LAJMI I FUNDIT:

Pullë postare për nder të Nënë Terezës

Pullë postare për nder të Nënë Terezës

Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës në kuadër të manifestimeve gjithë kombëtare për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nenës Terezë, lansoi të enjten pullën postare me titull “100 Vjetori i lindjes së Nënës Terezë”

Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, tha se ky promovim dëshmon për shëmbëlltyrën e Nënës Terezë, e cila gjatë tërë jetës ka reflektuar humanistet dhe mirësi dhe ka dëshmuar se ishte ambasadori më i mirë i popullit shqiptar.“Është e natyrshme që në 100 vjetorin e lindjes së Nënës Terezë, pulla postare ta mbajë pikërisht portretin e kësaj nobeliste”, tha Haziri.

Kjo iniciativë erdhi si rezultat i bashkëpunimit të tri administratave postare: Postës së Kosovës, Postës Shqiptare dhe Postës së Maqedonisë. Në kuadër të këtij emisioni, tri administratat postare do të emetojnë nga një pullë postare me pamje të njëjtë, ku të tri pullat postare së bashku formojnë kompletin e këtij edicioni.

Sipas, Kastriot Abdylit, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës përveç kujdesit që ka për zhvillimin e shërbimeve postare dhe telekomunikuse, po ashtu rëndësi të posaçme do t’i kushtojë edhe promovimit të shtetit të Kosovës, përmes ambasadorit që depërton në të gjithë botën pullën postare.


Ky është emisioni i 59-të me radhë i pullave postare. /Telegrafi/