LAJMI I FUNDIT:

Protestat dhe qytetari aktiv

Përgjithësisht, pjesëmarrja aktive e qytetarëve identifikohet me “pjesëmarrjen në votime”. Përveç kësaj forme të të kontribuarit, ekzistojnë edhe procese të tjera me të cilat qytetarët mund të ushtrojnë ndikimin e tyre në proceset politike, si p.sh. përmes demonstratave, protestave, peticioneve, referendumeve, shkresave publike etj. në të cilat ata shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me zhvillimin e politikave dhe kërkojnë një mirëqenie më të mirë.

Këtë, formën e dytë të pjesëmarrjes aktive të shoqërisë, e kemi parë të shpeshtë këtyre javëve me protestat kundër hajnisë në KEK, e që vazhduan kundër hajnisë së përgjithshme në gjithë Kosovën. Këto protesta, të organizuara nga “Grupi i qytetarëve të organizuar”, përveçse treguan një kulturë politike të shoqërisë sonë, dhanë edhe shkëndijën e parë të dritës në fund të tunelit, që për disa ishte vetëm një frazë e njohur e një doze optimizmi imagjinar, por që kësaj here u paraqit si një e vërtetë e fuqishme dhe depërtuese.


Në raport numerik, pjesëmarrja e njerëzve në këto protesta nuk ishte aq e madhe sa pritej. Duke qenë e bindur se numri i të pakënaqurve me sistemin qeverisës është shumë më i madh, gjithsesi asgjë nuk duhet të vlerësohet numerikisht sa duhet të vlerësohet përmbajtësish. Immanuel Kanti në veprën e tij “Ç`është iluminizmi “ thotë se arsyeja nuk korrespondon me numrat e atyre që pohojnë diçka, por me fuqinë e të menduarit të përbashkët për kauza të përbashkëta, pa kufij mode a yjësie forcash.

Prapëseprapë, më lejoni t’ju përkujtoj se në të gjitha protestat e organizuara më parë ka pasur vazhdimisht zvogëlim të numrit të pjesëmarrësve. Sidomos kur ato janë organizuar rishtazi për të dytën apo të tretën herë, pjesëmarrësit dorëzoheshin dhe hiqnin dorë nga këto organizime duke mos besuar në efektin që do të arrinin të transmetonin. Në këto protesta ndodhi e kundërta e asaj çka parashikohej: çdoherë ka pas rritje të numrit të pjesëmarrësve, gjë që tregon ndërgjegjësimin dhe rezistencën e shoqërisë që kërkesat e tyre të adresohen dhe për to të jepet llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për plaçkitjet që u janë bërë.

Përveç pjesëmarrësve të rëndomtë, mbështetje të madhe i kanë dhënë edhe shumë organizata, klube e sindikata, roli i të cilave ka qenë paralizues për shumë procese të tjera, por që kësaj here u zgjuan nga gjumi i dimrit.

Është interesante fakti qe ne sot numërojmë me qindra të tilla, por nuk është se kemi qenë të kënaqur me punën e tyre, duke përjashtuar disa shembuj të disa organizatave shoqërore-politike që kanë treguar suksesin e tyre në disa aspekte. Por, prapë ka hapësirë për t`u debatuar, nëse kjo përfshirje u ka garantuar qytetarëve një jetë më të mirë, apo e gjithë puna e tyre ka qenë “sa për sy e faqe”.

Numri i madh i organizatave që kemi, në njërën anë, dhe mungesa e një lloj serioziteti që ato përfaqësojnë, në anën tjetër, do të shpjegohej më së miri me psikanalizën frojdiane. Në atë rast kjo do të nënkuptohej kështu: sot kemi shumë organizata si kompensim i mungesës së organizimit; kemi shume universitete si kompensim i mungesës së arsimit; kemi shume dyqane si kompensim i mungesës së prodhimit; kemi Akademi të Shkencave si kompensim i mungesës së shkencës; kemi shume parti politike, si kompensim i mungesës së pluralizmit politik; dhe, kemi udhëheqës politikë si kompensim i mungesës së një lideri të vërtetë.

Pyetja e cila shumëkujt mund t`i sillet ndër mend, është kjo: kush qëndron prapa këtyre protestave?

