LAJMI I FUNDIT:

Pse kundër?

Sa mirë do të ishte sikur misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë të mos e kishte të drejtën që ta nënshkruante Protokollin e Marrëveshjes me Serbinë!
Të paktën, Serbisë do t’i shtyhej edhe për gjashtë muaj Shengeni i Bardhë. Logjikë ballkanike, por jo vetëm ballkanike. Ndryshe nuk bëhen marrëveshjet me shtetet e llojit të Serbisë.

Por, realiteti nuk është ashtu, sikur e dëshirojnë Kosova e Serbia. Është paksa më ndryshe, andaj ka edhe mosmarrëveshje. Beogradi, për të treguar se “Kosova është ende pjesë e Serbisë”, insistoi që të gjithë kosovarët, të cilët do të pajiseshin me pasaportë serbe do të kishin të drejtë lëvizjeje të lirë në Bashkimin Evropian, gjë që nuk u lejua. Veç kësaj, iu vu si kusht vendosja e rregullit në kufij, ani pse ajo ende i quan administrativë.


Nëse brenda këtij protokolli nuk ka më shumë se ajo që është bërë publike, atëherë pse gjithë ky kundërshtim, pa treguar se ku qëndron e keqja e madhe. Gjashtëpikëshit të Ban Ki Moon-it, Prishtina i është përgjigjur “JO”, apo jo!?

Presidenti, kryeministri, ministrat, qytetarët, që kur janë djegur pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë kërkuar vendosjen e kontrollit në veri, atje ku EULEX-i ende nuk është shtrirë si duhet nga fika se do të kafshohet.
Secili e di që Serbia është ende në gjendje t’ua ndërrojë identitetin kombëtar kriminelëve të vet dhe t’i deportojë ata në Kosovë për t’i treguar pastaj gjoja botës gjithandej se “ja çfarë bëjnë shqiptarët”. I këtillë është ky fqinji ynë!

Serbia nuk e nënshkruan këtë marrëveshje për t’i ndihmuar Kosovës, por për interesa të veta, në radhë të parë për plotësimin e kushtit të vënë nga Brukseli për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian nga 1 janari 2010.
Sikur Serbia ta kishte njohur Kosovën, atëherë nuk do të ekzistonte EULEX-i. E derisa Misioni Evropian është i pranishëm, atëherë kush ka pritur që Qeveria e Serbisë do të nënshkruajë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës? Askush. Pra, Prishtina nuk ka punë me Beogradin, derisa e ka EULEX-in.

Por, kur debati merr kahe të mbrapshtë, përdoret fjala “mos çoni kot pluhur”.
E këtë pluhur po e përhap Qeveria dhe EULEX-i, për shkak të qeverisjes së keqe dhe jotransparencës, dy prej karakteristikave kryesore të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare në këto dhjetë vjetët e fundit në Kosovë.

Plani i Përbashkët për Veprim i Këshillit të Bashkimit Evropian, neni 3, pika (h) e këtij akti, i jep të drejtë EULEX-it që ta marrë përsipër çdo detyrë tjetër, me apo pa mbështetjen e organeve të Kosovës, për ta siguruar ruajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendit dhe sigurisë publike. Gjithçka e qartë. Pra, EULEX-i ka të drejtë ta nënshkruajë Protokollin me Serbinë, sepse është këtu sipas Rezolutës 1244, e jo në bazë të Planit të Ahtisaarit, rrjedhimisht Kushtetutës së Kosovës, e as në bazë të asaj letre që Presidenti i Kosovës i paska dërguar shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian.

Andaj, Presidenti e Kryeministri duhet të tregojnë se nuk mund ta ndalojnë nënshkrimin e këtij protokolli, por mund t’i vënë kushte EULEX-it që veç vendosjes së rregullit të kufijve me Serbinë (për interes të Serbisë, e që është edhe interes i Kosovës), ta përshpejtojë shuarjen e strukturave paralele. Edhe ashtu, marrëveshja ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve për personat që bien ndesh me ligjin, ku futen drejtuesit e strukturave paralele serbe, disa prej të cilëve janë përfitues të mëdhenj të kontrabandës që zhvillohet në doganat që i ka marrë “nën kontroll” hëpërhë misioni evropian për sundimin e ligjit.

Përveç kësaj, janë edhe shumë çështje të tjera me të cilat EULEX-i duhet patjetër të kushtëzohet, nëse dëshiron t’i gëzojë disa nga kompetencat ekzekutive, duhet të gjejë forma se si ta bindë Serbinë ta zbardhë çështjen e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, t’i kthejë të trupat e civilëve të vrarë, pensionet dhe arkivat. Por, për fat të keq, opinioni nuk di se si të rreshtohet rreth kësaj marrëveshjeje, pasi shtirja prej kohësh është bërë politikë ditore në Kosovë. Edhe Yves de Kermabo po i kopjon Presidentin dhe Kryeministrin, të cilët shpeshherë dalin në opinion për asgjë, derisa fshihen atëherë kur duhet të sqarojnë diçka.