LAJMI I FUNDIT:

Revolucionariteti në letërsi dhe krijimtaria provokative

Revolucionariteti në letërsi dhe krijimtaria provokative
Samuel Beckett

– Një vështrim mbi jetën, konceptet filozofike dhe artistike të dramës së Beketit [Samuel Beckett], “Duke pritur Godonë”

Nga: Haqif Mulliqi

Godoja si shndërrim në një lëvizjeve të rëndësishme të dramës avangarde


Jeta dhe vepra e Samuel Beket, në mënyrë të vazhdueshme është një si burim i inspirimit, por edhe i shqyrtimit të krijimtarisë dhe poetikës së tij nga autorë të ndryshëm në gjithë globin. Janë të panumërta faqet e literaturës kritike për krijimtarinë e tij, por edhe për frymën revolucionare i që solli në letërsi si dhe krijimtarinë provokative të këtij krijuesi gjigant të shekullit njëzet. Megjithatë, ndonjëherë është mbase i mjaftueshëm vetëm një shikim i përciptë që të vihet re se për Beketin është vështirë të shkruhet ndryshe përveçse në mënyrën beketiane. Çfarëdo tentative tjetërfare, apo i të lexuarit përmes burimeve filozofiko – letrare ,të këtij autori, rrjedhat kulturore, detajet biografike, simbolet e identifikueshme, citatet apo edhe referencave tjera intertekstore, do të jenë vetëm një nga të vërtetat e mundshme për të, një mundësi fine, një epifani e këndshme, konkluzion i volitshëm në një hulumtim, ese i mirë, por, shumë, shumë rrallë më shumë se kaq. Ngase, si përmes një magjie të pashpjegueshme, vepra e Beketit vazhdimisht i shmanget diskrecionit, analizave apo klasifikimit.

Samuel Beket u bë i famshëm dhe i pranueshëm në botën e teatrit, dramës dhe të letërsisë, më shumë me dramën e tij Duke pritur Godonë se sa me cilëndo vepër tjetër që ka shkruar. Kjo vepër, dhe disa të tjera të shkruara në këtë frymë këtë autor e vë në qendër të krijuesve të dramës dhe teatrit të absurdit, e që, në fakt, falë edhe Samuel Beket u shndërrua në një prej lëvizjeve më të rëndësishme të dramës avangarde, në veçanti pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Sikundër edhe e thamë diku kur po flisnim për rriten dhe zhvillimin e teatrit të absurdit, kjo lëvizje letrare dhe dramatike, në veçanti me prurjet që i solli ndërmjet viteve 1950 dhe 1960 të shekullit njëzet, krijoi një lloj revolucioni të dramës, jo vetëm asaj angleze, apo edhe frënge (meqë fillimisht u krijua në Francë), por edhe në dramën dhe teatrin botëror. Mendojmë se është e rendit që këtu t’i përmendim edhe emra të tjerë shumë të rëndësishëm të kësaj fryme revolucionare në krijimin e një forme kaq me ndikim në letërsi, dramë dhe teatër, e ndër të cilët sigurisht vijnë Eugen Jonesko, Artur Adamovi, Zherar Zheneti, Eduard Olbi, Fernando Arrabali, Ginter Grasi, Harold Pinteri, Vacllav Haveli, dhe të tjerë, veprat e të cilëve, në fakt erdhën si shprehje e përvojave të tyre personale, të cilat, sikundër Albert Kamyja që i ndërton dhe zbërthen konceptet e absurdit në përgjithësi, në esenë e tij brilant: Miti i Sizifit. Kështu, përvojat dhe ndjesitë intime të këtyre autorëve ishin burime qendrore të inspirimit të tyre për krijimin e tablove teatrore dhe fotografive inetersante që shprehnin gjendjen e shpirtit dhe të mendjes krijuese. Të perceptuarit e absurdit si një motivacion letraro – krijues, është elementi kryesor që këta autorë i ndërlidhi brenda një fryme krijuese, një vargan të artistëve letrar si dhe të filozofëve, e që, tek S. Beketi e hasim, veçanërisht në katër veprat e tija: Fundi i lojës; Ditët e gëzuara, Krapp, Kaseta e fundit dhe Duke pritur Godonë.

Në këto vepra dramatike, Beket përpiqet që t’ia prezantojë lexuesit katër pamje të njëjta si dhe ta parashikojë në të njëjtën kohë: fatalitetin befasues të ndjenjave jetësore të njeriut. Njëllojshëm, mbase, sikur një piktor i ndjeshëm i cili vizionet e tija do t’i shndërrojë në pika me lloj-lloj ngjyrash, edhe Beketi e transformon mendjen e tij në gjuhë simbolike të ndonjë situate imagjinatave jetësore.

Veprat e S. Beketit janë pjesë të shkruara, thuaja se për t’u vënë në skenat e një teatri shumëdimensional, me pamjet të cilat e ndërlidhin artin letrar me vizualitetin, me ç’rast, përmes formave të shfaqjes, neve na ofrojnë dhe na japin prova mbi përvojat personale të vetë autorit. Dhe, pikërisht mbi këtë rrafsh, siç e thotë edhe kritiku i njohur i dramë dhe teatrit, amerikanin Riçard Gillman në studimet e tija, fiksioni, gjithandej, të jep ide dhe lidhje mbi pikën kryesore të vrojtimit në një vepër dramatike, duke të ofruar dialogë dhe monologë me një rend tjetërfare, e që, më pas do të njihej edhe si: fjalët e fundit të paemrit.[1] “Duhet të vazhdosh, unë nuk mund të vazhdoj, unë do të vazhdoj”.[2]

Bashkimi në qarkun e intelektualëve të bashkuar rreth Xheims Xhojsit

Samuel Beket lindi në Foksrok, një paralagje të Dublinit, në Irlandë. Dublini është qyteti i lindjes të shumë emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, duke përfshirë këtu: Xheims Xhojs (1882–1941), Samuel Beket (1906–1989), Oskar Uaild (1854–1900), Uilliam Batler Jets (1865–1939), Xhonatan Svift (1667–1745), Bram Stoker (1847–1912), Xhorxh Bernard Shou (1856–1950) dhe ndonjë tjetër. Dita e lindjes së tij, më 13 prill të këtij viti, ishte si një argument i mjaftueshëm që, nga shkaku se kjo ditë quhet E premtja e madhe, ngase me po këtë datë besohet se ka lindur Jezu Krishti, të sjellë, nga adhuruesit e tij, gjithandej, gati, gati, një si simbolikë mistike që ndërlidhet qoftë me jetën apo edhe krijimtarinë, në veçanti pjesa që ka të bëjë me teorinë se njëri nga hajdutët që u gozhduan në kryq bashkë me të u shpëtua, ndërsa i dyti ishte një i mallkuar dhe për këtë nuk u ruajt, e që, në fakt krijuan ato motive, me të cilat Samuel Beket u mor, në forma të ndryshme gjatë tërë krijimtarisë së tij.

VLADIMIRI: Ah, po, dy hajdutët. A të kujtohet ky tregim?
ESTRAGONI: Jo.
VLADIMIRI: A dëshiron ta rrëfej?
ESTRAGONI: Nuk dua.
VLADIMIRI: Të na kalkojë koha. (Pauzë) Dy hajdutë, të gozhduar në të njëjtën kohë kur edhe Shpëtimtari ynë.
ESTRAGONI: Çfarë i yni?
VLADIMIRI: Shpëtimtari ynë. Dy hajdutët. Njëri, thonë se shpëtoi, ndërsa i dyti… ishte i mallkuar.
ESTRAGONI: Nga çfarë i shpëtuar?
VLADIMIRI: Ferri.
ESTRAGONI: Unë po shkoj.
(Nuk lëvizë.)[3]

Samueli ishte fëmija i dytë i Uiliam Frenk Beketit dhe Marija Beketit. Në moshë 17 vjeçare e regjistroi Trinity College ku ishte një prej studentëve më të shkëlqyer të tij. Po ashtu u shqua edhe në sport, me ç’rast i fitoi një numër të madh të medaljeve, në veçanti në ragbi, në kriket, në boks, në golf dhe në tenis. Për këtë, mbase kishte ndikuar edhe fakti se, familja e tij e kishte në pronësi një shtëpi të madhe, me një kopsht po ashtu shumë të madh si dhe me një fushë të tenisit. Shtegu i vrapimit, stacioni i trenave si dhe ambienti i përgjithshëm që e rrethonte pronën e tyre, sigurisht se, në periudhat e mëvonshme do të luaj një rol, jo vetëm në fizikun e tij prej atleti, por edhe në veprat e këtij autori.

