LAJMI I FUNDIT:

Pse nuk duhet te ndahet Maqedonia?

Si po punon koha për shqiptarët dhe pse do të jetë Maqedonia shteti i tretë (edhe) i shqiptarëve në Ballkan?

Në vend të angazhimit për luftë dhe ndarje të IRJM, ata që e duan vendin e vet dhe që kanë synime afatgjata dhe ide të qartë për interesa nacionale, do të angazhoheshin për ruajtjen e Maqedonisë dhe ri-rregullimin e saj të brendshëm në harmoni me interesat e popujve që e përbëjnë.


Korridoret strategjike (autostradat, hekurudhat, gazsjellësit , largpërçuesit etj) që do të lidhin jugun e Serbisë me Adriatikun, Maqedoninë me Adriatikun, Bullgarinë me Adriatikun etj, e faktorizojnë fuqishëm elementin shqiptar në Ballkan (Shqipërinë, Kosovën , Maqedoninë) , prandaj vende dhe struktura që po i humbin këto privilegje që i kishin në të kaluarën janë të interesuara për kriza, jo-stabilitet, madje edhe luftëra për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë dhe nuk mundë të jenë faktor integrues.

Postimi i shkrimeve dhe demokracia virtuale

Një mik i imi virtual, këto ditë e postoi një shkrim në facebook profilin tim, me temë “domosdonë” e ndarjes së Maqedonisë. Duke e postuar shkrimin edhe në dhjetëra profile të miqve të vet virtual, me siguri, do të lexohet nga më shumë njerëz se sa do të lexohej po të ishte botuar në ndonjërën nga gazetat e lodhëta ditore, që botohen te ne.

Kjo është një mundësi që teknologjia virtuale ua hapë edhe ideve që nuk mund të pretendojnë se janë në hap me “objektivat e mileniumit”.
Një mik tjetër, duke e ditur pak a shumë konceptin tim për këtë çështje, shprehu habi përse thjesht nuk e kam “delete” atë shkrim, si u shpreh ai.
Përkundrazi i thash – kërkesa për ndarjen e Maqedonisë nuk duhet heshtur, sepse demonizimi i sajë i krijon asaj ideje, ithtarë. Si ide ajo nuk është aspak serioze, pretenduese dhe nuk paraqet aspak kërkesë maksimaliste të shqiptarëve të Maqedonisë dhe as shqiptarëve në përgjithësi.

Vetë nacionalistët maqedonas e pëlqejnë dhe e përkrahin këtë ide, sepse e kuptojnë shumë qartë se kjo është një kërkesë shumë modeste dhe aspak përfituese dhe sfiduese për shqiptarët, sidomos për shqiptarët e rinj, evropian, të cilët e duan vendin dhe popullin e vet dhe duan përparimin e tij. Madje , ata bëjnë plane dhe pazare publike se cilat qytete fshatra, apo lagje janë maqedonase, cilat jo.

Për pretendimet kombëtare të elitës (elitave?) së re ekonomike, politike dhe ushtarake të shqiptarëve në Ballkan, e cila është konektuar plotësisht me idenë dhe synimet evropiane, kërkesa për ndarjen e “FYROM” është e paarsyeshme, aspak ambicioze dhe nuk zgjidhë asnjë nga synimet strategjike rajonale të shqiptarëve.

Akademitë e memorandumeve dhe luftërave , me doktorët e vetëqeverisjes dhe të kooperativave

Uria për territore, fatkeqësisht nuk është vetëm kërkesë e grupeve tradicionaliste dhe rurale, por edhe nëpër akademitë e shkencave në Ballkan, me anëtarësi gati krejtësisht (respekt përjashtimeve) senile, ende gjallërojnë, madje mbizotërojnë ëndrrat e fillimshekullit të kaluar për toka, territore. Këta pleq agresiv, sikur nuk shkëputen dot nga tezat e tyre të doktoraturës me retorikë baritore dhe me analiza strategjike për kooperativat dhe rritjen e rendimentit të leshit dhe të dhive .

(Të më falin dhitë, të cilat krejt pa fajin e tyre hynë në këtë tekst, për krahasimin figurativ me “dhitë politike” të cilat vazhdojnë të “blegërijnë si asnjëherë” në skenën politik dhe intelektuale të Ballkanit dhe vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe të thërrasin për luftëra të reja).

