LAJMI I FUNDIT:

Riciklimi i ideologjisë komuniste

Më kujtohet kur dëgjoja Radio Tiranën, emisionin për shqiptarët jashtë Atdheut, i cili pos detyrës nacionale bënte propagandë zyrtare mbi ideologjinë komuniste. Ishin kohëra këto kur nuk kishte internet dhe radioja ishte mjeti më i popullarizuar i komunikimit, posaçërisht me shtetet sikurse ishte Shqipëria e izoluar komuniste.

Sigurisht, roli i kësaj radioje ishte shumë pozitiv në kontekst historik, sepse mbante gjallë frymën kombëtare dhe ngjallte idealizëm te shumë shqiptarë. Por, derisa nën këtë Diell s`kishte asgjë të përkryer, edhe kjo radio i kishte anët saja të këqija, e në këtë rast ishte ideologjia komuniste e modelit shqiptar që propagandonte dhe të krijonte bindjen se rridhte mjaltë nga të katër anët.


Ndër xhevahiret e shumta që dëgjonim nga kjo radio, do të përmendi një nga to. Për fillim, dua t’ju rikujtoj atë se ideologjia zyrtare e PKSH-së (Partia Komuniste Shqiptare) kishte deklaruar që “edhe barë do të hamë”, por kurrë s`do t`i dorëzohemi imperializmit amerikan dhe revizionizmit aus. Ishte kjo skemë tragjike e të menduarit. Kjo nga bindja e komunistëve se ishin në rrugën e duhur dhe gjithë bota ishte gabim. Shqiptarët brenda shtetit shqiptar u vunë në rrezik që ta praktikonin këtë eksperiment makabër ideologjiko-social, ngase pothuaj s`kishin çfarë të hanin.

Koncepti ideor i barabarësisë sociale mes njerëzve, i cili është identifikuar me këtë ideologji globale (komunizmin pra), sot e kësaj dite nuk mendoj s’e paraqet diç të keqe, bile e konsideroj se është humanizëm. Por, varfëria vinte nga kolapsi ekonomik si rrjedhojë e forcave të dobëta prodhuese dhe këmbyese të shtetit komunist, e krejt kjo nga mendimi jo adekuat mbi botën dhe realitetin.

Komunizmi si ide nuk e nënkuptonte këtë, bile ai pretendonte të kundërtën, d.m.th një bollëk social, si material ashtu dhe superstrukturorë. Edhe ideja e komunizmit ishte tradhtuar tmerrësisht, dhe kjo ndihej edhe nga vet elita politike.

Në këtë jermi ideologjike shqiptare, pata dëgjuar konstatimin dëshpërues se ”edhe nëse e gjithë bota do ta tradhtojë komunizmin, Shqipëria me shokun Enver kurrë s’do ta bëjë këtë dhe do të jetë pishtar i socializmit në botë”. Ishte kjo një rrugë më e keqja e komunikimit politik dhe ideologjik me realitetin.

Ndoshta parafrazimi i im nuk është krejtësisht i saktë në aspektin literal, por gjithsesi se është i saktë në aspektin kuptimorë dhe kontekstual. Të them të drejtën, edhe si nxënës i shkollës fillore nuk e kisha të vështirë të konkludoja të kundërtën, ngase nuk kishte Shqipëria asnjë gjasë që të ishte pararojë dhe flamurtare e Komunizmit. Vogëlsia gjeografike e shtetit shqiptarë në harta sugjeronte qartas këtë pafuqi për një pretendim të këtillë, si argumentim më i keq.

Kam bindjen se një model i ngjashëm, në mos edhe i njëjtë, i të menduarit dhe komunikuarit publik, sikurse i komunistëve, sikur po riciklohet edhe në diskurset aktuale publike të shumë shqiptarëve. Është ky një lloj identifikimi me agresorin. Gatishmëri për të shkuar deri në fund, vetëm e vetëm për të treguar se jemi myslimanë, të krishterë apo demokratë par excellence. Reflektojmë sikur e kemi gjetur esencën tyre, e në të vërtetë të tillë nuk ka fare. Aspak kriticizëm dhe përgjegjësi, gjë e cila vjen nga bindja se e njohim të vërteten, e kjo shpie në dogmatizëm dhe lajthitje. Një dezorientim lidhur me funksionimin pural.

Shtrohet pyetja: sa jemi të gatshëm të eksperimentojmë ne me shoqërinë kur dihet se eksperimenti në shoqëri nuk lejohet? Pse synojmë të shkëlqejmë në megaprojekte kur në mikroprojekte vazhdimisht dështojmë? Pse merakosemi për aspekte ekologjike botërore, kur rrugët dhe lumenjtë tanë janë tepër të papastër me këtë pak industri që kemi.

Ky model i të menduarit, të cilën së paku mund ta quaj megaloman, por edhe injorant, bile komik, më duket manifestohet tragjikisht ngjashëm me atë të ideologjisë komuniste. Nëse tani nevoja për mbrojtjen e komunizmit nuk është opsion, kjo kompensohet me projekte tjera identifikuese.

Shqiptarët tani sikur kanë guximin që të marrin përsipër mbrojtjen e islamit, krishterimit apo edhe demokracisë, pa kujtuar se pesha e tyre, në kontekst botëror, është tejet minore, bile aspak i vërejtshëm. Sikurse i komunistëve shqiptarë.

Ngjashëm, sikurse ideologjia enveriste, edhe apologjetët aktualë shqiptarë të këtij apo atij sistemi, religjioz apo ideologjik, veprojnë parcialisht, ndërsa kinse mendojnë jo vetëm globalisht, por edhe universalisht. Thuaja se Shqipëria dhe Kosova janë jo vetëm qendra e botës, por edhe e tërë universit, e jo vetëm një pjesë e imtë e saj.

Racionalizimi i duhur kujtoj që është të pranuarit e faktit, se ne jemi vetëm një fragment, bile mjaft i parëndësishëm i një bote të madhe dhe shumë dinamike. Me keqardhje them se ne shqiptarët do të duhet prapë të zhgënjehemi keq, sikurse komunistët shqiptarë, nga pretendimet e këtilla jo adekuate dhe jo proporcionale që i projektojnë vetes. Sikur në atë rrëfimin për bretkosën e cila kishte dashur të mbathë patkoin.

Vërtetë duhet ta e kuptojmë se jemi të vegjël dhe duhet t’i mbulojmë këmbët sa e kemi jorganin. Inercionet e skemave të të menduarit nga e kaluara, dëshpëruese natyrisht, nuk duhet lejuar të vazhdojnë të riciklohen në modelet e të menduarit aktual, aq më pak kur kjo shkon drejt gatishmërisë për martirizim për idealizma sociale dhe fetare të cilat, thënë të drejtën, nuk varen aspak nga shqiptarët. Dhe, besoni se kjo mund të bëhet duke qenë mysliman i mirë, i krishterë i mirë dhe demokrat i mirë. Në të kundërtën, do të dëshmojmë se jemi pasardhës të denjë të qasjes së të menduarit militant nga komunistët shqiptarë, prandaj edhe gabimet do të jenë proporcionale.