LAJMI I FUNDIT:

Rritet prodhimi industrial në Eurozonë

Rritet prodhimi industrial në Eurozonë

Prodhimi industrial në të 19 vendet e Eurozonës gjatë muajit korrik është rritur mbi pritshmëritë, si pasojë e vëllimit më të madh të energjisë, dhe mallrave të konsumit apo atyre kapitale.

Në terma mujorë, prodhimi industrial në Eurozonë është rritur me 0.6 për qind gjatë muajit korrik, ndërsa në terma vjetorë, rritja fiksohet pranë 1.9 për qind. Projeksionet ndërkohë, flisnin për një rritje prej 0.3 dhe 0.6 për qind, respektivisht. Eurostat ka rishikuar pozitivisht edhe të dhënat që i referohen muajit Qershor, duke zbutur tkurrjen nga 0.4 për qind në vlerësimin e mëparshëm, në një rënie prej 0.3 për qind.

Performanca pozitive e muajit korrik udhëhiqet nga rritja e prodhimit të energjisë me 3 për qind, si dhe vëllimi më i madh i mallrave kapitale me 1.3 për qind. Gjatë javës së kaluar, të dhënat që i referoheshin shteteve individuale, flisnin për një performancë të kënaqshme në këtë të drejtim të Spanjës dhe Italisë, por edhe për një zhgënjim të Francës.


Vendet të cilat sapo kanë dalë nga një recesion i gjatë, tashmë po përballen me ritme të shpejta të rritjes në industri, ndërkohë që vendet e tjera, si Gjermania apo Franca, që janë njëkohësisht edhe dy ekonomitë më të mëdha të rajonit, vazhdojnë të prodhojnë shifra modeste. /Telegrafi/