Ndërkohë, krijimi i krizave, padyshim se është biznes i mirë i bandave lokale, kudo nëpër botë, edhe në Ballkan posaçërisht, dhe këtë e bëjnë për interesa nga më të ndryshmet, dhe gjithnjë e gjejnë një arsye dhe deri më tani është dëshmuar se nëse të gjitha kartat nuk “dhezin”, ajo e nacionalizmit ka me “dhezë” patjetër.

Në shtetet shumetnike, kjo tashmë është mënyrë e dëshmuar, aksiomë politike që e përdorin me qejf të gjithë krijuesit bashkëkohorë të krizave.
Si duket, dikujt i duhet një krizë e fortë edhe në Maqedoni, prandaj kanë filluar lëvizjet e grupeve të armatosura natën, prandaj kanë filluar konfliktet verbale, fërkimet e fuqishme pozitë-opozitë, pozitë-pozitë… e gjithfarë fërkimesh.

Kjo bëhet pavarësisht faktit se, edhe nëse hyhet në luftë sërish ajo do të përfundoi një ditë dhe palët do të ulen në tavolinë dhe do të arrijnë pak a shumë të njëjtat rezultate, por ajo që do të arrijnë gjithashtu ,është se demokracia në rajon do të bëjë një hap prapa, ndërkohë që mafia do të konsolidohet dhe do të mbushë gjepat edhe më shumë me paratë publike dhe të qytetarëve.

Pse nuk duhet të ndahet Maqedonia?

E njëjta pyetje do të mund të bëhej përse nuk duhet të ndahet Zvicra?
Përse nuk duhet të ndahet Bosnja?
Madje , madje kjo mund të bëhet edhe për Kosovën?
Përse, të mos luftohet pasi “ ne kemi të drejtë” do të pretendoi secila palë, ose “ne do të fitojmë” do të shpresoj secila palë ?
Në këtë , në dukje kontradiktë retorike , në fakt mendoj se gjendet edhe përgjigjja dhe kjo do të mund të formulohej pak a shumë kështu:

Në pikat e takimit të kulturave, popujve, pas luftërave për mbizotërim, arrihen konsensuse , qoftë të deklaruara qoftë të heshtura lidhur me ndërtimin e njësive politike të përbashkëta, ku do të bashkëjetonin pjesëtarët e bashkësive të ndryshme.

Ky pluralitet, në disa vende shfrytëzohet me mençuri dhe shërben si urë bashkëpunimi i popujve ( Zvicra ), ndërkaq në vende të tjera si Bosnia dhe Hercegovina, kjo për një kohë pat funksionuar relativisht mirë, madje duke e quar aq larg këtë bashkësi, sa një e treta e popullsisë jetonte në paqe, në martesa të përziera. Kur kihet parasyshë origjina,gjuha dhe kultura e përafërt, dhe se dallimet ishin kryesisht religjioze, kjo do të duhej të ishte ecje përpara. Lufta e fundit, megjithatë tregoi se liderët e uritur për territore si ishin Millosheviq e Tudjman, do ta ndanin atë me gjakftohtësi të madhe duke e vizatuar hartën e sajë në një facoletë letre.
Viktima e radhës dolën të jenë boshnjakët autentik të cilët synonin një Bosnje në vete, një Bosnje unike.

Te Maqedonia ndërkaq, duket se përpos origjinës etnike të popullatës, faktorë tjetër tejet i rëndësishëm është edhe pozita gjeostrategjike e sajë, e ndodhur në korridore të infrastrukturës transkontinentale, kontinentale dhe regjionale tejet të rëndësishme.

Në një luftë eventuale për ndarjen e Maqedonise , që domosdo do të ishte ballkanike, shqiptarët dhe maqedonasit do të ishin humbësit kryesorë , do të vriteshin më së shumti, do të dëmtohej pasuria e tyre sepse lufta do të zhvillohej në pronat e tyre. Në vend se të zgjidhnin, në fakt vetëm do të krijonin një problem të ri politik ( ushtarak) regjional dhe kontinental.

Tërheqja pa luftë e ushtrisë serbe nga Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë i ka befasuar vetëm ata që nuk e kanë të qartë këtë konstalacion forcash dhe interesash apo ata të cilët kanë interesa të mëdha nga kriza nga kriza prandaj edhe nuk hezitojnë t’i krijojnë ato.

