LAJMI I FUNDIT:

Politika e jashtme e Kosovës

Politika e jashtme e Kosovës

Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt 2008 dhe që nga ky moment filloi maratonën e shtetndërtimit si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në aspektin e jashtëm. Pasi shteti i Kosovës nuk u pranua menjëherë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si pasojë e pengesave që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i bënte Federata Ruse dhe Republika Popullore e Kinës, me veton e tyre ajo nisi kërkesa për njohjen shteteve veç-e-veç. Pavarësisht sfidave të cilave u nënshtrohej – sfida e barriera këto të vendosura nga Serbia – Republika e Kosovës që në fillim pranoi letrat e njohjes nga shumë shtete të botës.

Sot, shteti i Kosovës është pranuar nga 106 anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga 183 sa kjo organizatë botërore e shteteve numëron. Sfidat e kaluara nga shpallja e pavarësisë deri më sot ishin jo të vogla për shtetin e Kosovës, mirëpo rrugëtimi drejt faktorizimit dhe fuqizimit të Kosovës është duke vazhduar e duhet të vazhdoj.


Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës u themelua menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ku ministër i parë u emërua Skender Hyseni i cili më pastaj u pasua nga Enver Hoxhaj. Nga mos pasja e një eksperience më të gjatë shtetërore, e sidomos në dikasterin e punëve të Jashtme, Ministria në fjalë pati sfida e suksese. Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 8 qershorit, subjektet politike nuk i gjeti të papërgatitura me programet e tyre edhe në lidhje me politikat e jashtme të cilat ato do t’i ndjekin më të marr qeverisjen e vendit. U fol për lëshimet dhe mundësitë, por edhe për të arriturat dhe pengesat gjatë rrugëtimit.

Shteti i Kosovës duke i parë të gjitha mundësit e saja deri më tani, ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë, me një numër të pranuar të ambasadave e konsullatave në vende të ndryshme të globit. Shtrirja gjeografike e tyre është optimale, ku këtu janë 23 misione diplomatike e ambasada, gjashtë konsullata dhe 14 seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 23 shtete tjera jo-rezidente. Raporte të ndryshme bilaterale e multilaterale.

Vëmendja e politikbërjes në fushën e politikës së jashtme në Republikën e Kosovës duhet të avancojë në një stad tjetër, edhe më të fuqishëm, por edhe shumë më të pjekur se deri tani. Mirëfilli dihet se shteti i Kosovës ka pengesa jo të vogla nga fqinji i saj verior, Serbia, mirëpo ajo duhet ta dijë se shtete tjera të cilat e shikojnë me sy armik atë nuk ka. Ndarja e bërë nga disa zëra rreth qëndrimit që kanë shtetet tjera për shtetin e Kosovës, nuk duhet të qëndrojnë, gjithherë duke e ditur se në diplomaci nuk ka armiq permanent, por ka interesa permanente.

Konsideroj që mendimi se ka qëndrim të shteteve që nuk duan ta pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, ose shtete me qëndrim neutral karshi njohjes së shtetit të Kosovës, ose edhe të atilla që do të mund ta njihnin shtetin e Kosovës, nuk duhet të ketë brenda diplomacisë së vendit. Tani kur shteti i Kosovës i ka kaluar gjashtë vitet e ekzistencës së saj, dhe në planin e aleancave diplomatike ka një përparim të fuqishëm, duhet të përqendrohet tek strategjia e të bërit plane drejt hyrjes edhe në aleanca tjera, të cilat do ta shtrinin edhe më shumë gjeografinë e simpatisë, njohjes dhe pranimit për Republikën e Kosovës.

Prioritet parësor i Qeverisë së re, e posaçërisht i Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit të Kosovës duhet të jetë gjetja e të gjitha metodave për rritjen e numrit të njohjeve nga shtete të ndryshme të botës. Për Republikën e Kosovës nuk ka njohje kualitative e kuantitative, por të gjitha janë kualitative. Momentet dhe rastet nuk duhet të ikin, e të cilat ndodhin në diplomacinë botërore e të mos shfrytëzohen me mençuri në avantazh për Kosovën. Koordinimi dhe bashkëpunimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë duhet domosdoshmërisht të jetë permanent e në bashkërendim të plotë. Gjithsesi politika e jashtme e një vendi, e sidomos e shtetit të Kosovës duhet të jetë diplomaci politike, ekonomike, kulturore, sportive e arsimore.

Ministri i ardhshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka për obligim kryesor strukturimin e një strategjie të re, të pangarkuar dhe profesionale, ngase shteti i Kosovës të vetmen mënyre drejt kyçjes së saj në analet botërore, e ka dialogun e mirëkuptimin për t’i mbrojt dhe ruajtur interesat e veta.