Pasi që i përfundoi studimet në Trinity College, të nivelit baçellor, ai e mori ftesën që të angazhohet si lektor i gjuhës angleze në Paris, në Ecole Normale Superieure, kur ishte vetëm 22 vjeç. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në jetën e tij, ngase, ndër të tjerat, Beket do të bëhet pjesë e qarkut të intelektualëve të bashkuar rreth bashkëvendësit të tij, Xheims Xhojsit. Në udhëtimin e tij drejt Francës, Samuel Beket, fillimisht udhëtoi për në Gjermani që, ta shfrytëzojë rastin për ta vizituar hallën e tij, Frances Beket Sinkler e cila, me bashkëshortin e saj dhe fëmijët jetonte në Kasell. Ai aty do të përballet me mënyrën e jetesës së artistëve bohem në botën e tyre të veçantë artistike. Me këtë rast, Samuel Beket do ta “marrë” imagjinatën e vetë në duar, dhe me një lloj inspirimi të fituar në këtë rast, vendosi që mënyrën e jetës së tij ta liberalizojë maksimalisht. Me këtë rast, Beket do të bjerë në dashuri me njërën prej vajzave të Sinklerëve të Kasellit, Pegin. Mirëpo, familja e Pegit e kundërshtoi këtë lidhje nga shkaku se ishte fjala për kushërinj shumë të afërm dhe një lidhje e tillë ishte e palejueshme.[4] Pas kësaj, Pegi do të shkojë në Vjen për të ndjekur studimet në shkollën e muzikës dhe të vallëzimit, por, në moshën 18 ajo do të sëmuret nga tuberkulozi, për t’u shuar vetëm dy vjet më pas, në moshën 18 vjeçare, në Gjermani. Nuk do mend se Pegi ishte dashuria e parë se Samuel Beketit, ndaj dhe fuqishëm besohet se ajo ishte vizioni i shkrimtarit për vajzat syjeshile të cilat, jo rrallë shfaqen në veprat e S. Beketit.

Irlandezët e rënë në Paris

Samuel Beket arrin në Paris, në qytetin ku, më se 26 vjet para tij do të vinte Xheims Xhojsi, me shpresë së do të fitojë dhe përfitojë nga hapësira e madhe kulturore dhe artistike e kryeqytetit francez. S. Beket, në Paris, me këshillën dhe rekomandimin e poetit, Tomas Mek Grivi, shumë shpejt do të kishte rastin që të njihet me Xhojsin me ç’rast Samuel Beket do të impresionohet nga vepra letrare e tij, dhe do të ulet që ta shkruaj një ese për të dhe veprën aq të madhe dhe aq mbresëlënëse për irlandezin e ri në Paris. Bile, Beket nuk do të hezitojë që Xhojsin, madje publikisht ta konsiderojë baba artistik të vetin. Dhe, pasi që ta paçamurit e Xhojsit ishte dobësuar aq shumë aq sa shkrimtari më nuk mund as të shihte e as të shkruante, Beketi nuk hezitoi që ta ndihmonte, për çfarë, shumë shpejt, në Paris nisi të konsiderohej si sekretar i tij. Ndërsa, dy vjet më pas, Beketi do ta botojë edhe një ese tjetër mbi Prustin, për çfarë, besojmë se u krijua arsyeja që të konsiderohej si prustian.[5] Por, ndikim në formimin e tij si shkrimtar, nuk do mend kishte në veçanti Xhojsi. Sa i përket ndikimit, Beketi nga vetja e ka dhënë atë që, larg çdo dyshimi, është mirënjohja e tij për borxhin që ka karshi Xhojsit, paçka se qëllimet e tyre artistike kanë dallueshmëri esenciale.[6]

Në Paris Beketi, gjithashtu nisi të mësojë dhe të eksplorojë në filozofi, duke u marrë seriozisht me studimin e Artur Shopenhauerit, Rene Dekartit, mësimet për të cilin do të dërgojë” tek Arnold Geulincx dhe okazionalizmi. Ndërsa kthimin në Dublin Beketi do të bëjë në vitin 1930. Në janar ai, pasi që në vendlindje do t’i kalojë katër semestra akademikë duke punuar si lektor tek Trinity College, do të japë dorëheqje duke e braktisur mësimdhënien. Mendohet se arsye për këtë ishte një depresion i thellë në të cilin ishte futur shkrimtari i madh në atdhe. Siç ishte shprehur në më shumë rast, në Dublin i mungonte liria personale të cilën e kishte gjetur në Paris gjatë qëndrimit atje. Kështu, me rekomandimin e mjekut Beketi fillimisht do të shkojë për në Gjermani, ndërsa, së andejmi do të riktheje në Paris. Në kryeqytetin francez ka jetuar në hotel ndërsa shumë shpejt e kuptoi se duhej të punonte për të fituar para që të mund ta vazhdonte qëndrimin aty. Si pasoj e kësaj, Beket nisi të shkruante poezi, tregime dhe një roman.

Në vitin 1933, siç dihet, në Gjermani, pushteti ra në duart e Adolf Hitlerit. Në këtë periudhë Beketi ndodhej në Dublin. Kjo ishte periudha e fillimit të thyerjes mentale të Samuel Beketit. Në këtë periudhë edhe babai i S. Beketit do të përjetoj një goditje të fuqishme në zemër, rast të cilin shkrimtari gjithashtu e përjetoi rëndë. E tërë kjo situatë e krijuar dhe e cila e rëndonte psikikisht shkrimtarin, ndikuan që ky t’i përvishet punës dhe në mënyrë intensive të krijojë letërsi. Ndërsa, fill pas fillimit të luftës, Beketi u kthye në Paris që të bashkohej me miqtë e tij. Gjatë luftës Gestapoja e zbuloi aktivitetin e Beketit si dhe lidhjet e tija me Lëvizjen franceze të Rezistencës. Shi për këtë, ai u detyrua ta braktiste Parisin dhe të kërkonte strehë në Rousillon bashkë me bashkudhëtaren dhe miken e tij Suzan Deshevau Dumesnil. Aty, në jug të Francës e ka kaluar një periudhë të gjatë kohore, gjatë luftës. Gjatë kohës kur me miken e tij po fshiheshin nga nazistët ai e shkroi romanin Vat (1942-1944), vepër kjo e cila konsiderohet një si urë lidhëse e rëndësishme në krijimtarinë e Samuel Beketit, para dhe pas luftës,[7] dhe ku, bazat e temave beketiane mbi tëhuajsimin do të dalin fuqishëm mbi sipërfaqe.

