LAJMI I FUNDIT:

Projektligji për Obiliqin shkon në kuvend

Projektligji për Obiliqin shkon në kuvend

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor miratoi sot projektligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij. Anëtarët e komisionit vlerësuan se ky është një ligj i vonuar dhe duhet sa më parë të shkoj në kuvend për lexim.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për bujqësi, Pylltari Mjedis e Planifikim, të gjithë anëtarët u pajtuan për dërgimin e këtij projektligji në kuvend.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja tha se ky ligj është jashtëzakonisht i vonuar, duke theksuar kështu se problemi i Obiliqit është problem edhe i Prishtinës.


“Obiliqi nuk është problem vetëm i Obiliqit, Obiliqi dhe kontaminuesi që sot termoelektranat e Kosovës që janë, aty janë kontaminues edhe të Prishtinës. Sot Obiliqi është si para-lagje e Prishtinës në një mënyrë, dhe ajo po reflekton edhe në kontaminimin e Prishtinës, prandaj ky ligj është shumë i domosdoshëm me u miratuar sa më shpejtë dhe KEK-u në një mënyrë mu disiplinuar në aspektin e mbrojtës së ambientit, në aspektin e stimulimit të komunitetit, të aplikimit të ligjit për komunitetin e shumë tjera”, tha ai.

Se ky ligj duhet të shkojë në kuvend me procedurë të përshpejtuar, e tha edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj. “Në parim jam për këtë ligj dhe mendoj se me procedurë të përshpejtuar duhet të shkojë në parlament. Edhe unë kam pak vërejtje por ato mund t’i jap edhe në lexim të dytë, për shembull ndarja e zonave. Ndotja e Obiliqit po vjen edhe në Prishtinë, kurse këtu është parapri që Obiliqi të ndahet në tre zona, zona e parë, e dytë dhe e tretë, unë jam i mendimit që kjo duhet të jetë një zonë në tërësi”, tha ai.

E për këtë, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi tha se është marrë “qendër” sepse qendra është në mes të dy termocentraleve.

Ai tha se pajtohen sikur çështja e “qendër” të zëvendësohej me tërësinë territoriale komunale. “Kështu që edhe ne si komunë dhe me vullnetin e deputetëve komunal, jemi mundu me e trajtu që të jetë një ligj sa më i lehtë dhe sa më i arsyeshëm për komunitetin që jeton aty. Ne besojmë që zona ndoshta do ishte mirë që të hiqet. Këtë e kemi biseduar edhe nëpër komisione, në legjislaturën e kaluar. Ky është versioni fillestar që e kemi përpara. Është punuar në drejtim të ligjit, do të pëson ndryshime dhe gjatë leximit gjithsesi”, tha ai.

Deputeti Adem Salihaj kërkoi që të bëhen korrigjimet e të gjitha gabimeve teknike, në mënyrë që mos të marrin kohë më vonë.
Termocentralet e KEK-ut, ndikojnë që Komuna e Obiliqit të njihet si më e ndotura në vend. Kjo pasi që rreth 72 për qind e territorit të Obiliqit shfrytëzohet nga korporata energjetike e KEK-ut. /Telegrafi/