LAJMI I FUNDIT:

Quo Vadis Republika e Kosovës?

Qytetari ynë më i thjeshtë dhe që nuk i ha palla se çfarë është kah zihet në politikën e përgjithshme, prandaj as në këtë politikën ‘kosovare’, e ka kuptuar mjaft mirë se shteti i Kosovës nuk i ka punët mirë, dhe jo vetëm në fushën e ekonomisë, shëndetësisë etj., por aq më tepër në atë të politikës. Madje në këtë kohën e fundit kur nga 24 orë, mbi 18 janë të mbarsura vetëm me politikë, këtij qytetari ka nisur t’i përzihet stomaku dhe të ndihet në siklet, jo vetëm si t’ia dalë në fund këtij dimri të ashpër me zahiretë që janë duke iu harxhuar në shpejtësi , por dhe çka po i sillet dhe çka po i përgatitet shtetit të tij, për të cilin ka frikë se mos po i “harxhohet” gati njësoj sikur zahiretë e dimrit. Kundërshtarët e shtetit të tij po bëhen për ditë e më të hapur, për të mos thënë edhe më të ashpër si edhe vetë ky dimër që na ka bllokuar nga shumë anë.

Brukseli s’është Rambuje


Fjalën defensivë unë e kam dëgjuar dhe mësuar qysh në shkollën fillore në lëndën e historisë që do të thotë sprapsje, tërheqje prapa. Defensiva e shtetit të Kosovës ka nisur qysh më herët, hala pa i marrë këmbët mirë, por hovin më të madh e ka marrë nga momenti kur politikanët e tij pranojnë dialogun me Serbinë në Bruksel, prej të cilit mund të dyshohet se Serbia do të përfitojë, kurse Kosova do t’ia shohë sherrin. Për ndjelljen e këtij sherri fajtorë kryesorë janë partitë në pushtet, por mëkatet hiç më të vogla nuk janë as të shumicës së partive në opozitë që kishin pranuar pjesëmarrjen, përveç “Vetëvendosje” që s’ishte pajtuar dhe kishte kundërshtuar.

Nuk është e vërtetë se ky dialog është bërë për shkak të presionit ndërkombëtar dhe s’ka pasur kurrfarë zgjidhje tjetër. Si mund të pranohet dialogu me Serbinë kur të gjithë e dimë se cilat janë apetitet e saj për të ardhmen e Kosovës, ku për shkak të gabimeve të Milosheviqit të cilën e humb në luftë, Tadiqi i vendosur lufton ta fitojë në paqe, nëse jo të plotë, atëherë edhe më mirë për të, aq sa dhe si atij i konvenon? Bujku më i thjeshtë, para se të vendosë ta lërojë tokën, qysh më parë analizon dhe teston dheun e saj se çfarë bereqeti e bën dhe çfarë rendimenti pret prej saj, ani ia nis punës, kurse politikanët tanë, pa farë analize dhe pa farë testi për rezultatin final të këtij dialogu me Serbinë, turr e drejt në Bruksel!

Nxitimi i politikanëve kosovarë për të bërë dialog me Serbinë pa kurrfarë agjente dhe strategjie të qitur përpara në tavolinë, do t’iu dalë kapuç me mëngë (por më e keqja që këtu po pëson Kosova, se sa për politikanët…). Por kjo nuk vlen edhe për Serbinë, sepse ajo kishte shkuar dhe do të shkojë për së shpejti e përgatitur mjaft mirë, e jo me duar në xhepa. E në qoftë se politikanët tanë e kanë menduar dhe pritur naivisht rezultatin e Brukselit se do të ndodhë sikur me atë të Rambujesë historike, janë mashtruar keq. Të gjithë e kanë kuptuar dhe janë kah e kuptojmë për ditë e më qartë, se vullneti i faktorit ndërkombëtar për ta mbështetur Kosovën në Bruksel siç e kishte mbështetur në Konferencën e Rambujesë, dallon si nata me ditë. Tash më nuk është ajo Serbia e Milosheviqit në Rambuje, siç nuk është as Kosova ajo e UÇK-së dhe e Rugovës.