Botimi i trilogjisë romaneske: Moloi, Molone vdes, i pa pagëzuar

Pas luftës, Samuel Beket do të kthehet sërish në Irlandë që t’i qëndronte pranë nënës së tij. Maria Beket, e ëma e shkrimtarit, në atë kohë po vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme – parkinsoni. Beketi, si “çunak” i devotshëm dhe i përkushtuar për prindin është kujdesur për të. Beketi behet i njohur si shkrimtar ne fillim e viteve pesëdhjeta me trilogjinë romaneske të shkruar në frëngjisht: Moloi, Molone vdes, i pa pagëzuar, ku vihet re shkatërrimi i skemave te rrëfimit klasik. Të njëjtën punë rrënuese ndërmerr ai edhe në teatër, po kësaj here më me sukses e në mënyre më rrënjësore, me inskenimin e dramës së tij shumë të njohur “Duke pritur Godonë”. me këtë rast Beketi bëhet autor i njohur i modernizmit duke vazhduar me botimin e një serie veprash të suksesshme për teatër të cilat, përjetësisht do ta ndryshojnë historinë e teatrit, jo vetëm evropian, por edhe atij botëror. Me këtë rast Beketi do ta fitojë statusin e shkrimtarit të madh, apo edhe, nga më të mëdhenjtë e epokës të ciline jetoi dhe në të cilën krijoi, ndërsa emri i tij përmendet si prijës i të ashtuquajturit teatër i absurdit

Siç doli, Beketit të shkruarit e dramës i dha mundësi të reja për t’u shprehur dhe për t’i shpalosur idetë e tija. Bile, në vitin 1972, ky autor do ta pranojë publikisht atë se si dhe përse ka filluar të shkruaj tekste dramatike: “Kam vendosur që t’i kthehesha vetes sime, dhe shkrimi i dramave ka ndikuar që të më lironte, atëbotë nga depresioni i tmerrshëm, ndërsa proza që e krijoja në atë kohë ishte shumë kërkuese, shumë e tmerrshme, ndaj dhe kam besuar se të krijuarit për teatër ishte një lloj diversioni ndaj gjendjes në të cilën ndodhesha.”[8]

Në vitit 1948, në një garsoniere të Parisit Samuel Beket, i cili tashmë kishte mbushur 42 vjet, nisi të punonte në dramën e tij të dytë, Duke pritur Godonë, apo edhe më saktë, në veprën e tij të parë të cilën do të lejonte që ta botonin dhe ta inskenonin. Dhe edhe pse mund ta paramendoni edhe vetëm si një shkrimtar apo një rast i veçantë, ai në fakt nuk ishte aq i veçantë sa të hiqnim dorë nga stili i përgjithshëm i të shkruarit apo edhe të na influencojë me anë të zgjedhjeve të zhanrit apo mediumit të tij.[9]

Vepra e pa dritën, së pari një vit pas, pra më 1949 dhe ishte e shkruar në frëngjisht. Vepra, gjithashtu, me një shpejtësi të pabesueshme, jo vetëm që u shtri nëpër Evropë, por kaloi edhe përtej Atlantikut, kështu që u vlerësua si vepra më origjinale dhe më me ndikim në dramën e shekullit njëzet. Përkthimin e parë në anglisht e ka përkthyer vetë Beketi dhe u botua më Nju Jork nga B. Roseti, duke i siguruar autorit popullaritet shumë të madh në ShBA.

Drama Duke pritur Godonë u inskenua për të parën herë në vitin 1953 në Theatre de Babylone në Paris. Premiera shkaktoi një lloj suksesi dhe skandali të menjëhershëm tek publiku[10]. Mbase e tërë situata e pazakonshme ndikoi që shfaqja të ketë shikueshmëri të madhe paçka se reaksionet e kundërta për të nuk pushonin dot. Beketi përfitoi shumë, ngase u shkruan një numër i jashtëzakonshme për të dhe dramën e tij. Në një mënyrë apo tjetrën, tek drama Duke pritur Godonë S. Beket përmblodhi vizionet dhe forcën krijuese të Alfred Zharisë, të Antuan Artosë dhe të Luigji Pirandellos. Nëse deklaratën e Zharisë se akëcili njeri është në gjendje që nga jeta e tij ta sajojë këngën mbi jokoherencën dhe naivitetin dhe nëse këtë thënie do ta kuptonim fjalëpërfjalshëm, atëherë drama Duke pritur Godonë e vërteton pohimin në fjalë.[11] Gjithashtu, nëse veprës së Pirandellos i është nevojitur një zë më depërtues, Godoja del të jetë klithma e zhgënjimit njerëzor. Dhe, nëse, hulumtimi i Artos për gjuhën e cila ka ngecur në gjysmë të rrugës ndërmjet gjestit dhe mendimit, atëherë Beketi me Godonë, sigurisht se e ka vazhduar këtë hulumtim dhe e ka realizuar qëllimin.[12]

E thamë se drama Duke pritur Godonë është drama e dytë e S. Beket, ngase sprova e parë e tij në dramaturgji kishte ndodhur dy vjet para Godosë…, ku Beket e shkroi dramën e tij të parë Elutheria e që ishte një krijimtari e papërshkrueshme, apo një pjesë e arrirë me një kastë të madhe karakteresh në të cilën shihet se ka punuar me përkushtim autori duke aplikuar një metodologji eksperimentale të krijimtarisë dhe të cilën vepër ai e kishte mbajtur, atëbotë vetëm për veten e tij. Mund të themi gjithashtu se Beketi e ka kthyer teatrin në medium për relaksim shpirtëror nga proza rigoroze të cilës i ishte përkushtuar dikur. Drama është një mundësi tjetër për t’u shprehur mendon Beket. Poende, ngjashëm sikurse tek Pirandellos, dramat e të cilit vijnë nga e njëjta atmosferë intelektuale dhe metafizike, sikurse edhe fiksioni në të cilin zënë mbështetje dramat e tija, Beketi nisi të shkruante drama si një prej alternativave të tija për të reflektuar më mirë dhe më fuqishëm.[13]

Anti-teatri i S. Beketit

Duke pritur Godonë, si dhe veprat e tjera të Beketit u quajtën: anti-teatër, teatër i avangardës, teatër i ri, teatër i farsës metafizike, teatër i absurdit, teatër i komedisë së errët, teatër i përqeshjes, etj. Kjo dramë dhe ky teatër me të cilin u instalua i ashtuquajturi teatër i avangardës në fakt, doli të ishte një frymë e re krijuese, revolucionare e cila ishte kryengritur kundër: retorikës letrare si dhe humanizmit optmistik. E kjo tregon, se në veprat e kësaj fryme personazhet nuk i posedojnë mundësitë e përzgjedhjes, ngase, ata janë vendosur në situata të cilat nuk i kanë zgjedhur. Apo më qartë, në fakt, diçka tjetër i ka përzgjedhur ata. Shembull mu d të jenë dramat e Beketit mbi atë që njeriu nuk mu d të zgjedh apo përzgjedh. Mirëpo, fiksioni, gjithandej, të jep ide, lidhje, të jep edhe pikën kryesore të vrojtimit në veprën dramatike, të jep monologë me një rend tjetër të njohur, që më pas do të njihej edhe si: fjalët e fundit të paemrit . “Duhet të vazhdosh, unë nuk mund të vazhdoj, unë do të vazhdoj”.[14]

Mbas vitit 1965 Beketi i bën edhe më të skajshme eksperimentimet në teatër, duke krijuar forma dramatike te paimagjinueshme prej askujt tjetër më përpara. Në vitet ’80 ai ka zënë tashmë në historinë e teatrit modern dhe për të shkruhen teza të shumta universitare, organizohen simpoziume, koloniume, festivale teatrore. Ai vazhdoi ndërkaq të shkruante pjesë eksperimentale, poezi, proze artistike, në një stil të zhveshur, te thatë, eliptik, që u ka nxjerre aq shumë punë studiuesve, hulumtuesve e komentuesve, për vetë faktin se Beketi nuk fliste për veten, nuk jepte intervista, nuk pranonte të filmohej. “Gjithçka që kisha për te thënë, e kam thënë në veprën time”[15], është një shprehur ai, duke i demoralizuar kritikët e gazetaret të cilëve ju shmangej kur dhe sa mundej. Madje, nga sikleti i gazetarëve, ai nuk shkoi as në Stokholm në ceremoninë e Nobelit, kur Akademia Suedeze ia ndau çmimin më prestigjioz në botë për letërsi për dramat e tija Duke pritur Godonë si dhe Fundi i lojës. Vetë Beketi bëri përpjekje që të ikë sa më larg vëmendjes së publikut, me këtë rast, kështu që, Çmimin, për të, e mori botuesi i tij francez, Lindon.[16] Kurse një vit me parë nuk pati pranuar ofertën e Universitetit të Oksfordit për të drejtuar Katedrën e Poezisë. Kështu vazhdoi Beketi deri ne fund të jetës, duke u rrekur me sa mundej që t’i shpëtonte kurthit te lavdisë.

Nga fundi i jetës së tij, Samuel Beketin nisi ta braktis mobiliteti, dhe gjendja fizike i tij po stërkeqej. Kështu, gradualisht, u bë e pamundur për të që të lëvizte ndaj dhe u vu nën përkujdesje permanente. Në vitin 1989, gjashtë muaj pas vdekjes së Suzanës, Suzan Deshevau Dumesnil, mikës së tij dhe shoqërueses së jetës, Samuel Beketi, më 12 dhjetor, ndërroi jetë, kur ishte 83 vjeç.

Duke pritur Godonë – apo nihilizmi poetik

Sa herë që ballafaqohemi me veprën e Beketit, gjithherë arrijmë para dilemave se cili, në fakt është orientimi meditativ esencial i tij!? Respektivisht, çfarë do të thotë nihilizmi filozofik, poetikisht sensibil i shkrimtarit i cili për veten e tij shprehet se i mban mend të gjitha, që nga koha kur gjendej në fetus.[17] Dhe,për çfarë arsyeje metaforat e Beketit dalin të jenë aq të kobshme sa që nuk ndërlidhen me asnjë ambient të veçantë.

Beketi në veprën e tij niset nga situata absurde, por si diçka që është e pranuar përgjithësisht dhe mbi to ndërton “skulpturën” e meditacioneve të tija poetike mbi njeriun dhe fatin e tij. Jo mbi fatin konkret, në kushtet e caktuara shoqërore, historike dhe politike, por, në rrethanat e tjera – për çdo njeri veç e veç.[18]

Drama Duke pritur Godonë është krijimtari e cila ndikoi që, autorin e saj ta shndërrojë në pjesë të debatit intensiv intelektual gjithandej nëpër botë. Me këtë rast, janë një pjesë e atyre të cilët e madhëruan figurën e këtij autori, pikërisht për shkak të dramës Duke pritur Godonë, duke e çmuar si një mjeshtër gjenial të dramës bashkëkohore dhe atë anti-dramës, e cila është, i pa konflikt e pa përmbajtje, dhe, e cila nuk posedon karaktere të skicuara qartë. Që, si veprim nuk ka as fillim e as mbarim; e që do të thotë, brenda këtij lloji drama nuk ka as një dialog të vërtetë; e as personazhet nuk janë të afta që t’i transponojnë idetë e tyre të cilat, faktikisht as që i kanë, ndaj dhe nuk mund t’ia transponojnë ato dikujt tjetër – por, megjithëkëtë funksionon.[19] Ndaj dhe, një literaturë e këtillë thuhet të jetë shprehja më e afërt e ndjenjës bashkëkohore jetësore. Janë edhe të tjerët, të cilët mendojnë se, me këtë vepër, pra me Duke pritur Godonë, por edhe me disa vepra të tjera nga opusi i tij krijues (në veçanti me Fundin e lojës), S. Beketin e konsiderojnë si një ironizues permanent të mitit, para së gjithash kristian, por edhe të të gjitha miteve tjera fetare. Ndërsa, për të tretët, Beket me veprat e tija është i paarritshëm me ligjërimin tij mbi tëhuajsimin e njeriut në përgjithësi. Por, ka edhe të atillë Beketi është një poet unikal i cili krijoi mbi moskuptimësinë e jetës si dhe absurditetin të gjithë asaj që e përjetojmë dhe të cilës edhe i jemi dëshmitarë. Por, nuk do mend se debati shkon edhe më larg se kaq, gjithsesi.

Por, çfarë në fakt na flet drama e S. Beket Duke pritur Godonë? Kjo vepër është gjithsesi një alegori, por,meqë kjo parashenjë vazhdon të jetë jo shumë afirmative, para, gjatë dhe tashti pas kohës së Beketit, atëherë, besojmë se, sa i përket kësaj vepre, për ne mund të jetë e pranueshme ta themi se është fjala për një parabolë e që, në esencë e ka kuptimin e njëjtë që na e jep për ta kuptuar edhe nocioni alegori. Dhe, sido që të jetë, në vepra siç është edhe Duke pritur Godonë, personazhet të cilat paraqiten në të, nuk janë vetja e tyre, por as ngjarjet nuk janë ato që janë, dhe se fjalët e përdorura nuk e kanë domethënien e njëjtë të cilën e kanë në komunikimin e përditshëm. Sepse, tek Duke pritur Godonë, të gjithë këta elementë janë simbolikë dhe flasin jashtë vetes së tyre, dhe mbi veten e tyre për diçka që s’është shumë konkrete, por është e përgjithësuar, mbipersonale, dhe, nëse dëshironi edhe mbi një të vërtetë që e kemi para dhe që nuk mund ta kuptojmë vetëm si të tillë.[20]

Shi për këtë besohet se Duke pritur Godonë është, më se e pranueshme sot, si arritja më e madhe dramatike e asaj kohe, e madje, disa do të thoshin edhe si puna më e mirë imagjinatave e çfarëdo lloji të po asaj kohe. Kjo, besojmë se është evidente, ngase format e reja tashti duhet të asimilohen në formimin tonë intelektual, për të fituar “identitetin” e vetë.[21] Ndërsa, pjesë e këtij debati, nuk do mend se ishte edhe 241 origjina e emrit Godo, përmes të cilit element janë bërë përpjekje që të bëhet është eksplorimi më i thellë në poetikën dhe filozofinë artistike të S. Beket në këtë vepër. Duke pasur parasysh faktin se kjo vepër e Beketit, pra Duke pritur Godonë, u cilësua si një krijimtari e lartësuar përmes së cilës u b ironizomi i mitit të krishterimit dhe të feve të tjera, atëherë, është besuar se edhe emri Godo ndërlidhej me emërtimin e Zotit (God – anglisht, Gott –gjermanisht – dhe kështu me radhë) atëherë, edhe ky emër i personazhit fizikisht të munguar në vepër (sikundër mungon edhe kontakti ynë fizik me zotin në jetën reale), është thjeshte një parabolë e fuqishme që ngërthen brenda vetes shumë simbolika. Por, ekzistojnë edhe mendime të tjera lidhur me këtë, e që, në fakt i përafrohen më shumë esencave filozofike të Beketit dhe të vizionit të tij mbi jetën. Kështu ta themi, siç e pohon edhe Riçard Cof, por edhe shume të tjerë: “Thuhet se është gjetur gjeneza e emrit Godo, nga një çiklist shumë i njohur francez i quajtur Godeaux.”[22] Këtë mendim e ndan edhe një teoricien i njohur i dramës, Erik Bentli i cili e ka fuqizua këtë hipotezë mbi ekzistencën e dikujt në Paris i cili e kishte emrin Godeaux, i cili pritet në mbrëmje, por nuk arrin asnjëherë.[23] Në fakt, sipas një legjende urbane që ka qarkulluar gjatë në Paris, këtu bëhet fjalë për një çiklist me emrin Godo, apo Godeaux, i cili, në pjesën më të madhe të jetës së tij kishte qenë garues me biçikletën e tij në garën shumë të njohur “Tour de France”, garë kjo që ka filluar në këtë shtet të organizohet që nga viti 1903. Dhe, në ditë, po sipas kësaj legjende, kur Samuel Beket kishte dalë në qytet, nga buzëmbrëmja për një punë të tij, e kishte vënë re një situatë të habitshme, kur, një numër i madh i parisienëve kishin dalë për ta pritur dikë. Ndërsa ishte habitur shumë kur e kishte marrë vesh se të gjithë kishin dalë që ta presin pikërisht Godeaux, i cili, në atë gjiro të “Tour de France”, që kalonte nëpër Paris, po arrinte në artë buzëmbrëmje, me dhjetëra orë vonesë nga garuesit tjerë. Por, vetë Beket, sipas Roxher Blinit, supozohet se i ka thënë këtij se, emri Godot rrjedh nga fjala çizme, pra Godillot.[24]

