LAJMI I FUNDIT:

Pse masakra e 26 shkurtit 1951 është më tipikja e krimeve të komunizmit?

Pse masakra e 26 shkurtit 1951 është më tipikja e krimeve të komunizmit?

Nga: Uran Butka

Masakra e mesnatës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit, një plojë e pashembullt e terrorizmit shtetëror dhe njëherësh akti më antiligjor dhe më i paprecedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj. Pse?

Së pari, koha kur u realizua masakra ishte momenti i kalimit nga dominanca e plotë politike jugosllave, në vartësinë e plotë sovjetike të Shqipërisë. Më datën 19 shkurt, ora 9:00, ishte mbledhur Plenumi i KQ të PPSh-së, që sanksiononte dhe rrënjoste kursin stalinist të Partisë e të shtetit shqiptar. Enver Hoxha, sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe Kryeministër, në raportin e tij theksoi: “Politika staliniste e Bashkimit Sovjetik të jetë fari që do të na ndriçojë në rrugën tonë. Kjo do të jetë epiqendra e gjithë politikës dhe aktivitetit të Partisë dhe qeverisë”.


Pikërisht atë ditë, pra, më 19 shkurt, ora 19 e 47 minuta, u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike një sasi e vogël dinamiti, që shkaktoi një krisje të fortë, theu disa xhama, asgjë tjetër. Në fakt, ky ishte një akt i një grupimi ilegal me emrin “Bashkimi Kombëtar”, që nuk kishte synim të vriste njerëz, por të rrëfente botërisht qëndrimin kundër politikës staliniste të Partisë dhe qeverisë shqiptare, vasale të politikës sovjetike. Pra, një akt antisovjetik. Ata që e hodhën dinamitin, Qazim Laçi dhe Hysen Llulla, si dhe anëtarët e tjerë të asaj organizate u arrestuan menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, u mbajtën në hetuesi në fshehtësi të plotë dhe u dënuan pas tetë muajsh. Pra, diheshin personat që kishin shkaktuar atë incident.

Së dyti, personat që u pushkatuan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, ishin krejt të pafajshëm, nuk kishin njohje me njëri-tjetrin dhe nuk kishin asnjë lidhje me incidentin në Ambasadën Sovjetike, as me ata që e kishin hedhur dinamitin.

U zgjodhën nga Sigurimi i Shtetit dhe Byroja Politike intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli në themelet e kthesës politike, personalitete me peshë si Sabiha Kasimati, nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare; Tefik Shehu nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali; Niko Lezo nga Delvina, i diplomuar për kimi në Universitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar(1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët; Jonuz Kaceli, tregtar i njohur nga familja e shquar tiranase Kaceli; Manush Peshkëpia nga Gjirokastra, intelektual shumëplanësh, poet e publicist; Anton Delhysa nga Prizreni, ndërtues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullsit etj.; Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit; Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë antifashistë; Zyhdi Herri nga Tirana, gazetar; Qemal Kasoruho, nëpunës; Ali Qorraliu, pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik; Petro Konomi nga Përmeti, i lauruar në Robert Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali; Reiz Selfo, nga Gjirokastra, tregtar; Gjon Temali, intelektual nga Shkodra, studiuar në Austri; Pjetër Guraziu, nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali; Pandeli Nova, intelektual, shtresë e pasur; Thoma Katundi nga Korça, veprimtar i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në ShBA; Mehmet Ali Shkupi, shqiptar nga Shkupi, nëpunës; Fadil Dizdari, librar; Hekuran Troka nga Kuçova, tregtar; Lluka Rashkoviq, biznesmen nga Mali i Zi.

Së treti, vendimi për të realizuar këtë masakër kolektive, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Selinë e KQ të PPSh-së, në mbledhjen e datës 20 të Byrosë Politike të Partisë-shtet. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet me në krye E. Hoxhën dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi, të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndë sishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. “Jemi dakord me këto masa”, thanë gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

Së katërti, arrestimet që u kryen më datën 20-23 shkurt 1951, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti të prokurorit dhe pa ndonjë vendim Gjykate, vetëm mbi listat e të dyshimtëve apo mbi dëshirën perverse të krerëve të Partisë, sidomos të Enver Hoxhës.

Bie fjala, Enver Hoxha shënoi emrat e Sabiha Kasimatit, Manush Peshkëpisë, Reiz Selfos, Qemal Kasaruhos, sepse ata e njihnin mirë si gjirokastritë Enver Hoxhën, madje disa edhe e kishin ndihmuar, ndërkohë që ai donte t’i fshinte.

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u … (pika… pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri çdo personi që do të ekzekutohej.

Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje.

Sigurimi i Shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.

Së pesti, akuza e prokurorit ushtarak Siri Çarçani mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”.

Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pambështetur në asnjë provë.

Më pas, Siri Çarçani dëshmon: “Unë, kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve”.

