LAJMI I FUNDIT:

Qeveria kufizon mëditjet – ndalohen punëtoritë jashtë Republikës së Kosovës

Qeveria kufizon mëditjet – ndalohen punëtoritë jashtë Republikës së Kosovës

Me propozim të Ministrisë së Financave, sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për të ndaluar mbajtjen e punëtorive jashtë Republikës së Kosovës, që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve qeveritare.

Sipas njoftimit, nëpërmjet këtij vendimi synohet racionalizimi i shpenzimit të parasë publike, ku mjetet buxhetore të Qeverisë dhe ato të organizatave të huaja për këtë qëllim mbesin në tregun e Kosovës, duke krijuar mundësi shtesë për ekonominë e vendit, veçanërisht për sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë.

“Ky veprim është në përputhje edhe me Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, nëpërmjet të cilit do të kontribuohet që paratë e buxhetit dhe të organizatave donatore të përfundojnë në tregun vendor, veçanërisht në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë”, thuhet në njoftim.


Përmes këtij vendimi, Ministria e Financave do të caktojë tarifat e shpenzimit ditor dhe kriteret tjera për punëtoritë e tilla që organizohen brenda Republikës së Kosovës. /Telegrafi/