Mendojmë se edhe kjo çështje ka të bëjë me atë që konsiderohet nihilizëm poetik i Samuel Beketit. Për këtë ka folur edhe letrari francez Klod Moriak[25], njëri prej njohësve më të mirë të krijimtarisë letrare të Samuel Beketit i cili, duke shkruar një shkrim mbi botëkuptimet beketiane të universalit tel Le Figaro Litteraire më rastin e shënimit të fitimit të Çmimit Nobël të Beketit, ndër të tjerat thotë: “Beket është duke u zhytur gjithnjë e më thellë në errësirën e qenies. Të qenies së tij dhe të qenies sonë. Personazhet e tija janë të paemëruara, meqë këta janë kushdo dh kudo, të rezultuar lakuriq në esencën e tyre, në sensacionet e turbullta të kënaqësisë dhe të kohës, në dëshpërimin elementar dhe total. Këto personazhe fillimisht kishin emra dhe quheshin Marfi, Vat, Moloj. Më pas nuk janë askush, të paemëruar, në një botë të paemër, të gëlltitur së gjalli, të përvuajtur e të alivanosur”.[26]

Rëndësia e Samuel Beketit sipas Klod Moriakut është shumë e madhe. Madje është aq e madhe, sa që arrin në formë retrospektive të ndriçojë letërsinë e së kaluarës, e cila, tashti para nesh me e qartësuar dhe më e kthjellët sa që ishte dikur. Moria mendon se akëcili autor e ka një libër të cilin, e ka të qartë se nuk mund ta përfundojë asnjëherë në jetë. Në këtë kontekst, mendojmë se mund të sjellim një thënie të vetë Samuel Beketit, i cili, ndër të tjerat tek të Paemëruarit thotë: “Edhe pse flas për të mos thënë asgjë, me të vërtetë asgjë!”.[27] Kjo është e mjaftueshme për Klod Moriakun që të konstatojë se, ne sot e dimë pjesërisht në saje të Beketit njeriu duke bëzërë do të jetë më shumë vetvetja dhe do të ketë më shumë mundësi dhe gjasë që të jetë lajmëtarë dhe të paralajmërojë diçka.[28] Ndërsa, kjo që po përpiqemi ta shpjegojmë me këtë rast ka të bëjë me atë se e tërë gjendja dekarakterizohet në një lloj vetëqartësimi i cili është synim i Samuel Beket në veprën e tij. Filozofia e Beketit dhe poetika që ai ngërthen në vizionin e tij artistik, por edhe vizionin për jetën, në fakt koinciodon me një thënie që është karakteristikë e krijuesve të të ashtuquajturit anti-teatër, kur thuhet se: Netët duhet të përjetohen dhe jo të ndriçohen…Përmes natës nuk kalohet… Në to jetohet dhe në to vdesim!”[29]

VLADIMIRI: Këtu, në këtë çast, i gjithë njerëzimin e përfaqësojmë ne të dy, qoftë kjo e drejtë apo jo

Duke pritur Godonë, është vepër dramatike në të cilën elementi i dhe përvojat njerëzore që kanë të bëjnë në raport me kohës është e shprehur në formën më të qartë dhe më të pastër të saj. Kjo marrëdhënie ndërtohet, në veçanti në raport me pozitën e Vladimirit dhe Estragonit të cilët, ndodhen në një hapësirë jashtë qytetit, duke pritur nën një pemë. Menjëherë e marrim vesh se janë duke e pritur Godonë me të cilin e kanë caktuar një takim për të shtunën në darkë. Por, këta nuk e dinë se a duhet të ndodhë kjo kësaj të shtune apo në ndonjë të shtune tjetër. Gjithashtu nuk e dinë se a janë marrë vesh që të takohen nën këtë pemë, ku gjenden duke pritur këta të dy, apo edhe ndonjë pemë tjetër diku! Këta të dy, me dëshirë do të shkonin që aty, por, megjithatë nuk mund të ikin për shkak të marrëveshjes që e kanë bërë për takim. Pas do kohësh aty vjen

Poco me shërbëtorin e tij Llakin (Likin) të cilin e udhëheq duke e tërhequr me litarë si të ishte qen. Vladimiri dhe Estragoni, fillimisht e gjykojnë këtë veprim të Pocos, por, pas pak kohësh ata e kuptojnë se, në fakt, Llakit i pëlqen shumë pozita në të cilën ai ndodhet. Ndërsa Llaki i argëton ata me mjeshtrit të cilat i ka të ushtruara mirë – me një numër vallëzimi si dhe me recitimin e monologut. Pas shkuarjes së Pocos me Llakin, arrin Djaloshi i cili ua sjell mesazhin nga Godoja se nuk do të vjen asaj dite.

Pocoja dhe Llaki rikthehen nesër në fushën tek pema, por, paçka se Vladimiri dhe Estragoni i imitojnë ata në marrëdhënien e tyre nga dita paraprake, megjithatë Poco nuk i as njeriun e as tjetrin, gjë që e habitë Vladimirin dhe Estragonin. Kur të shkojnë Poco dhe Llaki, Vladimiri dhe Estragoni vazhdojnë që akoma ta presin Godonë. Pastaj nuk u kujtohet asnjë gjë as këtyre, por ama duhet që disi ta përplotësojnë kohën e tyre. Më me dëshirë do të shkonin që andej. Për këtë edhe konstatojnë se duhet të shkojnë dhe vendosin të shkojnë, por nuk lëvizin nga vendi. Njëri nga personazhet në njërin nga momentet e dramës fletë me sa vijon:

VLADIMIRI: Këtu, në këtë çast, i gjithë njerëzimin e përfaqësojmë ne të dy, qoftë kjo e drejtë apo jo… Atëherë, le ta reprezentojmë, të paktën një herë, denjësisht atë racë në të cilin, padrejtësisht, një e keqe e madhe na ka futur.”[30]