Së gjashti, nuk u bë ndaj të arrestuarve as hetuesi, as gjyq, as apelim, pra, u shkelën dhe u anashkaluan të gjithë etapat e Kodit Civil e Penal dhe viktimat u pushkatuan fshehtas në mesnatë në breg të lumit të Erzenit, që të zhdukej çdo gjurmë, siç ishte në kodin e sektit partiak dhe të shtetit komunist. Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Rasim Dedja, dëshmonte: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit”.

Së shtati, ndaj të arrestuarve, le t’i quajmë “të pandehur”, u ushtrua një dhunë dhe terror i paligjshëm, që binte ndesh me dispozitat kushtetuese të ligjit 372, datë 12.12.1956, si edhe me konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria shqiptare. Le të përmendim vetëm një rast: Jonuz Kacelin e torturuan për vdekje në qelitë e Sigurimit të Shtetit. E vranë gjatë torturave dhe kufomën e tij e hodhën nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje.

Së teti, meqenëse pushkatimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë vendit, ngaqë lidhej me incidentin në Ambasadën Sovjetike, Gjykata e Lartë hartoi pas pushkatimit disa procesverbale fiktive, sikur ishte zhvilluar gjyqi, mirëpo këto procesverbale të falsifikuara kishin pasaktësi të dukshme dhe nuk u firmosën nga dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Hydai Beja dhe Nonda Papuli, të cilët refuzuan të nënshkruanin pasi gjyqi nuk ishte zhvilluar. Pra, kemi të bëjmë edhe me një falsifikim të dokumenteve gjyqësore për një gjyq inekzistent.

Procesverbalet e falsifikuara u firmosën nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti, dhe anëtari i Gjykatës së Lartë Ushtarake Vangjel Kocani, i cili dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike… Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 vetë janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë Kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel, mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme.. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor.

Së nënti, meqenëse kjo ngjarje kriminale dhe absurde doli zbuluar para opinionit publik të brendshëm e sidomos të jashtëm, shteti shqiptar, duke nisur nga Ministria e Brendshme dhe deri te Presidenti i Republikës, Omer Nishani, hartuan dhe firmosën një dekret, dekreti i zi, të huazuar nga përvoja sovjetike.

Ky dekret i datës 26 shkurt 1951, i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj – që siguronte e përligjte arrestimet dhe vrasjet e paligjshme, shmangte etapat e procedurës penale, përbënte një mohim të plotë të principeve të drejtësisë, një shkelje të përbindshme të të drejtave dhe lirive të njeriut, një përdhosje të ligjeve të asaj kohe si edhe kartën e OKB të firmosur nga qeveria shqiptare.

Mbi bazën e këtij dekreti, u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban datën 27.2.1951, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të procesverbalit.

Së dhjeti, u bë një operacion masiv dhe represiv i Sigurimit të Shtetit për dëbimin dhe internimin e dhunshëm e të paligjshëm të familjeve të tyre në kampe pune dhe përqendrimi, si në kampin famëkeq të Tepelenës, ku provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, siç shkruhet në vendimin e internimit, banimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, izolimin e plotë, moslejimin e shkollimit, të lëvizjes së lirë dhe dënimet e rënda. Përveç këtyre, viktimave dhe familjeve të tyre iu sekuestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat. Zonja e Tofik Shehut, nga Gjakova, që kishte kryer studimet për skulpturë dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës; Hysenin, që e kemi sot këtu, një viktimë e gjallë e atij sistemi kriminal. Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim “Peshqit në Shqipëri” dhe e botuan me emrin e një rusi Anatoli Koljakov. Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyre intelektualëve i morën pushtetmbajtësit, duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkëpisë.

Të gjitha këto shkelje juridike dhe ekzekutive, ndonëse konspirative, nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe nuk e mbuluan dot fytyrën kriminale të shtetit komunist. Dhe asnjeri prej urdhëruesve dhe zbatuesve të Masakrës nuk u ndëshkua, as përgjatë tranzicionit demokratik, megjithëse mjaft prej tyre jetuan pa iu hyrë gjemb në këmbë.

Viktimat e pafajshme u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe në fshehtësi u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Bashkë me 22 të gjallët, ndodhej edhe një i vdekur, Jonuz kaceli, i vrarë në hetuesi. Në mesnatë, fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. Një fshatar nga Mëniku, xha Kadriu, rrëfen: “Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte atje, i ra të fiktë tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish. Ishte trupi i patretur i Sabiha Kasimatit.

Në trend Kultura

Më shumë
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Brenda korridoreve të UNESCO-s, jashtë odës së kombeve

Brenda korridoreve të UNESCO-s, jashtë odës së kombeve

Kulture
Donika Kastrioti, princesha e Arbërit

Donika Kastrioti, princesha e Arbërit

Kulture
MALL

MALL

Poezi
Kalo në kategori