Jemi dëshmitarë se presionet kolektive qytetare jo çdoherë bazohen në një forcë të qëndrueshme dhe të fuqishme organizative. Ato shpeshherë ushtrohen në mënyrë sporadike. Kemi mjaftë raste në botë kur mobilizimi i shoqërisë, nënshkrimi i peticioneve, dalja në protesta apo organizimi i referendumeve nuk kërkon organizim paraprak, nuk kërkon lider, nuk organizohen vetëm për poenë politik të X apo Y partisë. Ato mund të organizohen shumë spontanisht nga qytetarë të rëndomtë, e të tilla janë edhe këto protestat kundër hajnisë në Kosovë.

Kjo shoqëria spontane, aktive, sipas dy studiuesve amerikan, Almondit dhe Verbasit, shpjegohet në tri mënyra: në kulturë pjesëmarrëse, kulturë subjekti dhe parokiale. E para është ajo formë e kulturës e cila përfshinë pjesëmarrjen e qytetarëve si të vullnetshme dhe efektive; e dyta është ajo formë kulture që e përfshinë pjesëmarrjen qytetare si të kufizuar dhe jo efektive, pra rrjedhimisht pasive; dhe forma e tretë e kulturës nënkupton mungesën e sensit të qytetarisë – individë të cilët as nuk kanë dëshirën, vullnetin e as aftësinë për të marrë pjesë në proceset politike.

Shoqërinë tonë shqiptare mund ta gjesh në tri forma të kulturës politike. Kemi nga ata individë të cilët pjesëmarrjen e tyre në proceset politike e shohin si të efektshme, por e identifikojnë me përfshirjen e tyre në debate që kryesisht zhvillohen në kafene, apo në statuse në rrjetin social Dacebook. Kemi edhe nga ata të cilët kanë humbur besimin se mund të arrijnë të kenë ndikim në këto procese dhe, si të tillë, e përjashtojnë veten nga çdo lloj aktiviteti – qoftë ai edhe i pjesëmarrjes në këto debate apo forume interneti – si dhe kemi një pjesë tjetër të shoqërisë e cila është në miniaturë, por që ka vullnet dhe dëshirë dhe që besojnë se kolektivizimi masiv do të ketë ndikim dhe do të shërbejë për ndërgjegjësimin dhe këndvështrimin më human ndaj problemeve sociale të shoqërisë sonë. Të tillë janë pjesëmarrësit besnikë në protestat kundër hajnisë.

Përkundër shembujve të ndryshëm në botë, shoqëria jonë ende nuk e ka kuptuar fuqinë e saj. Protestat mund të mos jenë zgjidhja e vetme, por është rruga drejt zgjidhjes. Nuk na duhet një organizim shumë i madh, mbështetje e fuqishme, kohë dhe përkushtim i jashtëzakonshëm. Rasti i fundit i Bulgarisë kur populli arriti të rrëzojë Qeverinë është model që na tregon se realisht protestat mund të ndërrojnë rrjedhën e politikave dhe mund të ndryshojnë sistemin qeverisës. E vetmja çka na duhet është që të kemi dëshirë dhe vullnet, edhe pse për dikë mund të duket frazë e njohur dhe e parealizueshme. Kritikët na argumentojnë se si t`a realizojmë atë, ata thonë se “rrjetet dhe angazhimi i shoqërisë mund të gjendet në ndërveprimet e përditshme shoqërore, përkatësisht në vendin ku ju punoni, në shkollën ku ju mësoni apo në lagjen ku ju banoni. Nëse je një punonjës i thjeshtë, kërko organizim dhe reformim nga shefi juaj; nëse jeni student kërkoje atë nga profesori yt; dhe, nëse je një banor i thjesht i lagjes, kërko organizim në lagjen tuaj dhe organizo të tjerët.

Prandaj, le të organizohemi të gjithë, individualisht apo kolektivisht. Fuqia për të ndryshuar politikat varet nga ne, nga populli. Ky është edhe parakushti themelor i demokracisë: pa popull nuk ka demokraci. Nëse vazhdojmë të rrimë të ngrirë e të mpirë, ajo çka do të ndërtojmë është demokraci pa popull (nëse kjo do të kishte kuptim)!

Pra, le t`i japim kuptim njerëzores, për një jetë më të mirë dhe për një shtet më të fortë. Le të tregojmë se ne jemi këtu dhe vazhdojmë lidhshmërinë me jetën në komunitet, me organizimin dhe qeverisjen, dhe se ne jemi pjesë e shtet-formimit. Duke protestuar le të tregojmë patriotizmin konstitucional që nënkupton dashurinë ndaj atdheut dhe respektin ndaj ligjit. E, respektuesi më i madh i ligjit është ai që nuk e vjedh popullin e vet dhe dënon ata që vjedhin.

Ne, mundemi…