Pohimet mbi përfaqësueshmërinë

Mbase mund të thuhet se çasti në të cilin Vladimiri i shfaq këto mendime dhe i thotë këto fjalë edhe s’është shumë i rëndësishëm. Pohimet mbi përfaqësueshmërinë kanë të bëjë me çastet e kësaj loje dhe me gjithçka që e përcjellë këtë binom interesant personash që ndodhën askund, si dhe çdo gjë tjetër që ndodhet në sfond të krejt kësaj. Shkurtimisht, kemi dy njerëz të kohës së re. Dy njerëz disi që nuk janë individualitete të njëmendta, por që janë figura njerëzisht për përgjithësuar. Kështu dhe mund të konkludohet se, fati i tyre është, në fakt, fati i njeriut në përgjithësi, ndërsa kuptimi i të qenit e tyre dhe i priturit të Godosë, është kuptimi i ekzistencës së njerëzimit. Kjo, ngase esencialja dhe primarja tek Duke pritur Godonë, qëndron përmbi ngritjen e aktit të pritjes që me kohë mori kuptim të sinonimit. Në raport me aktualen dhe kur kemi parasysh aktin që ndodh para nesh, kuptimi ekzistencialist ndërtohet si prani e pritjes kolektive, si një çast i zënë në fatin historik të species. E jo vetëm kaq, ngase esencat artistike kanë si qëllim edhe katarsën sikur në episodin e miqësisë midis Estragonit e Vladimirit, mandej dhuna që ushtron Poco etj. Spastrimi ngjan edhe nga ndjeshmëria e krijuar me delikatesë me ritmin që përmbledh kuptimet themelore në shfaqje. Plani pamor i Duke pritur Godonë krijon atmosferën e origjinalitetit të skenës beketiane me drurin që jep kuptime polisemantike, me personazhet e ‘llahtarisur’ Estragonin e Vladimirin, që tashti si akterë krijojnë pritjen e subjektit për të qenë të lirë. “Tonet e zbehta të dritës dhe dominimi i të zezës jep timbrin meditativ, që, duke nisur nga preludi, përnjëherë grish, ndërsa më pas në skenë vihen rekuizita, si: kamxhiku, litarët etj. Pritma ekzistenciale e subjektit tashti nyjëtohet si pritshmëri kolektive.“ [31] Kështu, Vladimiri dhe Estragoni ajanë parë një dileme të madhe, që paraqitet si pritje e pafundme dhe e pakufi. Thjeshtë, këta të dy, as që janë njerëz të aksionit,, apo, mbase, të vënë në një rrethanë të këtillë, duke qenë ithtarë që ta respektojnë një marrëveshje për një takim i cili mund të ndodh një të shtunë, apo edhe që është dashur të ndodh në një shtunë tjetër, ata as nuk mund të veprojnë edhe po të dinin që ta bënin një gjë të tillë. Këta të dy, paçka se duan dhe proklamohen si përfaqësues të racës për të cilën nuk kanë respekt, pra, të racës njerëzore, megjithatë, nga ato batutat të tyre, ndonjëherë jofunksionale dhe jologjike, megjithatë e kuptojmë se që të dy, i përkasin një shtrese krejtësisht irelevante dhe periferike të shoqërisë më të ulët, ndaj dhe ndihen të braktisur, qoftë nga njerëzit, apo edhe akoma më keq, edhe nga Zoti. Janë disi të harruar nga qytetërimi i cili i ka anashkaluar duke i lënë nën atë pemë të zhveshur, sikur të ishin në një shkretëtirë e cila nuk ka as fund e as fillim. „Me disa veprime që i tërheq shkrimtari, porsi piktori mbi pëlhurë “, do të shkruaj kritiku kosovar i teatrit Musa Ramadani në refleksionin e tij për shfaqjen Duke pritur Godonë, të interpretuar nga “Teatri Shiler” në Berlin ku, regjinë e veprës më të njohur të Beketit e kishte bërë vetë ai, “del se ata kanë nevojë për ndihmë, për njerëz, për diçka të gjallë, prandaj edhe presin të hutuar e të shushatur thuajse kanë humbur ndjenjën për hapësirën dhe kohën në këtë botë”.[32] Sipas kësaj, pritja e Vladimirit dhe Estragonit është më shumë një problem filozofik shtruar si absurd, e që në këtë dramë është pika e fillimit dhe e mbarimit, paçka se askush nuk e di se kush mund t’u ndihmojë këtyre dy personazheve, dhe se, në fakt, a janë të ndihmueshëm këta nga ndokush, kushdoqoftë ai. Vladimiri dhe Estragoni thonë, pëshpëritin, çirren e bërtasin herë-herë, duke u munduar ta bindin, para së gjithash veten tyre se janë duke vepruar drejt dhe se janë aty që gjoja të presin Godonë, edhe pse nuk e dinë se kush është ai dhe çfarë mund t’u sjell ai edhe po të vinte një ditë, një të shtune, kurdo qoftë ajo. Pritja e tyre, shprehet Ramadani, nuk duket aq apatike saç edhe është, ndonëse shpejt mund të jetë krejtësisht djerrakohë, kotësi, fryt i së cilës, në instancën e fundit, mund të jetë hiçi.[33]

Alegoritë dhe parabolat tek Godoja

Dhe, pikërisht kjo është ajo të cilën më lartë e quajtëm alegori apo edhe parabolë, ndërsa ngjarjet brenda kësaj janë paraqitur në atë mënyrë, që ta kuptojmë se gjithçka këtu mëton të na e bëjë të ditur se njeriu edhe vetë mjerimi; se e tërë jeta e tij është fanitej, dhe se, po e këtillë del të jetë edhe vetë pritja e Godosë, i cili nuk do të vjen asnjëherë. Mirëpo se si është e strukturuar bota në dramën Duke pritur Godonë këtë, besojmë se e marrim vesh në batutën e parë të veprës, atëherë kur Estragoni shprehet: “Nuk e do se, nuk e do!” – atëherë kur nuk ia del që të zbathë këpucën e vetë. Është kjo batuta të cilën Vladimiri, megjithatë e kupton në mënyrë shumë të përgjithësuar, madje në një nivel filozofik, ndaj dhe thotë se jeta është e mbushur me plotë e përplot iluzione dhe huqje, por ai gjithmonë ngushëllohet duke e kurajuar Estragoni, por edhe veten e tij, duke thënë se ka akoma kohë dhe se ia ka filluar ta kuptojë atë pikëpamje. Kështu, kotësia dhe pajtimi me fatin futën që në hapje të dramës. Paçka se prosedeu është i rëndësishëm: Estragoni, megjithatë ia del që ta zbathë këpucën, mirëpo, pajtimi me fatin tek Vladimiri vazhdon të jetë i njëjti. Kështu, edhe nxitja e konkretes dhe komikes, në një atmosferë të të panjohurave të mëdha si dhe të pasigurisë, personazhet e Vladimirit dhe të Estragonit i shndërron në personazhe të përgjithshme tragjike. Në kuadër të kësaj, mund të thuhet se, ndoshta, këto dy personazhe, Vladimiri dhe Estragoni, si dhe ato të tjerat që vijnë, dy herë, janë disi personazhe komike, por, situata në të cilën ndodhen ata është në nivelin e banalitetit konkrete. Këta, që të gjithë, u përngjajnë klounëve të cirkut apo edhe të ndonjë variete fshati – të motivuar me kapela të sfilitura të klounëve. Madje, perceptimi ynë është se një numër i konsiderueshëm i aksioneve është bërë thjeshtë duke pasur një qëllim për të ndërtuar rrethana komike, madje me tone humoristike (loja me sjelljen në qark të kapelave, pas të cilës, kapela e akëcilit prej tyre vjen në kokën e duhur), si dhe mosmarrëveshjet verbale , dhe loja me fjalë, që bëhet përgjatë tërë zhvillimit të dramës. Dialogët janë në kufi të të pakuptimësisë. Siç është edhe situata kur hynë Pocoja, e që është një situatë shumë e ngjashme me ato që krijohen në komeditë tradicionale. Pastaj edhe momenti kur, Vladimiri dhe Estragoni, fillimisht e qortojnë Pocon për mënyrën në të cilën ai e trajton Llakin, dhe për shkak të vrazhdësisë që ka karshi tij, e që, befasisht është pozicion që përmbyset, ngase, këta të dy nisin ta akuzojnë Llakin se nuk është mirënjohës, ngase ndodhet në një rrethanë e cila po i pëlqyeka atij. Kjo tregon se te drama Duke pritur Godonë e Samuel Beketit ka shumë veprime formale që i hasim edhe tek komedia e traditës. Kësaj faqeje komike i përket edhe linja e “veprimit” kur, pas shumë thurjeve dhe ndërthurjeve të çuditshme personazhet kryesore të veprës, Vladimiri dhe Estragoni rikthehen në pozicionin fillestar të dramës.

