LAJMI I FUNDIT:

Përse buzëqesh kryeministri?!

Kjo pyetje mund të duket disi e çuditshme, por jo për ata që kanë parë e përjetuar natën e së martës mesazhin e gjatë promocional të kreut të Qeverisë së Kosovës. Jo se kryeministri nuk ka të drejtë të buzëqeshë…! por mes një lumi prej 2000 fjalësh dramatike, e duke e parë në kokërr të syrit publikun, të cilit i kërkon edhe ndihmë, sikur nuk është momenti i duhur.

Arsyet? Janë të shumta! Së pari sepse gjasat më të mëdha janë që i gjithë mesazhi të shndërrohet në vetvete, një monolog tragjikomik dhe rrjedhimisht i pabesueshëm.
Sepse, që të jem më konkrete, ta shoqërosh me buzëqeshje, (qoftë ajo edhe lehtë) fjalinë “…ju siguroj se ne nuk e tolerojmë korrupsionin, ashtu siç nuk e toleroni ju”- është si njëlloj shakaje…


Së dyti, nuk është këshillë e mençur të dalësh krejt jashtë natyrës tënde. E dimë që politikanët se kanë për gjë të bëhen ata që s’janë, por, kësaj radhe, kreu i qeverisë dukej se kishte shkuar mjaft larg natyrës së tij të ftohtë, serioze, mosbesuese.

Pra, ideja që mund t’ia kenë dhënë mentorët e tij për një fytyrë me grimasa lumturie para kamerës, jo vetëm që nuk i shërbeu për të ikur nga gjendja reale – (ajo e krizës së besimit, të cilën e pohoi vetë në këtë fjalim, dhe e telasheve të mëdha si pasojë e aferave korruptive, për të cilat EULEX-i po heton një pjesë të qeverisë së tij, por i shkaktoi plotësisht efektin e kundërt.

Për faktin e thjeshtë se grimasat dhe gjuha e trupit janë të rëndësishme po kaq sa gjuha e fjalëve, madje shumë më të rëndësishme. Nëpërmjet tyre një personalitet të mbushë mendjen nëse ato që i thotë i ka me të vërtetë e apo jo, beson në to apo jo, do t’i përmbushë premtimet apo jo, po gënjen apo jo, po të manipulon apo jo…
Kaq për anën vizuale, si parantezë, për të hyrë në analizën e disa pikave të asaj që THA kryeministri.

– Që në fillim ai përmendi aeroportin, KEK-un, PTK-në, asetet më me vlerë, ku shitja e tyre apo dhënia me koncesion promovohen si sukses dhe zhvillim ekonomik. Pikëpyetjet janë të mëdha dhe të ngritura nga ekspertët, sidomos në lidhje me momentin e shitjes dhe me faktin se a janë këto kontrata më të favorshme për qeverinë dhe qytetarët e Kosovës. E po kështu a kanë kaluar përmes procedurave transparente? Media dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile kanë argumentuar në mënyrë të vazhdueshme se jo. Logjika e thjeshtë të thotë se nëse mungon transparenca, korrupsioni ka hedhur shtat. Pra, pse do të duhej të besohej në fantazma, në vend të dritës së plotë?

– Më pas kryeministri përmend ndërtimin i autostradës Morinë-Merdar, e cila, sipas tij, do të hapë 4000 vende pune. Të gjithë e duam një rrugë që Tiranën dhe Prishtinën i sjell më afër; një ndërmarrje që zbut sadopak papunësinë e lartë të këtij vendi. Ndërtimi i kësaj rruge është bërë pjesë ë përditshme e propagandës qeveritare.

E vërteta është se Qeveria e Kosovës ende nuk ka gjetur mbështetje financiare për të ndërtuar këtë rrugë. Banka Botërore dhe FMN-ja ia kanë thënë tepër qartë që të mos i hyjnë një ndërmarrjeje të tillë pasi shteti i Kosovës nuk ka resurse për ta përballuar për shkak të buxhetit të vogël. Pra, këto dy institucione nuk e mbështesin projektin në fjalë, sepse raporti i fizibilitetit ka treguar se ky nuk është një projekt atraktiv, së dyti volumi i trafikut nuk e justifikon koston, së treti mënyra se si është shkruar projekti, Kosto Plus, që do të thotë se kostoja e saj nuk është e përcaktuar, por është lënë e hapur e mund të rritet gjatë kryerjes së punimeve. E lexuar ndryshe kjo do të thotë mundësi abuzimi pa fund me çmimin.

– Kryeministri përmendi çështjen e korrupsionit dhe u betua se institucionet e Kosovës do të jenë në vijën parë në luftë kundër tij. E thënë bukur, por sa e vërtetë është kjo.
Në të vërtetë është pikërisht korrupsioni pika që ka zhytur këtë qeveri në krizën e thellë të besimit. Në rast se kryeministri është i vendosur ta luftojë, atëherë duhet ta nisë punën në oborrin e tij, kabinetin qeveritar. Pra me shkarkim të ministrave, në dyert e të cilëve EULEX-i po bën hetime, meqë ata as po e çojnë nëpër mend të japin dorëheqje, të paktën si akt moral. Ky do të ishte minimumi për të kthyer besimin te njerëzit dhe për të treguar se vetë kryeministri po qeveris me duar të pastra.

– “Drejtësia është në dispozicion në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët”, thotë kryeministri. Kush mund ta besojë!? Aktualisht në Kosovë ligji dhe drejtësia janë si në librin e Oruellit “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.
Kjo thënie vlen edhe për drejtësinë e EULEX-it, deri tani të shoqëruar me seanca negociatash për stabilitet.

-Dhe shakaja më e madhe vjen nga fundi, kur kryeministri thotë se është folur shumë bisedime të reja me Serbinë. Si njeriu më i rëndësishëm i vendit që po i drejtohet popullit në një fjalim serioz, nuk mund të flasë në nivel thashethemesh. Ai duhet të tregonte se kush ka folur, në çfarë niveli, kur do të jenë këto bisedime, dhe mbi të gjitha për çfarë?
Në vend të kësaj, duke i betuar për qiell e për dhe se për status nuk do të jenë, kryeministri rrëfeu se së paku ai është pajtuar për bisedime të reja.

E nëse kryeministri nuk e di ende agjendën e këtyre bisedimeve, është mirë t’iu hedhë një sy medieve. Në to do të përfshihet pjesa veriore e Kosovës, e jo Kosova Veriore, siç thuhet nga ai, aktualisht tërësisht jashtë kontrollit dhe kompetencave të qeverisë së tij.

Për të mos u marrë me spiritualizmin e popullit që gjeti vend në këtë fjalim, duhet thënë se mungoi vizioni për zgjidhjen e problemit madhor, atë përtej lumit Ibër, për të cilën kryeministri nuk kishte asnjë ide, munguan fjalët për vendosjen reale të kontrollit në këtë pjesë të kufirit, fjalët për luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, pjesë e së cilës janë edhe shqiptarët, munguan fjalët për atë që ndodh nëntokë, e cila është pushteti real në Kosovë.
Por sa për fjalinë “unë nuk jam i pagabueshëm. Nuk jam i përsosur”. Bingo!

(Autorja është analiste pranë gazetës “Kosova Sot”)