LAJMI I FUNDIT:

Prapavija e një vendimi dhe akti institucionalist i burrështetasit

Edhe një herë dëshmoi kulturën institucionaliste, që e ka karakterizuar atë jo vetëm gjatë aktit të dorëheqjes. Burrështetasi nuk ngurroi të veprojë ndryshe pos që popullit t’i jap mesazhin e respektit për kushtetutën dhe sensin e shtetëbërjes. Dr. Fatmir Sejdiu doli mbi gjithë dhe demantoi atë garniturë lajkatarësh të pushtetit që në afat rekord prej vetëm tre ditëve u përplasën mbi imazhin e tij, sa që një moment u duk se janë në garë mes tyre.

Realiteti i hidhur kosovar i shkeljes dhe mospërfilljes së ligjit nga struktura të caktuara politike, padyshim nuk do të arrijë tek Gjykata Kushtetuese, por është sekret publik i dallueshëm në këtë hapësirë. Në Republikën e Kosovës, paradokset bien mbi njëri tjetrin dhe buja që ka shkaktuar lajmi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, bën që të mbetet në mjegull, mungesa e diskrecionit që ka përcjellë çështjen gjatë gjithë kësaj kohe. Nga fjalët që mbase edhe në funksion të trusnisë si akt politik i rëndomtë në Kosovë, depërtonin nga Gjykata Kushtetuese, ka mundur të organizohet edhe një sistem i basteve dhe të prognozohet rezultati. Euforia ndikoi në adrenalinë dhe analistë të caktuar politikë, nuk ngurruan madje të shpallin edhe përfundimin e karrierës politike të Dr. Fatmir Sejdiut. Vetë presidenti plotësisht i bindur që vendimi ishte i ngutshëm dhe i pa studiuar mirë, megjithatë ishte shumë i qartë në mesazhin e tij se respekton institucionet duke rikonfirmuar respektin dhe përkushtimin për një qasje institucionaliste, çfarë në Kosovë mungon nga shumica e faktorëve relevantë të politikëbërjes.


Gjykata Kushtetuese e njohur në ngathtësinë për të marrë vendime të shpejta, ngase vetë kompleksiteti i çështjeve që dërgohen atje, ka natyrë të tillë dhe imponon zvarritje, megjithatë me urgjencën e imponuar nga ditët që mbeten pas, e hedh vendimin e saj në opinion në kohë kur presidenti gjendej larg vendit dhe kur po takohej me burrështetas botërorë. Vizita në Nju Jork, nuk kishte aspak të bëjë me politikën e brendshme kosovare të niveleve të ulëta, por mbi të gjitha kishte të bëjë me përpjekjet që këtij vendi t’i sigurohet sa më shumë subjektivitet ndërkombëtar. S’do mend, në sistemin e sotëm politik në të cilin është katandisur vendi, është e pritshme që në shërbim të realizimit të qëllimeve politike të qarqeve të caktuara, mjete politike dhe jo politike të përdoren për të siguruar rezultatin. Rastësisht apo jo, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, “rastisi” dhe u morr gjithashtu në kohën kur Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar aktivitetet e saja të brendshme zgjedhore.

Presidenti i parë i Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, Dr. Fatmir Sejdiu nuk ka filluar mandatin e presidentit dje, rrjedhimisht me këtë e gjithë zhurma e këtyre ditëve mbi shkeljen apo jo të kushtetutës, duhet shikuar nga këndvështrime reale pa shumë histeri dhe duke dalluar edhe tentativat për linçimin e personalitetit të tij. Ai fillimvit i 2008-tës kur presidenti nisi mandatin e tij, ka gjetur Kosovën me një Kornizë Kushtetuese, si aktin më të lartë të vendit. Mund të tingëllojë si një anakronizëm, por ai akt i lartë, sa i përket pikave që kishin të bënin me kreun e vendit, ishte edhe më decidiv se Kushtetuta e Kosovës sot.

Gjithsesi edhe sot, kur Kushtetuta e Kosovës sanksionon ushtrimin e funksioneve tjera, ajo nuk e thotë decidivisht nëse postet mund të mbahen apo jo, duke krijuar një paqartësi e cila vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjithsesi nuk e cenoj, ngase nuk ka shkallë të dytë këtu dhe sipas Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e përputhshmërisë së ligjeve, por moralisht është i luhatshëm vetë vendimi, duke shpërfaqur dyshimet mbi animin politik dhe prapavijën politike e cila solli deri tek ai. Kjo prapavijë politike pavarësisht se në mullirin e kujt e shpien ujin e turbulluar na kërcënon me krizë institucionale dhe prapësim të shumë përpjekjeve, pavarësisht nëse ky ka qenë qëllimi i deputetëve që iniciuan çështjen ngase mbetet mister nëse janë koordinuar me dikë dhe a thua me kë. Linçimi si “akt politik” dhe prapavija e vendimit mbi presidentin ka gjetur Kosovën dhe pozitën e saj të ndjeshme, në procese të pambaruara, ku më i zëshmi ndër proceset, paraqitet nisja e paralajmëruar e bisedimeve që do të bëjë “qeveria Thaçi” me autoritetet e Serbisë.