Ajo që nuk është komike, ndoshta, është se ne në fakt as që e dimë se cilët janë këta njerëz. Madje nuk e dimë as se si quhen me të vërtetë. Na kujtohet se ata njëri tjetrin e thërrasin me Didi dhe Gogo, ndërsa Pocos i prezantohen si Katuli dhe Alberti, ndërkaq, siç mund të kuptohet, nga autori i dramës quhen Vladimiri dhe Estragoni. Gjithashtu ne nuk e kemi as haberin se kush është Godoja, e aq më pak për mënyrën se si do të mundet ai që këta të dy t’i shpëtojë nga çfarëdoqoftë. Për të qenë krejt të sinqertë në gjykimin tonë, këtë nuk e dinë as ata vetë, pra as Vladimiri e Estragoni. Këta kanë kërkuar diçka nga Godoja, kjo duket evidente në dramë, paçka se s’është diçka e papërcaktuar, por, thjeshtë, ashtu, përtej krahut. Takimi me Godonë është caktuar me të njëjtën dozë të pasigurisë dhe dyshimit e madje edhe të papërcaktueshmërisë, që është në fakt ajo që mund ta quajmë atmosfera e përgjithshme në të cilën ndodhen këto personazhe në këtë dramë. Kështu e kuptojmë se Estragoni nuk di asgjë për Godonë, ndërsa Vladimiri shtiret se din diçka, edhe pse nuk është i sigurt se cili është emri i tij i saktë, por edhe nuk e njeh fare. Bile, kur takohet me Pocon për të parën herë, ky, pra Vladimiri mendon se ka arritur Godoja. Ata nuk janë të sigurt as për të nesërmen, as për të sotmen, në kohën e tyre që s’behet se është duke lëvizur ngase gjithçka është e njëjtë. Gjithçka. Ndërsa, nihilizmin e Beketit më së miri e lexojmë tek njëra prej batutave të personazheve të tija kur ai shprehet: “Më së miri është që të mos lindësh fare”[34]... Për dikë, një mendim si ky që haset edhe në variante të tjera më të ndryshme verbale tek drama e S. Beketi, mbase, me të drejtë u duken të tmerrshme dhe pesimiste. Ndaj dhe do të orvaten që të gjithë neve të na bindin se ky autor, në të vërtetë, nuk na e rrëfen këtë gjë, porse, në një kuptim të caktuar pranon besimin e pafundmë, apo edhe shpresën e dy kryepersonazheve të kësaj vepre se Godoja megjithatë do të vjen. Dhe, kështu pohojnë se, kjo shpresë, pra se Godoja do të vjen, në fakt është shprehje e qartë e një lloj optimizmi të cilin duhet kërkuar dhe gjetur në veprën e Beketit, ngase, kjo pritje dhe kjo shpresë, gjithsesi veprës i jep një lloj të kuptimit njerëzor. [35] Mirëpo, ne mendojmë se ky është një interpretimi gabuar, jo bindës dhe shumë i zbehtë dhe aspak bindës i atyre që mendojnë kështu, ngase, sa i përket shpresës se ajo gjendje mund të ndryshojë dhe personazhet e tija t’ia dalin që të ikin nga kthetrat e pritjes, megjithatë më shumë duket se Beketi flet me përqeshje për atë mundësi dhe shpresë ngase, të gjithë atë e paraqet në një fotografi po aq të mizershme si dhe çdo gjë tjetër në mikrokozmosin njerëzor.[36]

Mbi logjikën e dramës “Duke pritur Godonë”

Logjika e kësaj vepre, mendojmë se e ka mu këtë lloj kuptimi. Por, meqë këtu nuk kemi të bëjmë me filozofim e as shitje mëndësh, por me një tekst i cili është veshur me një kostum letrar dhe që dëshiron të jetë sa më artistike, neve duhet, gjithsesi të na interesojë më shumë një logjik të tjetërfare e gjërave. Për nihilizmin e Samuel Beketit kanë reflektuar edhe shumë autor të tjerë. Kështu, ta themi, për Zhan Anuinë[37], krijimet letrare të Beketit janë vepra kapitale, ndërsa për Zhan Koktonë[38] zbulime të vërteta artistike. Ndërsa Dejvid Bradbi[39] dramën Duke pritur Godonë e ka quajtur: Niveli zero i teatrit.[40] Kjo sipas D. Bradbit do të thotë që është fjala për vepra që i paraqesin personazhet që thjeshtë gjenden në një vend – do të thotë aty. Ndaj deh ata janë të detyruar që t’i shpikin rolet e tyre, ndaj dhe bëjnë nga rolet që ua kanë dhënë (ta themi kur i komentojnë motivet biblike, krijohet percepcioni se ata, në fakt, nuk janë brenda, por fare, fare jashtë tekstit).[41] Ndërsa një prej karremave strukturor në këtë vepër, mendon ky autor, është ajo se, në mënyra të ndryshme bëhen përpjekje që të na krijohet një iluzion, qoftë ai edhe i përkohshëm që diçka megjithatë do të ndodhë. Ky autor, në këtë rast flet për „episodin“ me Pocon dhe Llakin, ndërsa, Vladimiri dhe Estragoni shtiren thuaja se janë shikues të një shfaqjeje që ndodh aty para tyre.[42] Në fund të fundit mund të themi se kjo vepër e Samuel Beket, po e shqyrtuam nga një perspektivë jona, apo edhe nga një këndgjykim vetjak, atëherë do ta kuptojmë se, kjo poetik, kjo filozofi, apo edhe ky vizion i shkrimtarit mbi jetën në përgjithësi, nga abstraktja e botës së vërtetë, na bënë që të arrijmë tek një tezë sipas së cilës mund të thuhet se: pasi që njeriu ekziston vetëm fizikisht në këtë shoqëri, ose si një referencë në të, imagjinata prej dramaturgu duhet të krijojë, sikur një shembull për realitetin e mëpastajmë për të përmbushur nevojat e vetë dramës, si një lloj i realitetit të përtokshëm shoqëror.[43]

Në fund ta themi se, kur flitet për krijimtarinë dramatike të Samuel Beket, për botën e tij komplekse dhe përgjithësisht për botën letrare, atëherë duhet ta theksojmë se drama e tij, anti-drama e tij, farsa tragjike e ti, Duke pritur Godonë, është vepra më e përmbaruar jo vetëm e këtij autori, që ë vend të veçantë në dramaturgjinë avangarde të shekullit njëzet, por edhe në dramaturgjinë botërore në përgjithësi. Ndaj dhe S. Beket, jo vetëm për faktin se u laureua me Çmimin Nobël me këtë vepër, por edhe në dimensionet e ndikimeve të tija në zhvillimin e kësaj drame dhe të dramaturgjisë avangarde në përgjithësi, u shndërrua në sinonim, pikëreferim dhe model për shumë autorë, të disa gjeneratave, për të vazhduar ashtu edhe sot e kësaj dite.

Mbase, në shikimin e parë drama, Duke pritur Godonë dikujt edhe mund t’i duket e thjeshtë, skeletore, por edhe pakuptimtë. Apo, edhe pyetja e parë që mund t’i parashtrojë dikush para se ta lexojë është se cili, në fakt është dhe cili mund të jetë mesazhi i saj? A thua ka ndonjë mesazh të vetin kjo dramë? Për këtë arsye, besojmë se duhet pasur parasysh mbi atë se çfarë është drama dhe çfarë anti-drama, përgjigje të cilën u përpoqëm ta japim një mënyrë apo tjetrën edhe në këtë studim. Ndërsa për ta sqaruar dramën atëherë asaj duhet t’i qasemi si një metafore të veçantë në esencën e së cilës është motivi i pritjes si dhe motivi i Godosë i cili, në një mënyrë apo tjetrën, dalëngadalë shndërrohet në simbol. Ndërsa ajo që është më e rëndësishmja dhe që mund ta kuptojmë si mesazh, besojmë se është mesazh i kësaj vepre jotipike është se Zotin apo edhe kuptimin e jetës nuk mund ta kërkojmë në botën përreth nesh, por duhet t’i kërkojmë brenda vetes sonë. /Telegrafi/

__________

[1] Gilman, Richard, The Making of modern drama, Publishet by Da Capo Press, Inc., New York, 1987, fq. 234.

