LAJMI I FUNDIT:

Pranë shtetit pa pushtet!

Në të kaluarën, poetët recitonin vargje mjaft të dhembshme, vargje të cilat u përputheshin me mjerimin e përditshëm të popullit shqiptarë. Vargjet e tyre, në vete ngërthenin një realitet mjaftë të hidhur. Shumica e popullit shqiptar, para atyre vargjeve u gjunjëzonin fizikisht, e shpirtërisht. Sepse, të qëndrosh pranë detit i pa larë, pranë dritës i pa parë, pranë sofrës i pa ngrënë, pranë dijes i pa nxënë, pranë vatanit pa vatan, si dhe pranë çdo gjëje pa asgjë, është tmerr dhe gjenocid i vërtet! Shikuar dhe, analizuar nga prizmi alegorik këto poezi, do arrish të kuptosh se nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë larjesh, ngopjesh, nxëniesh, por mungesë pushteti brenda shtetit në të cilin jeton. Sepse, përmes pushtetit arrihet pothuajse gjithçka që dëshirohet qoftë për mirë, apo për keq. Por, duhet pasur parasysh se shfrytëzimi i pushtetit në shtetin që jeton, mundë të bëhet, vetëm atëherë kur për momentin nuk ke gjasa ta fitosh shtetin tënd i qeverisur nga etniteti yt, apo thënë ndryshe, kur pajtohesh të jetosh në një shtet të përzier, pra shumetnik, ku pala tjetër mundë të jetë pak më shumë në numër, apo ka përkrahje nga ndërkombëtarët pak më shumë, se sa etniteti yt.

Poqëse e ke shtetin tënd, po ashtu nëse je dominues mbi komunitetet tjera pakicë, atëherë do të ishte e kotë të flasim, për shtetin pa pushtet, por në atë rast do të duhej të flasim, për shtetit pa qeverisës me mend, sikur një kohë që ishte në Shqipëri. Ne shqiptarët, të cilët jetojmë në Maqedoni, përfundimisht prej vitit 2001 vendosëm të jetojmë në këtë shtet, me të tjerët bashkërisht, si dhe me një marrëveshje për të drejta dhe përfaqësim të barabartë në të gjitha institucionet shtetërore. Meqë ne vendosëm të jetojmë në këtë shtet, vallë a vendosëm të jetojmë në këtë shtet me pushtet të barabartë, apo me shtet të barabartë, e me shumë pak pushtet?


Siç po shihet, realiteti i përditshëm mjaftë qartë, si askush tjetër po na tregon se, ne shqiptarët, edhe pas tetëmbëdhjetë vitesh ende jemi në shtetin tonë, por me pushtetin e pjesës tjetër, që jeton po në këtë shtet. Askush nuk ka të drejtë të pohoj, se ne shqiptarët në Maqedoni kemi pushtet pothuajse të barabartë me të tjerët (kështu shkruan nëpër marrëveshje të ndryshme) ne, lerë që nuk jemi pothuajse të barabartë, por ne, në këtë shtet kemi pushte aq sa druri i thatë ka ujë.

Këtë konstatim timin e argumenton, prej kohësh, indiferenca e Qeverisë ndaj etnitetit shqiptarë: Në kabinetin e Cërvenkovskit ke pasur vetëm një shqiptarë, edhe atë ku e dimë ne, se kush e çka ka qenë, helmimi i herëpashershëm i nxënësve shqiptarë nga ana e pushtetit maqedonas, problemi i objekteve shkollore te shqiptarët, implementim shumë i ngadalshëm i Marrëveshjes së Ohrit, mos zhvillimi ekonomik në pjesën shqiptarë, rrugët antike në pjesët tona, stimulimi i natalitet vetëm në pjesën lindore të Maqedonisë, subvencionimi i bujqve maqedonas, pengimi i librashitësve nga Tirana, mos ftesa e Fatmir Sejdiut në inaugurimin e presidentit të sapo-zgjedhur, ndërtimi i kryqeve-kishave mu në zemër të Shkupit, degradimi i vendlindjes së shenjtores shqiptare, mos lejimi i ndërtimit të Burmali Xhamisë, arrestimi i “kriminelëve” vetëm të etnisë shqiptare, shpallja dhe mbajtja e komunës së Likovës si zonë e krizës, eksploatimi i resurseve natyrore prej vendeve shqiptare dhe, investimi i tyre në zonat maqedonase, mospërfillja e subjektit politik shqiptarë për zgjidhjen e kontestit të emrit, minimi i të drejtës për gjuhën shqipe, si dhe së fundi (pas këtij akti barbar, janë duke ndodhur edhe shumë maskarallëqe të shumta, pra diskriminimi dhe maltretimi është në vazhdim e sipër) kulmi i të gjitha padrejtësive, të cilat padrejtësi dhe shantazhe nuk kam mundësi të gjitha t’i përmend, ishte edhe arrestimi i liderit gjithë-shqiptarë i Albin Kurtit.

Kuptohet, ky rast makabër nuk do mbetet i fundit! Ne, po të kishim pushtet në këtë shtet nuk do e lejonim që valluan tonë, ta arrestojnë organet e sigurimit shtetëror pa dijeninë tonë, edhe atë ta marrin në pyetje dy maskarenj serbisht-folës. Pra, ai i cili pretendon se ne kemi pushtet në këtë shtet, ai person do të ngarkohen me një përgjegjësi të madhe morale, e pa rrugëdalje para popullit shqiptarë. Ne, menjëherë personin në fjalë do ta pyesim; si është e mundur që ju si pushtetarë në këtë shtet të na bëni kaq shumë të këqija, neve vëllezërve tuaj.

Nëse, ndonjë ministër në këtë shtet supozon se unë si ministër kam pushtet mbi dikasterin tim që e drejtojë, atëherë ministri në fjalë, asnjëherë nuk do të gjej përgjigje, në lidhje me mosinteresimin e tij ndaj etnitetit të vetë. Ne, ndoshta nuk e dimë se sa në hall janë ministrat shqiptarë në këtë shtet, ndoshta ata me të vërtet brengosen për mos-zhvillimin e rajoneve shqiptare, ndoshta disa deklarata çka ne i dëgjomë prej tyre, janë deklaratë të dhëna vetëm nga goja e tyre, duke mos pasur asnjë kontakt me zemrat e tyre, sepse ndoshta, zemrat e tyre e thonë të kundërtën prej asaj çka ne e dëgjojmë, por ne, përskaj shumë këtyre informacioneve e dimë, edhe atë, se ministri i lidhjeve dhe transportit në Japoni nga përgjegjësia e madhe që ndjen ndaj detyrës së tij, ka dhënë dorëheqje vetëm se është vonuar tetë minuta treni.

Nëse ky ministër ka dhënë dorëheqje vetëm se qenka vonuar pak treni, atëherë ministrat tonë shqiptarë çfarë duhet të bëjnë, çfarë përgjegjësie duhet të manifestojnë përpara popullit të vet, kur dihet mirëfilli se treni me vite të tëra në pritje, ende nuk ka ardhur, e në vagonët e trenit gjenden shqiptarët e uritur për bukë, e dritë dhe, fatkeqësisht në lokomotivën e trenit gjendet drejtuesi i etnisë maqedonase.

Pra, paralajmërimi analogjik i poetëve tanë me vargjet e tyre; pranë detit i pa larë, pranë dritës i pa parë, pranë sofrës i pa ngrënë, pranë dijes i pa nxënë, na qenka fenomeni i shtetit pa pushtet, ndoshta edhe më keq!