LAJMI I FUNDIT:

Prishtina, 12 ditë qendër e albanologëve

Prishtina, 12 ditë qendër e albanologëve

Studiues që merren me trashëgiminë dhe krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar do të bëhen bashkë gjatë 12 ditëve të gushtit, në Seminarin e XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Katër ditë para se të nisë ky seminar, që do të mbahet nga 16 deri më 27 gusht, drejtori Liman Matoshi dhe sekretarja profesionale Blertë Ismajli, në një konferencë për media të mbajtur në ambientet e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, kanë bërë të ditur detajet e përmbajtjes së tij.

Përgatitjet për edicionin e sivjetmë kanë nisur qysh në fillim të janarit të këtij viti, ndërsa drejtuesit e saj thonë se gjithçka është gati për të nisur me sukses Seminari që begaton dhe avancon studimet albanologjike.

Teksa e ka quajtur veprimtari intensive përmes formash të ndryshme të punës, ku do të trajtohen tema të zgjedhura problemore nga fusha e shkencave albanologjike, Matoshi është ndalur në përmbajtjen e edicionit të 29–të të seminarit. Vetëm në programin e punës së seminarit do të referojnë 40 studiues shqiptarë dhe të huaj që do të kumtojnë rezultatet e fundit të tyre brenda një viti. Edhe këtë vit Seminari do të ketë sesionin e gjuhësisë dhe atë të letërsisë.


“Në të dy sesionet do të lexohen 116 kumtesa nga shqiptarë dhe të huaj”, ka thënë Matoshi. Emra të njohur studiuesish, si Istvan Schutz nga Hungaria, Oliver Schmitt nga Austria, arvanitasi Niko Stylos janë vetëm disa nga personalitetet që do të marrin pjesë në organizimin më të madh për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Temë bosht e sesionit shkencor të gjuhësisë sivjet do të jetë “Kontaktet e sotme të shqipes”, ndërsa “Poezia e sotme shqipe”, do të trajtohet në kuadër të sesionit shkencor të letërsisë.

Më shumë se 80 kursistë do të ndjekin kurset e gjuhës shqipe, të cilat këtë vit janë ndarë në tri nivele.

Sekretarja profesionale e Seminarit, Blertë Ismajli, ka treguar se grupi prej 83 pjesëmarrësve është tejet heterogjen. Ajo ka thënë se në këtë grup ka pjesëmarrës nga shumë vende të botës, që nga ShBA-ja e vende të ndryshme të Evropës, disa prej të cilave kanë qendra për studimin e albanologjisë.

Tryeza e sivjetme e seminarit do t’i kushtohet nobelistes me origjinë shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj./koha/telegrafi/