[2] Po aty.

[3] Beket, Samjuel, Čekajući Godoa, Srpska književna zadruga, Beograd, 1964. (përktheu, Shpresë Mulliqi)

[4] Beckett, Samuel, dir. Sean O Mordha, ed. Martin Duffy, Ben Yeats, O Mordha Production, 1992.

[5] Stanley Ëintranb, gen. ed., British Dramatists Since Ëorld Ëar II: Dictionary Of Literary Biography, vol. 13, part 1: A-L (Detroit: A Bruccoli, 1982), fq. 18.

[6] Israel Shenker, intervieë with Samuel Beckett, The NewYork Times, New York, 6 May, 1956., qtd in Richard Seaver, introduction, i Can’t Go On I’ll Go On, by Samuel Beckett, ed. Richard Seaver (New York: Grove, 1976).

[7] William Faulkner, Absalom, Absalom!, Vintage Books, New York, fq. 110.

[8] Beket është shkrimtari i cili asnjëherë në jetë e tij nuk e ka bërë asnjë koncesion. Asnjëherë nuk ka kërkuar mirënjohje për vete. Asnjëherë nuk e ka sqaruar, para askujt, veten e tij. Gjithashtu, asnjëherë nuk ka lëshuar pe para kërkesave të modës apo edhe të publicitetit, siç mund ta kenë bërë krijues të tjerë. E ka thënë vetëm atë që e ka konsideruar të domosdoshme që ta thotë dhe që është dashur ta thotë. Ndërsa ajo që është dashur ta thotë ishte e vështirë, obskure, refuzuese dhe kjo vetëm nga fakti se kishte diçka të rëndësishme të thoshte e jo nga shkaku se i kanë munguar ata të dëshiruarit që ta dëgjojnë. Martin Eslin, Samuel Beckett, në John Cruickshank, Novelist as Philosopher, Oxford University Press, London, 1962, fq. 145.

[9] Gilman, Richard, The Making of modern drama, Publishet by Da Capo Press, Inc., New York, 1987, fq. 234.

[10] Harvud, Ronald, Istorija pozorišta, Clio, Beograd, 1998, fq. 366.

[11] Sipas Andreë K. Kennedy, Samuel Beckett, Cambridge University Studies, Cambridge, 1989, fq. 10.

[12] Po aty.

[13] Gilman, Richard, The Making of modern drama, Publishet by Da Capo Press, Inc., New York, 1987, fq. 236.

[14] Po aty.

[15] S. Beket nuk ka besuar asnjëherë tek biografia kritike ndërsa edhe më pak u ka besuar biografëve. Ndaj dhe, me një rast do të thotë: Gjithmonë kam shpresuar se vepra, e jo jeta ime, do të gjenden nën mikroskop, John Banville, The Painful Comedy of Samuel Beckett, New York Revieë of Books, 14 nëntor, 1966, The Samuel Beckett On-line Resources.

[16] Për Beketin, të thuash, gjatë jetës së tij kishte vlerë një vërejtje e Xh. Xhojsit: Çdo jetë përbëhet prej shumë ditëve, nga dita në ditë. Ne ecim nëpër veten tonë, takojmë hajdutë, fantazma, xhinde, pleq, të rinj, femra, të veja, dhëndurë. Por, gjithmonë takojmë veten tonë. Sipas Hugh Kennerit, A Reader.s Guide to Samuel Beckett, Thamas and Hudson, London, 1988, fq. 74.

[17] Mulliqi, Haqif, Revista Theatri, nr. 2.1997, fq. 135.

[18] Po aty.

[19] Vidmar, Josip, Dramaturški spisi, Sterijino pozorje, Novi Sad, 1968, fq. 221.

[20] Po aty.

[21] Gilman, Richard, The Making of modern drama, Publishet by Da Capo Press, Inc., New York, 1987, fq. 240.

[22] Gilman, Richard, The Making of modern drama, Publishet by Da Capo Press, Inc., New York, 1987, fq. 241.

[23] Po aty.

[24] Po aty.

[25] Klod Moriak ishte sekretari personal i Sharl de Golit që nga viti 1944 deri në vitin 1949, para se të bëhej kritik i dramës teatrit dhe filmit tek e përditshmja franceze L’ Figaro. Gjithashtu Moriak ishte edhe autor i disa romaneve dhe eseve si dhe skenarist filmi. Përveç për S. Beketin, Moriak ka shkruar edhe një libër për Marsel Prustin, mbesa më e madhe e të cilit, në fakt ishte bashkëshortja e tij. Mendohet se preokupimi i Beketit me krijimtarinë e Prustit, i ka afruar këta të dy, dhe Moriak kishte konsiderata të admirueshme për veprën e Beketit. Ai ishte, gjithashtu, i afërm edhe me filozofin e njohur francez, Mishel Fukon.

[26] Luzha, Murteza, Përparimi, Nihilizmi poetik i Samuel Beket, Nr. 3, Viti XVI, Prishtinë, 1970, fq. 299.

[27] Po aty.

[28] Po aty.

[29] Grant, Nil, Istorija pozorišta, Minimalističko pozorište – Beket i Pinter, Zavod za udžbenike, Beograd, 2006, fq. 176-177

[30] Beket, Samjuel, Čekajući Godoa, Srpska književna zadruga, Beograd, 1964, fq. 11.

[31] Halili, Shpend, Gazeta Bujku, Prishtinë, 1996.

[32] Ramadani, Musa, Fjala në skenë, Redaksia e Botimeve Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 251.

[33] Po aty.

[34] Po aty.

[35] Vidmar, Josip, Dramaturški spisi, Sterijino pozorje, Novi Sad, 1968, fq. 223.

[36] Po aty.

[37] Zhan Anui (1910-1987) ishte shkrimtar francez i dramës karriera e të cilit ka zgjatur pesë dekada. Edhe pse ka shkruar edhe drama të Absurdit, megjithatë, drama e tij më e njohur është Antigona, të cilën e ka shkruar në vitin 1943, e që në fakt ishte përshtatje e dramës klasike të Sofokliut. Anui është një prej shkrimtarëve më të frytshëm në Francë, pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa është marrë me tema që kishin të bënin me integritetin e moralit në shoqëri. Disa herë ka reflektuar mbi krijimtarinë e S. Beketit

[38] Zhan Kokto (1889 – 1963), shkrimtar francez, piktor dhe regjisor. Si eksperimentues ka kaluar nëpër të gjitha fazat e artit modern – kubizëm, dadaizëm, surrealizëm, ndërsa, sipas llojllojshmërisë u konsiderua edhe krife i shpirtit francez. Anëtar i Akademisë së Francës u bë në vitin 1955.

[39] Dejvid Bradbi (1942 – 2011) profesor i dramës dhe teatrit me një interesim të veçantë mbi teatrin modern dhe postmodern francez. Kishte bërë edhe një varg shkrimesh dhe studimesh mbi rolin e regjisorëve në teatrin modern, e në veçanti mbi dramën e absurdit. Llogaritej prej studiuesve më të mirë të veprës së Samuel Beketit.

[40] David, Bradby, Beckett, Ëaiting for Godot, Cambridge University Press, 2001, fq. 61

[41] Po aty.

[42] Po aty.

[43] Gilman, Richard, The Making of modern drama, Publishet by Da Capo Press, Inc., New York, 1987, fq. 242/ 243

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori