LAJMI I FUNDIT:

Prishtina ta ketë platformën edhe për Luginën e Preshevës

Në agjendën e bisedimeve të paralajmëruar në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të hyj edhe çështja e shqiptarëve në komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Prandaj ruajtja e integritetit të Kosovës dhe njohja e Kosovës nga Serbia assesi nuk duhet ta kenë koston apo ti sakrifikoj, për ta mbyllur çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve nga tri komunat. Për ta harruar Serbia pjesën e veriut të Kosovës, institucionet e Kosovës duhet ta përdorin kartën e shqiptarëve në këto tri komuna. Ndërkombëtarët duhet të mësohen dhe të pajtohen: Që të gjitha ato të drejta që i gëzon minoriteti serbë në Kosovë me asnjë të drejtë, normë, standard, akt apo rregull pozitive të botës, nuk mundë t’ju mohohen të drejtat e shqiptarëve në krahinën shqiptare të mbetur nënë administrimin e Serbisë. Vetëm pasi Kosova të kërkoj të drejtat e natyrshme të shqiptarëve të mbetur në këtë krahinë “ia mbyllë gojën” Serbisë.

Amortizon kërkesat Serbisë për status specialë, për një autonomi për serbët si minoritet në Kosovë. Institucionet e Kosovës kanë për obligim që të brengosen dhe të rendisin në top agjendë për bisedime me Serbinë edhe të drejtat e njeriut, shkollim, ruajtje të kulturës dhe identitetit nacional të shqiptarëve të kësaj krahine. Është fatkeqësi që shqiptarët kanë mbetur nënë administrimin e Serbisë, por është e pafalshme që ende institucioneve të Kosovës nuk u interesojnë problemet e pazgjidhura të shqiptarëve nga kjo krahinë. Përveç kësaj çështje ka edhe shumë tema për diskutim si çështja e të pagjeturve, dokumentacioneve, sukcesionin e pasurisë së përbashkët, pagimin e dëmeve të luftës dhe çështje të interesit të dy anshëm.


Rajoni i tri komunave nuk guxon të jetë temë tabu, monedhë për kusuritje as nga kosovarët, ndërkombëtarët dhe serbët, por duhet të fillohet të gjendet zgjidhja e jo me këtë status-quo. Në bisedimet që përflitet se do të ketë në fillim të vitit tjetër duhet të hapet çështja e shqiptarëve në tri komunat. Ngritja dhe parashikimi që është momenti i fundit që problematika e kësaj çështje të jetë edhe si agjendë e bisedimeve në mesë Kosovës dhe Serbisë. Për t’i “ikë” Kosova problemit të pjesës së veriut me “një lehtësi”, ajo duhet ta mposhtë Serbinë duke përdorur kartën e shqiptarëve të kësaj krahine. Minoriteti serb në Kosovë dhe ai shqiptar në Serbi duhet të luajnë një rol balancues, një kandar që peshon gati përafërsisht në aspektin e të drejtave që duhet t’i gëzojnë.

Shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar

Bisedimet në mesë Kosovës dhe Serbisë asnjë temë nuk duhet ta kenë tabu, por të shtrihen të gjitha temat e hapura. Asnjëherë në parlamentin e Serbisë nuk u ngrit çështja se ku janë shqiptarët që kishin prona dhe pasuri nëpër qytete të Republikës së Serbisë si: Beograd, Nish, Leskoc, Vrajë dhe të kërkohet një dëmshpërblim për pronat e shqiptarëve, të cilat i ka nacionalizua shteti i Serbisë. Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në polici, gjykata, administratë, kadastër, sistemin bankar e shëndetësor, nuk janë të pranishëm në përfaqësime tjera shtetërore si në qeveri, ambasada dhe konsullata, nuk kanë të drejtë përdorimin e simboleve kombëtare, nuk u lejohet hapja e një universiteti publik në gjuhën shqipe… Nuk ka investime që t’i ruajnë dhe kultivojnë traditat dhe monumentet kulturoro-historike të trashëgimisë kombëtare.

Republika e Serbisë edhe pas këtyre viteve nuk dëshiron as edhe ta pranoj që në Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera, ka të zhvendosur shqiptarë që janë jo vetëm nga këto tri komuna, Presheva, Bujanoci e Medvegja, por edhe nga qytete të tjera të Serbisë. Serbia nuk ka pranuar numrin e saktë të zhvendosurve shqiptarë, ende nuk është bërë evidentimi i tyre nga organet e Republikës së Serbisë, e kjo tregon realisht që është e njëanshme dhe ka qëllim vetëm të kërkoj për pjesëtarët e vetë. Serbia deri më tani nuk ka patur asnjë ofertë për të zhvendosurit nga kjo krahinë shqiptare. Ende nuk ka një program, një projekt a platformë afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë, me një dinamizëm për kthimin e të zhvendosurve për t’ju krijuar kushte për kthim të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen në trojet e tyre. Kjo është një kërkesë imediate e kategorisë së të zhvendosurve pavarësisht ku janë me qëndrim të përkohshëm. Pse Serbia nuk ndërtoi për dhjetë vite as një shtëpi për të zhvendosurit shqiptarë? Sa është investuar për serbët e zhvendosur në Kosovë për gjashtë muaj, nuk është investuar as për dhjetë vjet për tri komunat e cekura për kthimin e të zhvendosurve shqiptarë në Serbi.

Kosova për këto tri Komuna duhet të kërkoj vendosjen e një misioni mbikëqyrës transitor të ngjashëm që është vendosur në Sllavoninë Lindore të Kroacisë gjatë viteve 1996-1998. Ky mision i përhershëm paqësor i OKB-së, apo i NATO-së është i nevojshëm pasi shqiptarët nuk kanë kurrfarë sigurie nga policia, milicia dhe xhandarmëri serbe. Gjatë këtij mandati të këtij masoni të bëhet një Komision i përbashkët për vlerësimin e dëmeve të luftës në këto tri komuna. Delegacioni i Kosovës duhet të kërkoj në këto bisedime nën prezencën ndërkombëtare që për këtë krahinë të mbahet një konferencë ndërkombëtare e donatorëve për investime nëse dëshirojmë që popullata shqiptare të integrohet në Serbi. Kjo popullatë shqiptare nga Serbia ende mbahet nën trysni, frikë, pasiguri dhe pa zhvillim total dhe e lënë pasdore në të gjitha kuptimet e jetës.

Gjatë konfliktit të armatosur në mes të ushtrisë Serbe dhe UÇPMB-së faktori ndërkombëtar e njohu dhe u krijua një identitet të përmasave me një emër si Luginë e Preshevës që mundë të luaj një rol të madh për periudhën e ardhshme për një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme. Sepse është bërë veç Internacionalizim i këtij rajoni të trazuar të trojeve Shqiptare dhe pjesës së Ballkanit. Prandaj, të presim që çështja të zgjidhet në favor të shumicës shqiptare në Luginë, domosdo duhet qe elita e klasës politike në Kosovë ta futin këtë krahinë shqiptare në Serbi edhe në agjendën e bisedimeve të niveleve të ndryshme si një vatër e krizave që po pret të shtrohet në tavolinën e bisedimeve, derisa gjithë shqiptarët në gjithë globin i kanë sy e veshë drejtuar kah Kosova, sepse po bisedohet në nivelin më të lartë jo vetëm në paktin veriatlantik të NATO-së, por edhe Këshillin e Evropës dhe në Këshillin e Sigurimit si kurrë më parë. Nuk duhet harrur që edhe tri komunat shqiptare në Serbi kanë kërkesa realiste, të natyrshme, të qëndrueshme që u takojnë me çdo normë, standard apo akt ndërkombëtar.

Karta e shqiptarëve të mbetur në Serbi është shumë e fortë

Shqiptarët në Serbi në raport me komunitetin serbë në Kosovë janë në avantazh. Serbët në Kosovë janë pakicë dhe të shpërndarë, kurse shqiptarët në Serbi Jugore e përbëjnë një krahinë apo rajon të populluar denbabaden me shqiptarë. Shqiptarët në këto hapësira të kësaj krahine janë një entitet dhe një territor kompakt që ishte dhe ende e ruan këtë deri në ditët tona. Shqiptarët kërkojnë të drejtat e tyre ku kanë bërë edhe tri veprime, elemente shumë të fuqishme që njihen e pranohen si akte ndërkombëtare me një peshë dhe relevancë të fortë politike, juridike për lehtësimin e këtij problemi që duhet përgatitur se do të vijë dita për një zgjidhje të drejtë. Këto veprime janë:
– Referendumi për bashkëngjitje me Kosovën më 1 e 2 marsit 1992;
– Luftën që e zhvilloi UÇPMB-ja për 17 muaj rresht; dhe
– Marrëveshja e Konçulit për demilitarizim të këtij rajoni dhe amnestin e të gjithë luftëtarëve.

Por edhe pse kemi realizuar këto tri veprime që njihen dhe pranohen edhe nga faktori politik dhe ushtarak ndërkombëtarë, sot shqiptarët në këtë krahinë gëzojnë shumë më pak të drejta se sa minoriteti serbë në Kosovë. Serbia dëshiron ta mbajë pezull, mundohet ta shtyjë sa më shumë pranimin e Kosovës shtet, sepse sa më shumë ta pengoj Kosovën aq më shumë do të “blejë” kohë të mos e hapë çështjen e Vojvodinës, Sanxhakut dhe Luginës e Preshevës. Kosova ndoshta ka një arsye të hezitoj, në mbrojtjen e çështjes së shqiptarëve në tri komuna, por pasi Kosova të pranohet në OKB, detyrimisht do të përkujdeset më shumë në këtë drejtim. Beogradi duke e vonuar pafund njohjen e Kosovës, dëshiron që edhe më tej të mundohet t’i mbulon edhe tri probleme jo të vogla që herëdokur do t’i duhet të ballafaqohet me to për ta gjetur një zgjidhje. Sepse Lugina e Preshevës, e besoj as Vojvodina dhe Sanxhaku, nuk do të durojnë përjetësisht diskriminimin e Serbisë.

(Autori është profesor i Ekonomisë dhe publicist i pavarur nga krahina shqiptare e mbetur nën administrimin e Serbisë)