LAJMI I FUNDIT:

Pozita dhe opozita të ndarë për buxhetin e vitit 2021

Pozita dhe opozita të ndarë për buxhetin e vitit 2021
Foto: Arkiv

Partitë politike janë shprehur pro dhe kundër sa i përket votimit në pako të 120 amendamenteve për të cilat nuk është pajtuar komisioni për buxhet dhe transfere.

Përderisa pozita kërkoi që të shqyrtohen një ka një amendamentet, opozita kërkoi që amendamentet të votohen në pako për shkak të kohës së limituar.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kërkoi mendimet e grupeve parlamentare, pasi duhet të shmanget rregullorja e Kuvendit për këtë lloj të votimit.


Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro.

Nga projeksionet fiskale, gjithsej të hyrat buxhetore do të janë 1 miliard e 886 milionë euro, kurse shpenzimet parashikohet të jenë 207.6 milionë më të vogla se sa vitin paraprak.

Nga të hyrat, prej Administratës Tatimore priten të grumbullohen 509 milionë euro, kurse nga Dogana e Kosovës do të inkasohen 1 miliard e 169 milionë euro.

Prej gjithsej shpenzimet buxhetore, 643 milionë euro janë për subvencione dhe transfere, 625 milionë euro janë paga dhe shtesa, rreth 311 milionë euro janë për mallra dhe shërbime, kurse 34 milionë euro janë rezerva.

Në këtë pjesë të shpenzimeve, 182.4 milionë euro janë paraparë të shpenzohen në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Për sa i përket ministrive, buxhet më të madh pritet ta ketë ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndjekur nga ajo e Infrastrukturës dhe e Financave.

Në vitin 2021, buxheti për 38 komunat do të jetë mbi 550 milionë euro. Komuna me buxhetin më të lartë, do të jetë ajo e Prishtinës me rreth 86 milionë euro, Parteshi do ta ketë buxhetin më të ulët, pra me vetëm 1 milionë euro. /Telegrafi/