LAJMI I FUNDIT:

Piktori në hije: Fotografia më e mirë nga Derry Moore

Piktori në hije: Fotografia më e mirë nga Derry Moore
LS Lowry nga Derry Moore (fotografia e plotë, në fund të këtij shkrimi)

Bisedë e gazetarit Michael Segalov me fotografin Derry Moore
Publikuar në ditoren Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Nuk ka asgjë për t’u veçuar për mënyrën mjaft të lehtë me të cilën ia dola ta fotografoja Lowry-n (piktor i njohur – v.j.). Gjithmonë e pëlqeja punën e tij dhe më intrigonte gjithçka që kisha lexuar për të. Kjo ishte arsyeja se pse në vitin 1975 – menjëherë pasi dëgjova se Akademia Mbretërore po e planifikonte një ekspozitë të pikturave të tij – e pyeta një grua të re të përfshirë në ekspozitë, nëse është e mundur të bëhej një fotografi e tij. Më tha se nuk do të duhej të ishte problem dhe, një javë më vonë, unë e ajo u nisëm me tren për në Salford.

S’e mbaj mend mirë shtëpinë e Lowry-t. Nga jashtë shtëpia nuk shquhej shumë; kur u futëm brenda, ndjehej disi e çuditshme. Hyrja ishte e errët, me një koleksion të orëve të gjyshit që zinin korridorin e tij. Nuk u ftova të shkoja më tej.


Qasja ime ndaj fotografisë është e thjeshtë. Shkova me një dritë të vetme dhe me disa priza për raste urgjente. Por, prizat në shtëpi ishin të tilla që s’i kisha parë ndonjëherë. Pronari i një dyqani elektrik aty pranë, më njoftoi se këto lloje prizash kishin dekada që nuk prodhoheshin, megjithëse për fat e kishte një prizë të tillë hedhur e të cilën isha në gjendje ta përdorja.

Pas debaklit me prizën e keqe, shkrepja e duhur ma ka marrë një gjysmë ore kohë. Kur e mendoj këtë, duket e çuditshme se pse nuk kërkova ta fotografoja këtë burrë në studion e tij. Por, kishte diçka intriguese në korridorin e tij.

Shkrepa në stilin bardhezi, teknikë që deri sot mbetet e preferuara ime. Me filmat me ngjyra, në atë kohë, përzierja e dritave rrallë dilte si duhet. Ose drita e ditës do të dukej shumë e kaltër, ose drita natyrale shumë e verdhë. Do të duhej të veja xhela të kaltër në llamba, e kjo ishte punë e mërzitshme. Fotografitë bardhezi e kanë një cilësi më abstrakte, që zgjat më shumë. Kurrë nuk e kam dashur një portret me ngjyra në murin tim. Flet shumë, por në mënyrë të gabuar. Është shumë e lehtë të mashtrosh njerëzit me ngjyra të bukura.

Gjithmonë isha nervoz kur i fotografoja njerëzit. Shqetësohesha se subjekti im do të mërzitej, ndaj kurrë nuk isha i sigurt se do të dilte mirë. Atë ditë nervat e mia nuk u ndihmuan për faktin se subjekti im nuk ishte shumë i gatshëm të rrinte pa lëvizur. “Më mbyte, më mbyta ta dish!”, ankohej ai. “Epo, merre me të qetë z. Lowry. A nuk ke thënë gjithmonë se dëshiron të vdesësh?”, përgjigjej shoqëruesja im, duke u siguruar që ai ta merrte veten.

Nuk kishte nevojë për udhëzime nga unë – thjesht duhej të dukej natyral, në mënyrë të përsosur. Pra, në atë fazë të karrierës sime nuk isha i sigurt ta merrja guximin për t’i thënë çfarë duhej të bënte ose si të qëndronte.

Lowry na çoi për drekë në një hotel, ku ai ishte klient i rregullt. Do të doja të mbaja mend se për çfarë biseduam, por kujtimi i vetëm është se jam i hipnotizuar nga sasia e madhe e qengjit dhe patateve që ka ngrënë.

Jam skeptik ndaj teorisë. Mekanika e fotografisë nuk është e vështirë; rëndësi ka trajnimi i syrit. Në të njëzetat e mia kam ndjekur Shkollën e Shikimit të Oskar Kokoschka-s, në Kalanë Hohensalzburg në Salzburg. Ishte një zbulesë të mësosh për dritën, për lëvizjen dhe për hapësirën. I kam kaluar disa vera duke pikturuar në shkollë, akuarel pas akuarelit. Kokoschka i shtynte studentët e tij të mësojnë, duke i ndihmuar ata që të zbulojnë se si të shohin.

Bill Brandt ishte gjithashtu përgjegjës për formësimin e mendimit tim sepse, përveç disa aftësive elementare, fotografia nuk ka të bëjë me rregulla fikse, por me ushtrimin e syrit. Në vitin 1970 e bleva librin e tij, “Një natë në Londër”. Kur shkova ta merrja nga studioja e tij, kërkova të bëhem asistent i tij. “Jo”, tha ai, se nuk kishte asistent. Në vend të kësaj, u takuam për mësime, një herë në disa muaj. Kjo vazhdoi derisa ai vdiq.

Më 1976 isha në Bombei ku e pashë një poster për një ekspozitë të Lowry-t. Mikpritësi më tha se ai kishte vdekur tash së voni. E paramendoja se fotografia ime ishte një nga portretet e fundit të tij.

Janë bërë pothuajse 50 vjet qëkur nisa të merrem në mënyrë profesionale me fotografinë dhe ende nuk mund t’ju them saktësisht se pse ky imazh është një nga ata për të cilën jam më krenar. Nuk mendoj se fotografia duhet të jetë një disiplinë akademike. Nëse mund t’i ktheheni vazhdimisht një imazhi dhe të vazhdoni ta shijoni atë, nuk shoh arsye për ta hulumtuar këtë më shumë. Është një imazh kureshtar, që e pasqyron karakterin kureshtar të Lowry-t. Pse ta bëni më të komplikuar?

***

CV-ja e Derry Moore-t

Qyteti dhe viti i lindjes: Londër, 1937.

Trajnimi: Shkolla e Shikimit e Kokoshka-s.

Ndikimet: Eugene Atget, Bill Brand.

Arritja më e madhe: Hera e parë e fotografimit në indi, më 1976 (ndjeva menjëherë se isha aty, në jetën e mëparshme).

Dështimi: Gjatë shkrepjeve të para për revistën “Tatler”, pas 100 miljeve vozitje për në veri, iu drejtova redaktorit që ishte ulur afër meje dhe në mënyrë të mbrapsht ia shpjegova se e kisha harruar aparatin.

Këshilla: Të aranzhosh vitrinat e dyqaneve është trajnim më i mirë sesa të shkosh në ndonjë shkollë të fotografisë.

/Telegrafi/

LS Lowry nga Derry Moore

 

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori