LAJMI I FUNDIT:

Pse ndonjëherë të biesh në dashuri duket e frikshme?

Pse ndonjëherë të biesh në dashuri duket e frikshme?

Shkencëtarët thonë se përgjigjja qëndron në reagimin “lufto ose ik”

Sistemi ynë nervor simpatik reagon në mënyrë të barabartë ndaj rënies në dashuri dhe ndaj rrezikut.


Zbuloni pse është kështu…

Të biesh në dashuri me dikë është sa një përvojë fizike po aq edhe emocionale. Por në shumë raste, simptomat fizike që keni mësuar t’i lidhni me rënien në dashuri (rrahje të shpejta të zemrës, flutura në stomak, etj.) në fakt nuk janë efekte anësore të dashurisë.

Psikologët thonë se këto ndjesi mund të jenë shenja paralajmëruese të sistemit tuaj nervor simpatik, ose më saktë, reagimi i trupit tuaj “lufto ose ik” bëhet i ekzagjeruar.

Reagimi “lufto pse ik” është krijuar për t’u aktivizuar kur trupi ynë ndien rrezikun për të na ndihmuar të mbijetojmë në situata kërcënuese për jetën, shpjegon psikologia klinike Allison Chase për well+good.com, transmeton Telegrafi.

Kjo përgjigje kontrollon sistemin tuaj nervor simpatik, i cili, gjithashtu, kontrollon rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut, tretjen dhe funksionet e tjera kryesore.

Kur aktivizohet, sistemi nervor simpatik pompon hormone në trup (si adrenalina dhe kortizoli), përshpejton rrahjet e zemrës, rrit rrjedhjen e gjakut në muskuj, zgjeron bebëzat dhe ndikon në funksionin e stomakut, thotë Dr. Chase. Dhjetë mijë vjet më parë, kjo përgjigje na dha energjinë dhe aftësinë për të shpëtuar nga luanët e uritur ose nga kërcënuesit tjerë të jetës, thotë Dr. Chase.

Shumica e kërcënimeve nuk vijnë në formën e kafshëve të rrezikshme. Në vend të kësaj, kërcënimet janë shumë më delikate dhe mund të jenë një email nga një menaxher ose një takim i parë me dikë. Dr. Chase thotë se trupi reagon ndaj këtyre stresorëve në të njëjtën mënyrë sikur të ishim përballë një luani. Pse? E thënë thjesht, kjo ndodh sepse sistemi nervor nuk është përshtatur ende për t’u përballur me të gjithë stresorët e përditshëm të jetës, thotë ajo

“Ne kemi ende të njëjtat funksione bazë trupore dhe biologjike që kishim 10,000 vjet më parë,” thotë ajo. “Sistemi nervor autonom i disa njerëzve aktivizohet gabimisht kur ata nuk janë në rrezik real dhe përfundojnë duke përjetuar të njëjtat simptoma fiziologjike sikur të ishin. (Këto aktivizime të rreme janë veçanërisht të pranishme, vëren ajo, te njerëzit me trauma seksuale ose në marrëdhënie).

Pavarësisht nëse është shkaktuar saktë apo gabim, zinxhiri fizik i reaksioneve që pason aktivizimin e sistemit nervor është i njëjtë, thotë terapisti i certifikuar i seksit Casey Tanner: “Kur aktivizohet, sistemi nervor simpatik e zhvendos shpejt rrjedhën e gjakut nga aktivitetet si tretja te muskujt, kështu që ju mund të luftoni ose të ikni nga një kërcënim i perceptuar.”

Ndonjëherë ju ndjeni flutura në stomak dhe pëllëmbë të djersitura pikërisht kur i dërgoni një mesazh dashurisë tuaj – dhe kjo sepse sistemi juaj nuk është i përshtatur. “Kur jemi në rrezik të vërtetë, ky sistem (luftimi ose ikja) është ende shumë i dobishëm, shpeshherë shpëtimtar,” thotë Dr. Casey. Por kur nuk jeni, padyshim që mund të jetë tepër konfuze.

Pra, si mund ta dalloni nëse përgjigja juaj për të luftuar ose për të ikur është një alarm i rremë ose një flamur i kuq kur takoheni? Kemi kërkuar nga ekspertët e shëndetit mendor që të na japin më shumë njohuri.

Çfarë të bësh nëse të pëlqen ish i dashuri i shoqes tënde më të ngushtë?
Lexo po ashtu Çfarë të bësh nëse të pëlqen ish i dashuri i shoqes tënde më të ngushtë?

Modaliteti lufto-ose-ik, dashuria dhe takimi

Siç u përmend, është e mundur që sistemi juaj nervor simpatik mund të shkaktohet nga gjëra që në fakt nuk janë të rrezikshme (por mund të jenë të reja, emocionuese ose stresuese), thotë Dr. Casey. Mund të jetë përgjigja kur shohim se kemi marrë një mesazh nga një partner i mundshëm ose shohim që ai po na telefonon, ose po përgatitemi ta telefonojmë.

Megjithatë, ndonjëherë modaliteti lufto-ose-ik aktivizohet sepse ne e kemi gjetur veten në një situatë potencialisht të pasigurt, thotë Dr. Casey. “Mund të jetë sfiduese të dallosh nëse fluturat janë vetëm shenja eksitimi apo shenja të ankthit të rrezikshëm dhe mbrojtës”. Megjithatë, nuk është e pamundur.

Gjashtë shenja që një djalë të pëlqen, por ka frikë të ta thotë
Lexo po ashtu Gjashtë shenja që një djalë të pëlqen, por ka frikë të ta thotë

Kur është kjo një përgjigje e justifikuar?

Me pak fjalë, duke u përshtatur me mjedisin tuaj, duke angazhuar mendjen tuaj dhe duke u mbështetur te miqtë tuaj. Edhe pse një pjesë më primitive e trupit tuaj mund të mos jetë në gjendje të gjykojë nëse diçka është vërtet e rrezikshme, “korteksi juaj paraballor është i pajisur për ta gjykuar atë”, thotë Tanner.

Nëse duart tuaja dridhen, keni flutura në stomak ose simptoma të tjera të reagimit ndaj stresit, ose vini re një ndjenjë të fortë se diçka nuk është në rregull, Tanner rekomandon t’i jepni vetes disa minuta për të menduar për situatën. Filloni duke pyetur veten: Përtej simptomave që po përjetoj tani, a ka ndonjë provë që jam fizikisht dhe/ose emocionalisht i pasigurt – apo mund të jem së shpejti? Nëse përgjigja është po – dilni nga situata menjëherë.

Nëse përgjigja është jo, Tanner sugjeron të pyesni: “A po shkakton kjo situatë diçka që ishte e dhimbshme në të kaluarën?”

Nëse jeni në një marrëdhënie të qëndrueshme dhe nuk mund të kuptoni pse trupi juaj reagon ashtu, Tanner sugjeron të mbështeteni në komunitetin tuaj: “Pyetni një mik ose terapist të besuar se çfarë mendojnë për situatën. Sepse ata nuk e shikojnë atë me thjerrëzën e intensitetit emocional dhe mund të kenë një pasqyrë që është e vështirë për ty të qasesh në fazat e hershme të një marrëdhënieje.” /Telegrafi/