Përkundër vendimit zyrtar që testimi me metodën PCR për coronavirus në Kosovë mund të bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kjo për një kohë është bërë edhe në një laborator në Graçanicë, me çmim nga 50 euro.
A.R nga Prishtina ka lexuar në rrjetet sociale se testimi bëhet në laboratorin “Human” në Graçanicë, aty ku shumica e popullatës është serbe, pavarësisht asaj se testimi me kërkesë personale nuk lejohet në Kosovë.
“E lexova në Facebook, dikush kishte dhënë këtë informacion dhe më pas unë i kontaktova dhe i pyeta se cila ishte procedura, por nuk e bëra testin”, thotë A.R për Radion Evropa e Lirë.
Përse ajo hoqi dorë nga testimi?
Sipas saj, ajo hoqi dorë nga testimi në laboratorin “Human” kur zbuloi se mostrat dërgohen në Serbi dhe se nuk ishte e sigurt që do të mund të kalonte pikën kufitare me Malin e Zi me anë të atij testi, pasi kishte planifikuar të kalonte pushimet verore në këtë shtet.
Mali i Zi kërkon që të gjithë qytetarët e Kosovës që duan ta vizitojnë këtë shtet, të paraqesin një test negativ për coronavirus.
Në laboratorin “Human” në Graçanicë më 4 korrik kanë deklaruar për REL se në këtë laborator janë marrë disa mostra për testim për COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.
Sipas infermierit Jovica Steviq, pas marrjes së mostrave, ato dërgohen për analizë në Shtëpinë e Shëndetit në Nish të Serbisë.
“Ata e analizojnë testin atje dhe më pas e dërgojnë rezultatin brenda dy ditësh”, tha Steviq dhe sipas tij, “gjithçka është e ligjshme”.
“Kishte rreth shtatë ose tetë pacientë, ata kryesisht kishin nevojë për testim për shkak se do të udhëtonin për Mal të Zi”, thotë Svetiq, nga laboratori “Human”.
Përgjigje nga Nishi
Por, Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga institucionet kompetente në Nish se askush nuk ka kërkuar që të analizohen mostrat për testimet për COVID-19 të marra në Graçanicë dhe po ashtu asnjë mostër nga kjo komunë në Kosovë nuk është dërguar në Serbi.
Në Serbi, testimi sipas kërkesës personale apo “testi komercial”, është i mundur që nga fundi i majit dhe qytetarët nuk janë të detyruar që të tregojnë arsyet se pse duan të testohen. Testi me kërkesë personale në Serbi kushton 6,000 dinarë apo 50 euro.
Në Kosovë, asnjë klinikë apo laborator privat nuk ka leje nga institucionet kompetente për të bërë testimet PCR, për të përcaktuar nëse virusi është aktiv.
REL më 4 korrik e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës se a është në dijeni se një laborator në Graçanicë po merr mostra për testim për COVID-19.
Nga kjo ministri, të martën thanë për REL se denoncimi se ky laborator është i përfshirë në testime për COVID-19, është përcjellë në Inspektoratin Shëndetësor.
Ndërkohë, REL mëson se nga dita e martë, 7 korrik, ky laborator më nuk po merr mostra për testim për COVID-19.
Ndryshe, pas rritjes së numrit të personave të infektuar me coronavirus në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti më 5 korrik ka thënë se Qeveria e Kosovës planifikon që të licencojë institucione private të kujdesit shëndetësor për të kryer testime.
Çka është testi PCR?
Testi PCR [Polymerase Chain Reaction] përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave të strishos në hundë.
Pas heqjes së masave për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19, shumë vende lejuan hyrjen në territorin e tyre vetëm me një test PCR me rezultat negativ, jo më të vjetër se 48 orë.
Aktualisht në Kosovë testohen vetëm ata persona që kanë simptoma të sëmundjes COVID-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se deri më 6 korrik, 79 persona kanë vdekur nga coronavirusi, ndërkaq numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 3,703. /Rel/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës
Njëri nga katër të plagosurit në Lupç të Podujevës është në rrezik për jetë
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç
Mjeti lundrues pësoi defekt në det, policia shpëton 11 turistë në Vlorë
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë
Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit
Tchouameni ndërpreu Mullerin në intervistë, krijohet situatë qesharake mes dyshes
Tifozja shqiptare e mbështjellur me flamurin kombëtar në tribunat e Allianz Arenas për ndeshjen Bayern-Real
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen
Peci: Nëse draft-statuti nuk dërgohet në Kushtetuese, procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk do të hyjë as në rend të ditës