Evolucioni i rokerit: prej një zhurmaxhiu margjinash, deri te presidenti i Amerikës. – Si ndodhi transformimi i rebelimit të artikuluar me muzikë në artikulim të durueshëm të rebelimit. – Pse pyetja e famshme e U2 në “Sunday, Bloody Sunday”: Deri kur do ta këndojmë këtë këngë, tani mori përgjigjen: Deri sa të shitet!… Telegrafi sjell shkrimin e vitit 1996, të publikuar në revistën për art dhe kulturë, “Sheshi”.
Nga: Blerim Shala
Në fillim rokeri ishte një zhurmaxhi i margjinave të qytetërimit perëndimor. Një kozer simpatik në kafenenë artistike, do të thoshte Çesllav Milosh. Pastaj rokeri u bë zbavitës masash, zbavitës profitabil.
Tani rokeri i sillte para vetes dhe shoqërisë. Për këtë shkak mbretëresha Elizabetë (kjo e sotmja; mos u habitni- mbretëreshat angleze jetojnë gjatë, pa marrë parasysh çka mendojnë rokerët për to) i dekoroi Beatlesat. Tashmë ata prej margjinave vijnë e bëhen pjesë e qendrës së sistemit: të industrisë për zbavitje dhe argëtim masiv, njëra ndër shtyllat e stabilitetit social dhe politik të Perëndimit.
Tutje, në vitet e ’60-ta, kombinimi i Vietnamit, i drogave, filozofisë indase (të cilën rokerët e akceptonin ashtu “të papërpunuar”, në “gjendje të parë”) dhe i muzikës bëri që rokeri të shpallë angazhimin e tij “për ndërrimin e botës”. Roku nuk është vetëm muzikë dhe zbavitje, por ai ka mision, ishte qëndrimi i rokerit të fundviteve ’60-ta.
Pasoi “Flower-power” lëvizja, bërja e politikës përmes muzikës (dhe anasjelltas), Woodstocku si ep heroik i shpirtrave të rebeluar (parafrazim i Miloshit). Në vend të ndryshimit të botës, nisi ndryshimi i rokerëve apo vetëvrasja e tyre me variantin “Overdose” (“Mbidozë”). Zgjedhja e rokerit u reduktua në dy mundësi: qiell ose sistem. Natyrisht, shumica zgjodhën variantin e dytë. Ky variant ishte plot vezullimë dhe glamur. Rokeri tani u bë hermafrodit (si Bowie): zbavit veten dhe zbavit masat. Flokët e gjatë më s’ishin “rekuzitit rok-guerili”, por imazh i të pajtuarve me fatin.
Kalimthi, kur është fjala për rokerin e viteve të ’70-ta, këtu mund të bëhet një krahasim interesant midis Punkut dhe “Brigadave të kuqe”. Dihet që lëvizja politike studentore e viteve të ’60-ta, e cila njëmend tronditi Perëndimin, pas dështimit (të pritur) mori dy kahe: shumica e rebeluesve, me të shtuar të viteve dhe të kilogramëve, u inkuadruan në establishment, u bënë “white collar” (Mills), por një pjesë e vogël e tyre radikalizuan qëndrimet dhe vlerësuan që me format revolucionare (vrasje, rrëmbime, atentate) do të mund ta “ndryshojnë botën”. Në këtë mënyrë lindën “Brigadat e kuqe” dhe fraksionet e ngjashme (Bader-Meinhoff në Gjermani).
“Sex Pistols” ishin në një mënyrë “rok-terroristë”, sepse qëllimi i tyre (dhe i punk rokerit) ishte trandja nga “trashësia e mirëqenies” përmes sharjes, fyerjes, pështymës, britmës.
Kjo britmë nuk kishte qëllim të fundit një “program të caktuar”. Britma ishte program dhe qëllim i fundit. Sidoqoftë, Punku dëshmoi që rebelimi është fëmijë legjitim i Rokut.
Punkerët përfunduan njëlloj si revolucionarët e “Brigadave të kuqe”: disa vdiqën (u vranë apo u vetëvranë), shumica u tërhoqën prej britmës dhe pështymës, gjegjësisht u transformuan në rokerë stabilë, rebelimi i të cilëve ishte i durueshëm dhe i pranueshëm.
Kështu, rebelimi i artikuluar me muzikë u bë artikulim i durueshëm i rebelimit. Rebelimi përmes rokut është institucionalizim i pakënaqësisë dhe kontrollim i saj.
Në këtë shëtitje paksa të shpejtuar nëpër “territoret” e banuara prej “rok rebeluesve”, mund të thuhet që në vitet e ’80-ta duket se janë dy grupe, që janë paradigmë të funksionimit “paksa ndryshe” të rokut, funksionim ky i cili s’mbetet sall argëtim, por që synon të jetë konfirmim i nonkonfmormizmit, gjegjësisht i një lloj angazhimi. Këto dy grupe janë The Smiths dhe U2.
Të parët ishin artikuluesit e rokerit cinik, i cili me një pop të mirë thumbon anglezin mesatar dhe mbretëreshën, madje më keq sesa The Sex Pistols. Kësaj here nuk do të elaborojmë më gjatë artkulimin cinik të The Smiths, të cilët me siguri janë rok bendi më i rëndësishëm britanik i viteve të ’80-ta.
Të dytët, pra U2, si irlandezë, domosdoshmërisht duhej të preokupoheshin me dy çështje: me politikë dhe me religjion (këtu do të lëmë anash preokupimin e tretë, futbollin).
Preokupimi me politikë, në kontekstin irlandez, domosdoshmërisht është pozicionim karshi dhunës dhe ndarjes së një populli, ndërsa tradita katolike impononte për U2 artikulimin e mesazheve të paqes dhe faljes.
Angazhimi eksplicit politik i U2 është transparent në albumin e tretë të tyre “War” (1983), i cili nuk është larg mendsh të cilësohet si më i miri rok- album i viteve ’80-të. “War” shënon zenitin dhe fundin e angazhimit të tyre eksplicit politik proirlandez. Kënga e cila është mishërim i këtij “angazhimi politik” është “Sunday, Bloody Sunday”, e cila ishte thirrje e drejtëpërdrejtë për ndërprerjen e dhunës në Irlandën Veriore. (shih përkthimin e saj), ndërsa “Two hearts beat as one” ishte aludim i qartë për bashkimin e Irlandës. Kur kënduan për herë të parë këtë këngë (“Sunday…”), U2, megjithë suksesin e madh me albumin paraprak “October”, ishin akoma bend pa përmasa planetare, pa tirazhe dyshifrore milionëshe të albumeve, pa “obligimin” që të “mendojnë mirë” se si dhe çka do të porosisin përmes muzikës së tyre. Mu për këto shkaqe, “Sunday, Bloody Sunday” ka mundur të incizohet vetëm në kontekstin e përmendur. Pasi që bëhen bend përmasash planetare (në vitet 1984-1985), Bono Vox e shihte të arsyeshme që në paralajmërimin e kësaj kënge të thotë: “Ka pasur shumë fjalë dhe keqkuptime rreth kësaj kënge. Kjo nuk është këngë rebele. Kjo është kënga “Sunday, Bloody Sunday…”. Vargu i mirënjohur i “Sunday…”, “kur fakti është fiksion dhe TV është realitet”, u kthye në këtë mënyrë, nëse mund të parafrazojmë, në qëndrimin: “kur teksti i këngës është fiksion dhe interpretimi i saj prej nesh është realitet”.
U2 nuk braktisën preokupimet e tyre politike edhe në fazën e dytë të karrierës së tyre, e cila nis me albumin “Unforgettable fire”. Por tani, ky preokupim s’është më autentik, nuk është ashtu “i egër”, nuk u dedikohet “problemeve lokale” (irlandeze). Tash e tutje U2 do të këndojnë për MLK-në (Martin Luter Kingun), për paqen dhe viktimat e shënuara në listat e AI-së (Amnesty International), më në fund- për “Miss Sarajevo”, ndodhinë bizare kur në Sarajevën e rrethuar u zgjodh bukuroshja boshnjake.
Kjo fazë e artikulimit të rebelimit të tyre, nëse parafrazojmë Artur Milerin, do të mund të quhej “rebelim i klimatizuar”, gjegjësisht i adaptuar për ligjet e show-businessit. Pyetja e famshme në “Sunday, Bloody Sunday”: Deri kur do të këndojmë këtë këngë, tani mori një përgjigje të këtillë: Deri sa të shitet.
Në albumin “Achtung Baby” U2 kanë një këngë “pendese”, të quajtur “Acrobat”. Nëse vargu i parë i “Sunday, Bloody Sunday” ishte “S’mund t’u besoj lajmeve sot”, në “Acrobat” kënga nis me konstatimin “Mos beso n’atë çka dëgjon” (për tutje, shih përkthimin). Në këngën “Acrobat”, në një rishikim të rrugës së kaluar, në ato porositë pleqërishte, lihen dy mundësi: pështyma ose përbirja. Pra, mllefi si i tillë, mbase pa efekt të madh (pa “ndryshimin e botës”), apo adaptimi i cili është bastardim. Akrobati këtu është mishërim i aftësisë së mbajtjes së ekuilibrit midis një britme thellësisht të sinqertë në “Sunday, Bloody Sunday” dhe të domosdoshmërisë së adaptimit në ligjet e tregut, i cili s’pranon dot “angazhim të njëanshëm”.
Mesazhet e “fazës së dytë” të U2, ta zëmë, janë porosi edhe të një Bill Clintoni, president i SHBA-ve. Zaten, tri arsyet kryesore pse Clinton u zgjodh president në vitin 1992, një vit pas fitores së madhe të Bushit në Luftën e Gjirit, ishin se ky është moshatar i “The Rolling Stones”, se nuk ka luftuar në Vietnam dhe se di t’i bjerë saksofonit. Në fakt, Clinton është reprezent i “të rebeluarve” të viteve të ’60-ta, të cilët në ndërkohë u adaptuan. Pra, Clinton është rokeri i parë që u bë kryetar amerikan. Kush do ta besonte në vitet e ’50-ta se mund të ndodhë një gjë e tillë? Por, “evolucioni” bën te veten kudo, pra edhe në rok dhe në politikë.
Por, ta lëmë politikën. U2 duket që braktisën ekuilibrimin e këngës “Acrobat”. Tani ata janë shndërruar në cinikë të pasur (sa bukur prezentohen në singlin e tyre të fundit “Discotheque” të albumit “Pop”). Ky lloj është zbulesë e Pop kulturës. Roku është cirk. Ndërsa akrobati është ylli kryesor i cirkut, apo jo!? /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Sekreti drejt zemrës së një gruaje!
Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
Viti 1922: Në Shkodër lindi Marie Shllaku
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje