LAJMI I FUNDIT:

Porosi nga legjenda imagjinare

Porosi nga legjenda imagjinare

Legjenda e vjetër thoshte se ishte punë fati ajo që i kishte bërë gjërat të mos mirë. Kjo mbrapshti kishte një fillim shumë moti. Ishte një ndëshkim i cili na u shfaq dhe na përcolli pa nda deri më tani. Një kob ishte ngulitur ndër ne, që origjina nuk i dihej. Dihej vetëm se nuk kishte qenë përherë kështu. Sipas legjendës kjo erdhi si pasojë e heqjes dorë nga puna e dhe modestia dhe fillimi i piraterisë nga anijet tona të shpejta. Ndoshta kjo ishte grackë të cilën nuk e vërejtëm kurrë. Më saktë nuk e vërejtën prijësit tanë, ngase vendimi ishte i tyre. Ndoshta ishte edhe punë magjie e cila na ndikoi për keq. Ne hymë në një cikël të mbrapsht i cili vazhdoi deri më tani. Humbje pas humbje, me ca fitore të vockla. Legjenda plotësohej si një profeci e saktë.

Por, kësaj radhe, ndryshe nga ç`thoshte legjenda misterioze, çuditërisht sikur kishe filluar mbarë. Ngjante pas shumë kohësh kjo. E vërteta ishte se ne ishim ende shumë keq. Prijësi ynë mjekërbardhë, më në fund e kishte filluar mbarë pas shumë e shumë dështimesh. Këtë, vetvetiu e ndienim të gjithë.
Po ngjante diçka e cila e përmbyste legjendën e kobshme. Po bënim një strehë, më në fund. Thënë të drejtën, prijësi e kishte pasur shumë të vështirë të e realizonte këtë. Një fat i keq e përcillte fisin një kohë të gjatë, por ne nuk e flaknim ndjenjën se ishim me famë, edhe pse ajo nuk shihej gjëkundi.


Kishim pasur toka dhe kullosa të mëdha, edhe det, por kjo ishte shumë moti andaj vazhdonim të besonim se ishim të tillë. Tani, kur po bënim më në fund strehë, ishim aq të paktë, ishim rrudhur aq shumë nga hapësira e tokave, sa që secila votër ishte rezultat i një ikje nga një pushtim i të huajve. Secila nga to kishte diçka të veçantë që mund të ishte një tingull i të folurit, festë, valle , këngë apo lojë.

Por, ndër ne ishte edhe një lloj mallkimi i padukshëm. Mes shumë shkaqeve të tij, duket se ishte njëri që ishte i përhershëm. Ishte dehja dhe kokëfortësia e prijësve tanë, që i ndihmonte dështimet tona.

Në kohërat e lashta modestia çmohej ndërsa mendjemadhësia përbuzej. Por, prej se kishte filluar të ngjaj e kundërta, ne po fundoseshim. Prijësit ishin bërë më të egër, grindavec por edhe e më tinëzar se kurrë. Ata edhe mund të ishin trima, por vendimet e tyre ishin të shumtën jo të mira. Pra, ajo që nuk shkonte, ishte mendjemadhësia dhe smira e tyre.

Kjo si duket ishte edhe shkaku që prijësi mjekërbardhë mezi arriti ta ndryshojë për të mirë këtë kah që e morëm për të të keq. Nuk ishte lehtë të ndalej një zhvillim kaq i gjatë dhe i keq. Prandaj, ai si duket e kishte menduar mirë këtë dhe kishte vendosur për veten e tij të mos ishte përherë i pari. Mjaftohej se kësaj radhe fati këmbë mbarë i kishte dhënë këtë detyrë, të cilën ai e bëri me urtësi .

Sigurimi i një kulmi nuk ishte punë e lehtë, as do si do. Ishte një zanat që ne e kishim harruar prej kohësh. Prijësi i ynë, plaku mjekërbardhë ishte i vetëdijshëm se kjo ishte një punë e cila do kishte edhe gabime të shumta, të cilat ose do vinin sepse armiku ishte i rryer por edhe nga bashkëjetesa jonë e stërzgjatur me të. Ishim në kllapi, gjithnjë e më shumë ngryseshin ëndrrat tona nga flamuj kryqesh e gjysmëhënash. Pastaj ne kishin filluar të ndjenim sikur ato ishin tonat. Andaj edhe na vërtiteshin ide të errëta ku i shtronim vetes pyetjen se kishte apo jo nevojë të i hyhej fare punës së ndërtimit të strehës.

Ishte ky një gjumë i gjatë dhe i rëndë plumb me ëndrra të frikshme dhe mashtruese. Sa më shumë ato shtoheshin, aq më pak diell kishte. Por, ne nuk i kishim harruar krejtësisht ato. Ëndrrat tona që kishin filluar të aq shumë të veniteshin, sa që vetëm ndonjë fragment i mbetur nga to na bënte të ndiheshim vetvetja. Ato pak qaste përjetimi ëndrrash të moçme, e kishin një vezullim të mahnitshëm, të pa përshkueshëm dhe sillnin një ndjenjë aq të mirë, sa kjo bëri të mendonim se ia vlente të bënim gjithçka për të pasur një strehë mbi kokë ku do të mund të i ringjallnim ëndrrat e vjetra plotë dritë dielli.