Shqiptarët në Ballkan , të rreshtuar për herë të parë plotësisht në civilizimin perëndimor, pretendojnë që në të ardhmen të jenë faktor koheziv dhe paqekrijues në rajonin e Ballkanit, faktori kyq integrues , jo vetëm në kuptimin infrastrukturor por edhe me aftësinë për të ndërtuar relacione bashkëpunimi me fqinjët.

Korridoret strategjike ( autostradat, hekurudhat, gazsjellësit , largpërçuesit etj ) që do të lidhin jugun e Serbisë me Adriatikun, Maqedoninë me Adriatikun, Bullgarinë me Adriatikun etj, e faktorizojnë fuqishëm elementin shqiptar në Ballkan ( Shqipërinë, Kosovën , Maqedoninë) , prandaj vende dhe struktura që po i humbin këto privilegje që i kishin në të kaluarën janë të interesuara për kriza, jo-stabilitet, madje edhe luftëra për të dëshmuar se shqiptarët nuk mundë të jenë faktor integrues.

Shqiptarët, do të duhej që Maqedoninë ta përjetojnë si shtetin e tretë (edhe) shqiptar në Ballkan, madje do të duhej të angazhohen veçanërisht në këtë drejtim.

Me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO, të gjitha ushtritë dhe para-ushtritë në Ballkan e kanë marrë mesazhin , se tërësia territoriale e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës është interes strategjik i perëndimit në Ballkan dhe çdo forcë që vepron në drejtim të kundërt, është në linja tjera strategjike dhe do të ndeshet me përgjigje adekuate.

Madje edhe Ushtria Serbe e ka kuptuar se interes i sajë është të bashkëpunoi me perëndimin dhe angazhimet e fundit në Afganistan dhe Irak e tregojnë se ngadalë por sigurt po rirreshtohen kah kontinenti i vjetër.

Forcat të cilat po humbin tokë nën këmbë, në Serbi, Maqedoni, BeH, Kosovë, Shqipëri, Greqi etj, shpresën e fundit, dhe biznesin kryesor e kanë të orientuar nga konfliktet, krizat dhe marrëdhëniet e këqija mes popujve të Ballkanit.

Pse besoj se nuk duhet dhe nuk do të ndodhë ndarja e IRJM?

Nuk mendoj se kjo do te ndodhe, nuk mendoj se do te ndodhe dhe se duhet te ndodhe ndarja e IRJM. Por besoj se gjithsesi do te ndodhe një ri-rregullim i brendshëm i saje.
Marrëveshja e Ohrit, nuk është libër i shenjët që nuk mund të ndryshohet, dhe ajo gjithsesi me bisedime me ndërmjetësim ndërkombëtarë mund te zhvillohet me tej, por është tejet e gabuar të hidhet poshtë si e tillë dhe të fillohet sërish prej fillimi, ashpërsohen relacionet me fqinjët tanë në IRJM duke e tërhequr sërish klasën e luftëtarëve nacional në llogore të luftës.

Në vend të angazhimit për luftë dhe ndarje, ata që e duan vendin dhe që kanë synime afatgjata dhe ide të qartë për interesa nacionale, do të angazhoheshin për ruajtjen e Maqedonisë dhe ri-rregullimin e sajë të brendshëm në harmoni me interesat e popujve që e përbëjnë
Koha ka dëshmuar, se popujt e Ballkanit nuk arrijnë të komunikojnë dhe të jetojnë në paqe nëse nuk ndërmjetësohen nga një angazhim unik Euro-perëndimorë ( këtu përfshihet edhe USA)

Sfidë për atdhetarët, shqiptarë dhe maqedonas do të jetë të ndërtojnë paqen, shtëpinë e përbashkët ku të gjithë do të ndjehen të lirë, të krijojnë sa më shumë vende pune dhe të hapin sa më shumë shkolla e biznese dhe në këtë fushë të bëjnë garë me të tjerët. Përpos atyre që merren me biznesin e luftës, natyrisht.

Nëse nuk e arrijnë këtë, pretendimet e fqinjëve për një copë të madhe apo të vogël Maqedonie, do të ndezin sërish zjarrin e një lufte ballkanike e cila nuk besoj se është në interes të popujve përreth.