. Mirë, por Kosova kishte Kushtetutë kur ishte krahinë e ish federalizmit jugosllav; kishte edhe flamurin që valonte në ndërtesat shtetërore pas vitit ’74: valonte flamuri shqiptar me yll. Të njëjtin e kishte shteti zyrtar i Republikës së Shqipërisë. D.m.th. Kosova kishte flamurin shqiptar dhe flamuj të tjerë, kishte edhe Kushtetutën, por nuk ishte republikë. Tash që është republikë-shtet, a dihen saktësisht kufijtë e shtrirjes dhe deri ku e ka sovranitetin e mbuluar? Apo është shtet me territor të okupuar? Dhe, cili ishte ataku i parë i Serbisë në fund të viteve të ‘80-ta, por edhe tash, më 2012? Ishte dhe është ataku kushtetues. D.m.th. ndryshimi i amendamenteve kushtetuese. Pra, edhe tash bëhet i njëjti atak dhe shumë aktivistë të deridjeshëm të diskutimit për ndryshim të amendamenteve mbajnë edhe sot pozita. Por, edhe shumë nga ata deputetë e njerëz që u rrahën, u burgosën, të gjithë janë bashkë dhe të gjithë së bashku pajtohen për rritje rrogash! Dhe të gjithë ata që menduan ndryshe, por edhe shumë sish që edhe sot mendojnë ndryshe si Lëvizja "Vetëvendosja", apo Organizata "Çohu", po përbuzen.

Sot, kur kujtesa dhe skepticizmi na mbajnë në ethe, na rikujton programin jugosllav të rikthimit të serbëve dhe malazezëve në Kosovë. Tash ka filluar t’i hiqet pluhuri dhe po nxirret nga sirtarët përsëri. Nuk janë këto kohë të largëta dhe mbamendja nuk tradhton. Mundeni të riktheheni dhe të kërkoni në kompjuterët tuaj ngjarje nga ajo kohë. Dhe, nuk është ndonjë ndryshim të theksuar të programit të atëhershëm të kthimit të serbëve në Kosovë me atë të sotmin.

Nuk e konteston askush detyrën e pushtetarëve që t’i kthejnë qytetarët në pronat e tyre. Por, kush do ta bëjë këtë? Nuk mundet qeveria e Kosovës assesi, ngase ajo nuk ka kapacitete të mjaftueshme, e as autoritet. Do ta bëjnë këtë kryetarët e enklavave serbe: tash komuna me autorizime të veçanta!

Si do të bëhet bashkëpunimi në mes të komunave dhe pushtetit qendror dhe cili flamur valon në ato komuna? Nuk ka mëdyshje se Kosova po ndahet në dy entitete dhe se enklavat serbe po marrin primesat e autonomisë së zgjeruar. Kosova nuk ka fe zyrtare, por… kisha serbe ka fituar atribute të pushtetit real, të drejtën e qeverisjes dhe financimit me pronën, e shkëputur nga Kosova institucionalisht, pa kurrfarë lidhjesh institucionale.

Shumë shpejt është harruar historia. Le të konsultohet pak literatura dhe do të kuptohet se shtetin serb e ka ngritë kisha serbe. Nga aty edhe buron shtetësia serbe. Duhet të kuptojnë edhe këta pushtetarë të sotëm, por edhe kujdestarët këtij shteti se shteti ka formë dhe forma zyrtarizon shtetin.