LAJMI I FUNDIT:

Reportazh i provokuar për plakun pa moshatarë

Serbët ia pushkatuan moshatarët para syve. Ai nuk donë t’i përmendet emri. Ai donë të shkruhet përherë për shokët qe ia pushkatuan vetëm pse ishin shqiptar. Me shumë ai flet vet me veti. Kujtimi për ta kaluarën atë e ka bërë memec kur dëgjon të tjerët që kanë harruar shpejt kasaphanën serbe në Kosovë. Ka shëtitur çdo pjesë të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe habitet si ka ende njerëz tanë, madje edhe të shkolluar që nuk kanë qenë asnjëherë nga Prishtina në Mitrovicë

Plaku del gati çdo ditë në Runik. Atë nuk e ngacmon askush. Ai viziton shpesh varret e hapura qe presin te vrarët e zhdukur diku ne Serbi. Shumë njerëz të kësaj ane nuk kanë as shenjë as varr. Që nga atëherë, Plaku mbeti pa moshatar, pa bashkëbisedues. Nuk i hiqet asnjëherë nga mendja lajmi për përsëritjen e zgjedhjeve në Drenicë. E ka zor të kuptojë si është e mundur. Kjo, thotë zëshëm, duket si provokim kur përkujton dy vjet jetë të refugjatit në vendin e tij. Te ne Lufta e fundit ka zgjatur dy vjet, e besa, ne ende si të thuash jemi ende në luftë, nga provokimet e përditshme serbe. Një udhëtim atje ku gjatë luftës, buka, mbi dy vjet, është gatuar nder male, pa shtëpi, do ta bind secilin se kësaj radhe ishte provokuar “Vallja e Luftës”. Për ta nisur shënimin ishte vështirë. Më mirë të dëgjoje vetëm bisedat dhe pëshpëritjet me vete të njerëzve që kishin vërshuar Runikun. Pamje të ngjashme atë ditë kishin të gjitha vendbanimet e Drenicës.


“Tri herë opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij,
Pastaj shamia palët ndau
Me qetësi e madhështi”.
I. Kadare

Kolonat e njerëzve janë rralluar nga plumbat

Kanë të drejtë të votojnë martirët e Likoshanit të Qirezit,të Prekazit, të Rezallës e të Izbicës, të cilët tash do të duhej të ishin në vendvotim. Do të duhej të votojnë sot me radhë të gjithë ata që dhanë jetën për liri. Vota e të rënëve në altarin e lirisë vlen përjetësisht, po pëshpëriste plaku i Runikut. Kujt do t’i këtë vajtur mendja se përsëritja e zgjedhjeve, nga njerëzit e gjallë, atë ditë, atje ishte kuptuar më shumë se një provokim.
Lajmet e mbrëmjes po e dëshmonin gjithë përjetimin e asaj dite. Nga Gjergjica po nisej kolona e votuesve të shekullit të ri. Po nisej kolona e njerëzve me lodra dhe valle. Nuk po niseshin ata me kuaj, po me vetura të reja. Ishin bashkuar atë ditë të gjithë ata që kishin të drejtë vote.

As njëqindvjeçari nga Llausha atë ditë nuk po mund të qëndronte brenda pa iu përgjigjur ftesës së provokimit. Po, po, do të dal derisa këta eshtra të mijë të ecin vertikal, po thoshte një nënë. Një burri me tutje iu mbushen sytë me lot tek po ndiqte me sy dhe shpirt vallen e provokuar të asaj dite. Tani po i kujtoheshin të gjallët e të vdekurit e kësaj ane. Shkoi me mendje larg në histori Plaku dhe nuk po mund të zgjidhte pikën më të vjetër të kujtimit. Do t’i kujtoheshin varg shumë burra e gra që ishin flijuar për liri. E kishte të vështirë të nisej nga Hasan Prishtina dhe nuk mund të kapërcente pa thënë se; “Qeveria e tij nuk pati me shume se pesë ditë jete”.

More dikush po tallët me ne. Diçka po ndodhë në mesin tonë; thoshte plaku i mplakur para kohe.
-“Hasan Prishtina është i yni”. “U lind dhe doli nga Polaci. Do me hidhërohet dikush që rastësisht do të mbetet jashtë kujtimit tim”.
Nuk harrohet Ahmet Delia shtoi plaku, dhe iu duk sikur po e shihte me sëpatë të përgjakur.
Nuk mund të mos e kujtonte Azem Bejtën.
Shaban Polluzhen e kishte të vështirë ta ndante nga shokët e shumtë të luftës.
Nuk mund e të mos i kujtonte ai njeri, me qindra trima e dëshmor, të cilëve nuk po ua mbante në mend emrat dhe nuk po ua dallonte fytyrat nga gjaku.
– Ke dal me votua plak!- i tha dikush.
– Jo more! Kanë votuar Jasharajt në Prekaz edhe për ne, edhe për gjithë Kosovën
– Pse a mos kanë caktuar zgjedhje të reja ata të Prishtinës? Pyeti Plaku.

Nuk po e kuptonte Plaku i vetmuar atë dite pse kish dalë në Runik dhe pse po shihte aq shumë njerëz. Atje e njohin të gjithë dhe nuk e provokojnë. Po daullet dhe vallja në sheshin Adem Jashari pse? Mos vallë e provokoi dikush vallen po murmuriste Plaku me vete.

Ai dukej sikur nuk po kuptonte asgjë, edhe pse ishte i gjallë si edhe të tjerët për rreth tij. Atë ditë krismat e pushkëve të Prekazi ishin përzier me vallen e lodrës që ishte provokuar nga teket e dikujt. Ai po dëgjonte atë ditë gjëmën e pushkatimit të më shumë se 148 burrave në Izbicë, të cilët nuk i ka tretur dheu ende, dhe varret e tyre mbetën hapur, pasi falangat serbe, të vrarët i nxorën nga dheu dhe i dërguan atje prej nga erdhën vrasësit.
– “Po na thonë të përsërisim zgjedhjet bre”, fshau thellë plaku pa asnjë moshatar. Bashkëmoshatarët e mi u vranë të gjithë në Izbicë. Sa vjeçar ishin Idrizi, Fejza, Fazliu Iliazi, Nebihu, Shabani, Feka, Kajtazi, Riza, Tafa, Kamberi?… Janë shumë bre, 148. Kishin mbetur ata atë ditë për të ruajtur shtëpitë! Ata sot nuk vijnë dot.

Po, po, u provokua vallja e luftës shtoi plaku dhe iu duk sikur në ato çaste po dëgjonte daullet e luftës.
I pa ai atë ditë nëna e motra tek po gatuanin në male. Ai pa atë dite tek po digjeshin shtëpitë ne Runikë, Çitak e Syriganë. Ai, atë ditë pa se si po digjej gjithë Drenica.
Plaku, atë ditë nuk e kishte fortë të qartë se ishte në mesin e të gjallëve apo të vdekurve.
– Ore, po ata janë pushkatuar nga serbët, mbi 148 për një ditë, atje në Izbicë.
Qetësinë dhe bisedën me të vdekurit ia prishi dikush me një fjali të shkëputur:
– “As Brukseli nuk po mund të votojë s’i duhet dhe po ka probleme”- lë më ne, që assesi nuk kemi arritur t’i shërojmë plagët luftës.
Po na jemi në luftë ende. Po ç’farë po kërkohet nga ne. Po kush po merret me pasojat e luftës.

30 vjet përvojë pune, pa e parë asnjëherë Mitrovicën

Se sa e njohim këtë vendin tonë të vogël, rrëfente Plaku i Runikut se si kishte takuar një profesor te Prishtinës i cili kishte hiç më pak se 30 vjet përvojë pune dhe asnjë herë në jetën e tij nuk e kishte parë Mitrovicën. E pabesueshme, megjithëse, profesori kishte 30 vjet përvojë, asnjëherë nuk kishte qenë në Mitrovicë. Ka edhe të tjerë profesor të cilët nuk kanë dalë asnjëherë nga Prishtina e lë më ta kenë parë fshatin tonë e të kenë dëgjuar çka flasim ne, vazhdonte plaku i Runikut.

Hajt profesor, hajt, tha Plaku, bashkëbiseduesi ynë i pandarë i asaj dite. Ne do t’i përsërisim zgjedhjet edhe shumë herë, por lirinë e ëndërruar me shekuj nuk e zëvendësojmë me asgjë.
Për votime demokratike edhe Brukseli ka nevojë të mësojë akoma.

P.S.
Reportazhi për Plakun pa moshatar ishte vërtetë i provokuar dhe çfarëdo shënimi për të duket si satisfaksion moral për shume të vrarë të Kosovës të cilët ende konsiderohen të zhdukur.