Diplomacia serbe ka punuar aq shumë dhe aq me mend për kaq vite (gjë që s’mund të thuhet edhe për diplomacinë kosovare), sa ka arritur të ndikojë te një pjesë e mirë e faktorit ndërkombëtar që të ndiejë (nëse jo të shprehë) jo vetëm keqardhje për atë çfarë i kishte ndodhur më parë Serbisë, por edhe të pendohet, prandaj dhe ta përkrahë në realizimin e projekteve të saj që ajo ka për Kosovën. Kurse pasojat e këtyre projekteve ogurzeza të Serbisë në dëm të Kosovës po i ndiejmë dhe po i shohim për ditë e më shumë, por mbase me vonesë të madhe. Ajo është larg në ofensivë karshi Kosovës. A nuk flet për këtë më së miri 6-pikëshi dhe letra e sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moonit, dërguar Boris Tadiqit dhe Fatmir Sejdiut? Po 4-pikëshi i Tadiqit para disa javësh?

E kur do të kemi rastin që ta edhe ne ta shohim 3 apo 5-pikëshin e presidentes Jahjaga ose të kryeministrit Thaçi si kundërpërgjigje 6-pikëshit të sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moonit dhe bllokim të 4-pikëshit të Tadiqit? Mos na u paskan harxhuar të gjitha argumentet sa të mos kemi më me çfarë t’i dalim përpara Tadiqve të Serbisë? Mos plani i Ahtisarit do t’i ketë përfshirë në mënyrë të plotë të gjitha nevojat dhe kërkesat e Kosovës, sa nuk paska edhe për ne një kundërplan dhe asnjë plus kushtetutës së Ahtisarit? E pabesueshme.

Dialogu politik

Tashmë po dihet se s’ka asgjë të vërtetë nga dërdëllisja e mëparshme që mundoheshin për të na bindur se dialogu me Serbinë është vetëm teknik e jo politik, ndonëse pati zëra që me kohë nuk u pajtuan me këtë dhe e kishin kuptuar se ai ishte dialog politik. Si mund të kuptohet ndryshe ky dialog, kur në të hyhet pa u sqaruar dhe pa u zgjidhur përfundimisht plani 6-pikësh i sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moonit dhe, ky tash më taze, plani 4-pikësh i Tadiqit? Tash kur po pritet që së shpejti të rifillojë ky dialog me Serbinë, a priori është bërë e qartë edhe nga personalitete politike të shquara të BE-së se përmbajtja e tij është politike.

Politike po se po, por cilat pritet të jenë pasojat? E para, heqja dorë nga republika. A nuk e thanë thuaja njëzëri këtë xhevahir vetë ambasadorët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe jo më larg se këto dy ditë? Tërheqja e paraleles në mes shteteve të tyre dhe Republikës së Kosovës se as ato nuk e përdorin termin republikë në shumicën e rasteve, nuk është aspak shembull adekuat dha as rast i njëjtë. Shtetet e tyre mund të paraqiten qoftë edhe vetëm me germën e parë, dhe të mos ketë asnjë të keqe, por përfaqësimi i Republikës së Kosovës është çështje e ndjeshme dhe e komplikuar… Ata e dinë fare mirë se s’është e njëjta gjë. E dyta, autonomia ose statusi special për serbët e veriut të Kosovës, nëse s’e do ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve. E treta, marrja e statusit të kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE, etj…

Dhe kur pret rrokullisjen kësisoj të ngjarjeve të pakëndshme dhe të rrezikshme që do të ndodhin në periudhën e ardhshme, atëherë nuk ka si të mos shkojë mendja se si do të duket Kosova pas kësaj dhe cilat do të jenë veprimet e qeverisë së këtij shteti? Nuk duhet të na kaplojë pesimizmi, por ekziston droja se sheshet do të gumëzhijnë nga protestat, policët do të kenë më shumë punë, burgjet më shumë banorë, gjyqet më shumë procese…, e të mos i numëroj edhe dhjetëra të tjera. E po të ndodhte kështu, atëherë kjo ta kujton atë tregimin popullor si në atë rastin kur një njeri në kohë thatësire duke iu lutur Zotit që ta lëshojë shiun, ia kishte çuar breshrin, prandaj nis t’i lutet për të dytën herë që ta kthejë gjendjen e mëparshme. Larg asaj.