LAJMI I FUNDIT:

Premtimet parazgjedhore dhe problemet rreth (pa)realizimeve të tyre

Në shtetet bashkëkohore me eksperienca demokrate afirmative dhe të establishuara sa dhe si duhet, premtimet parazgjedhore automatikisht janë edhe obligime unilaterale (të njëanshme), të cilat për autorët respektivë, prodhojnë obligime të sanksionuara seriozisht.

Deklarimi publik unilateral, edhe sipas postulateve fundamentale të së drejtës civile, krijon raport juridik – civil të karakterit kontraktor (detyrimor) dhe kontrata, si punë juridike, për kontraktorët, kurdoherë, krijon autorizime dhe obligime reciproke të sanksionuara sikundër akti ligjor valid dhe aplikativ (Pacta Sunt Servanda).


Në shtetet bashkëkohore funksionale, me akte juridike të përgjithshme sanksionohen premtimet publike të subjekteve përkatësisht të kandidatëve për funksione publike; seandejmi, kur ndonjëri sish, në saje të ofertave (programore) premtuese, fiton pozicionin apo funksionin e aspiruar, nuk përmbushë zotimet zgjedhore me konsekuencë dhe konsistencë, fillimisht dhe kryesisht, kundër tij/saj aplikohen dispozita ndëshkimore të karakterit politik, sipas të të cilave, entiteti në fjalë, së pakut shkarkohet nga pozicioni përkatësisht nga funksioni publik. Gjithashtu, pos përgjegjësisë politike, kurdoherë, ka bazë juridike – detyrimore për aplikim edhe të procedimeve juridike – civile kundër ofertuesit mashtrues, së pakut për ç’dëmtim të shkaktuar me dhe në saje të premtimeve boshe, arbitrare, iluzore dhe politikaneske!

Natyrisht, kur personi i caktuar premton objektiva shoqërore aktuale, akute të ndjeshme, votat përkatësisht mbështetjen e zgjedhësve do ta fitonte, kryesisht sipas pritjeve për sendërtimin e tyre; dhe më pastaj, nëse nga premtimet publike nuk do të delte asgjë, apo, në raste pak ca më të mira, pak gjë, premtuesi ndaj të premtuarëve do të shndërrohej në borxhlinj, debitor! Rrjedhimisht, debitori përballë kreditorëve jo të paktë, qytetarëve votues, Nolens Volens, do të duhej kompensuar dëmet e shkaktuara pikërisht me ofertat arbitrare dhe mashtruese. Të veta!

Deri tani, së pakut, gjysma e premtimeve parazgjedhore të cilitdo subjekt politik apo eksponentë të tij, si përfaqësues apo kandidat për funksion publik, po të ishte sendërtuar, Kosova, do të ishte unike me sovranitet dhe integritet territorial të kompletuar, ekonomikisht shumë e zhvilluar madje, shumë fish më e zhvilluar nga cilido shtet përreth saj!

Ndryshe, gjatë të gjitha fushatave parazgjedhore në këto dhjetë vjetët e fundit, nga subjekte politike dhe eksponentë të tyre, dendur janë ofruar premtime për tejkalimin, evitimin, sanimin dhe përmirësimin cilësor të defekteve, dobësive dhe të problemeve shoqërore, të cilat, përkundrazi, në venin tonë, gjithnjë janë aktuale dhe akute; konkretisht, nder të tjera problemesh, defektesh dhe dobësish funksionale të institucioneve publike, në vendin tonë gjithnjë:

– nuk ka integritet territorial as sovranitet shtetëror të plotë;
– ekonomia me pak të zhvilluar në Europë , në të cilin, përafërsisht 90% të mallrave dhe të prodhimeve importohen , ndërsa eksportohen vetëm 10% të tyre;
– konsumatori është krejtësisht i pambrojtur nga mallrat dhe artikujt e skaduar, të falsifikuar në sasi dhe cilësi;
– sistemi gjyqësor e prokurorial gjithnjë ndodhet në ngërç funksional e operativ (mbi 100 000 raste juridike të pakryera);
– shkalla alarmante e formave më bizare të korrupsioneve dhe të abuzimeve pozicionale e funksionale gati të rëndomta;
– sistemi arsimor është tejet problematik (pos Universitetit Publik të Prishtinës edhe përafërsisht 30 “universitete”, përkatësisht kolegje private, në të cilat kryesisht, pos disa nga profesorët universitar “të huazuar” nga UP-ja, shumë lëndë mësimore mbahen nga asistentët të cilët pos “ligjëratave” mbajnë edhe provime ( sic);
– kontrabandimet e përditshme;
– së pakut nga 133 raste të dyshuara me bazë për abuzime zgjedhore, aktorët e krimeve zgjedhore, aktivistë politikë partiakë, komisionarë e ngjashëm, gjithnjë, rrinë të qetë, ngase prokuroria asgjë prej gjëje nuk ka ndërmarrë kundër tyre;
– tokat pjellore mbulohen me ndërtime ilegale të objekteve, kryesisht të pa perspektivë ekonomike (afër 1000 ha toka buke në vendin tonë okupohen vit për vit me objekte inproduktive, të pa leje ndërtimore, në toka jondertimore, lexo pjellore);
– ndërtimet informale, kudo, në fshatra dhe në qytete, madje edhe në kryeqytetin e vendit, pandalshëm dhe pamëshirshëm , i okupojnë dhe i uzurpojnë arbitrarisht në forma korruptive më se të ndryshme, tokat publike, madje edhe ato jondertimore, e të mos flitet për sipërfaqe të gjelbërimit, të cilat pothuajse janë të panjohura;
– pyjet tona, edhe ashtu të pakta, pandërprere dhunshëm dhe pamëshirshëm priten, degradohen dhe devastohen deri në masën qe aktualisht, dukshëm shkaktojnë shtjerrie të gurrave dhe të krojeve të dikurshme me pakësimin e dukshëm të niveleve të lumenjve;
– shtratet e lumenjve gërryhen pandalshëm dhe nder të tjera shkaktohen dëmtime të pariparueshme, nder tjera me pasoja të erodimeve të pashmangshme dhe të dëmtimeve të rrugëve gjatë transportimeve të tyre…

Sikundër dihet, pikërisht për këto, e këso çështjesh aktuale, subjektet politike dhe eksponentët e tyre, gjatë të gjitha fushatave parazgjedhore na kanë premtuar aktivitete, punë dhe rezultate “ të planifikuara”, e ashtu numri i konsiderueshëm i tyre, pashmangshëm ka fituar edhe mbështetje politike, por për dështimet e mëdha në atë drejtim, së pakut deri sot askush nuk ka dhënë asnjëfarë lloj përgjegjësie. Përkundrazi, shumica e të tillëve në të gjitha fushatat parazgjedhore kanë premtuar shumë e shumë, madje ato i kanë përsëritur, por asnjëherë nuk i kanë sendërtuar, së pakut jo sa dhe sikundër do të duhej, dhe përfundimisht, asgjë askujt!

Në këtë kontekst, theksoj se, unë gjatë zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, aty dhe atje, ku kam marrë pjesë në fushatën parazgjedhore për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por asnjëherë nuk më ka shkuar mendja të premtoj objektiva iluzore, ireale, përkundrazi. Ndërkaq, sikundër, pjesës së konsideruar të elektoratit tonë, më shumë i përshtaten premtimet mahnitëse, të ornamemtuara, të ilustruara, të stilizuara dhe të ngjyrosura me tone dëshirore, me fontana dëshirash se sa ofertat objektive të mundshme, dhe autorët fjalëmëdhenj e punë pak, zakonisht i ka shpërblyer me mandate publike!

Përfundimisht është nevojë imediate që Legjislatura IV, nder punë të tjera, do të duhej të miratonte edhe një akt ligjor, me të cilin do të inkriminonte dhe sanksiononte premtuesin iluzionist, utopist dhe kryekreje mashtrues; nëpërmjet procedimeve për përgjegjësi politike, nder të tjera do të krijohej një klimë politike /më/ e shëndoshë, jo vetëm gjatë fushatave para zgjedhore, por edhe gjatë periudhave të realizimeve të objektivave politike të përcaktuara me dhe nga premtimet zgjedhore!