LAJMI I FUNDIT:

Politikat ekonomike karakterizohen me joprofesionalizëm

Politikat ekonomike karakterizohen me joprofesionalizëm

Kosova nuk ka vetëm krizë ekonomike, por edhe krizë politiko-shoqërore, krizë kjo e cila e ka kapluar mbarë vendin. Kështu u tha sot gjatë një takimi të organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me Aleancën e Gruas së Kosovës.

Politikat kreditore, të cilat në Kosovë janë ndër më të ashprat, kanë ngulfatur biznesin kosovar. Kjo për arsye se çdo vit shuhen qindra biznese, në pamundësi të zhvillimit të mëtutjeshëm.

Kurse, sa i përket politikës fiskale, ekonomistët mendojnë se ajo nuk paraqet asnjë reformë për Kosovën dhe është bërë krejtësisht pa menduar dhe pa ndonjë analizë ekonomike të thellë.


Profesori Musa Limani, i cili është njohës i mirë i çështjeve ekonomike, tha se fajtorë për krizën e thellë, në të cilën gjendet sot shteti i Kosovës është pikërisht diagnoza e ekonomisë, e cila ishte jo e duhur. Sipas tij, kjo ka bërë që ekonomia e Kosovës sot të ballafaqohet me probleme të shumta zhvillimore.

“Qeveritë tona, asnjëherë nuk i dhanë diagnozë ekonomisë së Kosovës dhe shpesh i dhanë barna të gabueshme dhe e sollën në një rrugë pa rrugë dhe në një krizë shumë të thellë. Sot ekonomia e Kosovës ballafaqohet me probleme të shumta zhvillimore. Problemi ekonomik paraqet një ndër problemet thelbësore kurrizore të vendit, mirëpo duke u angazhuar për çështje të tjera, institucionet tona janë dhënë pas politikave dhe punëve të tjera sesa zhvillimit ekonomik”, tha Limani.

Kurse Berat Thaçi nga Instituti GAP bëri një prezantim rreth shpenzimeve të Qeverisë dhe rritjes së pagave për shërby esit publik. Ai tha se të gjitha këto zhvillime janë bërë në prag të zgjedhjeve, në mënyrë që të siguroheshin votat. Por, sipas tij, ky vendim nuk ka qenë i menduar mirë ekonomikisht.

“Në mars të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës pak para zgjedhjeve të përgjithshme mori një vendim, i cili rriste pagat e shërbyesve publik dhe jo vetëm për 25 për qind. Problemi si i tillë nuk është kundërshtuar nga asnjë parti politike…sipas kornizës afatmesme të vitit 2014-2016, nuk ka qenë e planifikuar një rritje e tillë. Kështu që jep indikacion që rritja ka ndodhur vetëm për shkak të zgjedhjeve. Nuk ka qenë një vendim i menduar mirë ekonomikisht. Problem tjetër është sepse rritja e pagave nuk përputhet me produktivitetin në ekonomi…pagat janë rritur për diku dhjetë herë më shumë”, tha Thaçi.

Të pranishmit në këtë konferencë thanë se ngarkimi i produkteve medicionale me 8 për qind TVSh, është vendimi më i gabuar i Qeverisë deri më tani. Kjo për arsye se produktet medicionale janë pothuajse produkte bazë me të cilat shërbehen njerëzit. /Telegrafi/