U bë si u bë, ne bëmë kulmin edhe pse ky ishte larg, shumë larg së plotësuari nga nevojat tona. Ne kishim pasur shumë më shumë, kishim humbur tepër, andaj s`kishte si të mos ndodhte që pastaj të fillonim grindjet mes nesh. Duke mos e parë më si të mundshme zgjidhjen e problemeve u pa e udhës që të ndërrohet prijësi. Me gjithë faktin që kulmi i ynë ende ishte i pa konsoliduar. Dhe kjo ndodhi. S`kishte si të mos ndodhte. Ndoshta kjo ishte edhe diçka e mirë. Ai do të vdiste një ditë dhe do të duhej të mësoheshim edhe pa të. Në fakt çfarë kuptimi do të kishte ekzistenca e fisit sikurse të mos kishte prijës të tjerë në të ardhmen. Ose do të duhej të pajtoheshim me fatin se prijësi aktual ishte i mbinatyrshëm. Nëse jo një lloj Zoti, së paku një njeri që na bënte të ndiheshim me fat që e kishim mes nesh.

Por, nuk ishte as njëra e as tjetra. Sepse e dinim se ai nuk ishte i tillë. Ai ishte vetëm njëri nga ne, i cili kishte pasur një fat, të na printe. Dhe vetëm kaq kishte. Asgjë të mbinatyrshme, megjithëse dorën zemër, plaku mjekërbardhë, për dallim nga prijësit e mëparshëm, e kishte nisur me këmbë të mbarë. Ai nuk donte të ishte i përhershëm. Ai donte që kulmi i ynë, i cili duhej të na mjaftonte pa tjetër, sepse mund të mbeteshim shumë lehtë edhe pa të, duhej të ishte i përhershëm, me shpresën se një ditë fisi do të mblidhte mend. Duhej kuptuar se për të i bërë mirë fisit, duhej të ishim punë shumë e fjalë pak. Kjo duhej ndjekur domosdoshëmrisht.

Në fakt ky ishte çelësi i suksesit fqinjëve. Punonin shumë, merreshin vesh mirë mes vete, kështu që përherë ishin para nesh. Ndërsa ne bënim të kundërtën. Flisnim shumë, punonim pak dhe mendonim se ishim të famshëm. Ndjenja se fisi ynë ishte i famshëm vinte nga një kohë e moçme, një kohë kur si duket ëndrrat tona ishin vetëm me dritë dielli dhe pa flamuj kryqesh e gjysmëhënash. Atëherë kur ne ndienim aromën e suksesit dhe lavdisë së të qenit i barabartë me këdo në këtë botë. Ishte kjo kohë kur si duket në mesin e prijësve tanë ende nuk ishte hedhur fara e vetë kënaqësisë dhe e të menduarit se ata ishin të pa zëvendësueshëm. Në fakt kjo ishte një lojë të cilën popuj te tjerë fqinj në kohëra dhe e kishin mbaruar që moti, pasi e kishin parë të pa suksesshme. Njeriu duhej të mbetej njeri dhe nuk mund të bëhej Zot. Ndërsa prijësit tanë, që prej kur filluan humbjet tona ishin sëmurë nga kjo ambicie. Prandaj, ishte disi paradoksale që prijësi aktual, mjekërbardhi, nuk donte të ishte përherë i pari. Nuk ishim mësuar kështu një kohë të gjatë. Por ishte një zakon i vjetër ky. Ai u tërhoq duke besuar se edhe të tjerët pas tij do bënin të njëjtën kur kjo do i bënte mirë fisit, pra përherë.

Legjenda thoshte po ashtu se kjo strehë e jona e vogël për një kohë të gjatë në të ardhmen do mund të prodhonte vetëm prijës të vegjël mendjemëdhenj. Prijës që donin te bëheshin shumë të mëdhenj.

Thuhej se mund të vinin ditë të mira. Prijësi i urtë mjekër bardhë do të përmendej gjatë për të mirë por edhe do të gjykohej për gabimet. Thuhet se pas tij, do i vinin të tjerë shumë të ndryshëm. Ata do ishin në krye të fisit, dikush më gjatë e dikush më shkurtë. Do vinin edhe nga fise të tjera që do dështonin. Kobi i prijësve për të qenë sa më të mëdhenj do të vazhdojë gjatë, së paku njëqind vitet e ardhme. Gjatë kësaj kohe do kemi prijës mendjeshkurtër që do e shpallin veten mbret, do ketë të tillë që do të jetë në krye të fisit për të gjallë të tyre gjallë dhe do jenë shumë mizorë, do ketë prijës të dehur që do harrojnë nga ku kanë filluar e do vdesin duke menduar se janë të famshëm, si dhe nga ata që do të sakrifikojnë fisin për nevoja individuale. Do ketë arsyetime nga më të ndryshmet, por përherë jo serioze. Por, legjenda thotë se kësaj race prijësish do i vije fundi. Fisi nuk do mund ta durojë më dështimin.

Prandaj, legjenda thotë edhe një gjë. Fisi ynë do të shoh suksesin, vetëm atëherë kur gjithnjë e më shumë do t`u kthehemi ëndrrave me diell, pra atëherë kur lavdia e fisit tonë do të ndërtohet nga puna e shumtë dhe fjalët e pakta, si dhe nga gatishmëria e prijësve për t`i hapur udhë të tjerëve, për të i lënë frymëmarrje të lirë fisit, pasi si duket ikja nga këto përgjegjësi ishte kobi i ngulitur ndër ne.