LAJMI I FUNDIT:

Përmasat e luftërave në Ballkan

Përmasat e luftërave në Ballkan

Roli i diplomacisë në zgjidhjen e armiqësive

Gjatë Luftës së Ftoftë, Bashkimi Sovjetik siguroi një rol stabilizues në rajonet e ndara etnikisht në botë, jo vetëm në shtetet që përfshinte ky bashkim, por edhe në Afrikë, në Azinë Qendrore, si dhe kryesisht në vendet e Ballkanit. Sovjetikët imponuan një strukturë autoritare përmbi këto rajone të ndara etnikisht me forcë, me kultura të ndryshme, të shumëllojshme e me shkallë të ndryshme në asimilimin e ideologjisë komuniste, por edhe me diferenca për sa i përket ndikimit të Moskës. Nëpërmjet kufizimit forcërisht të të gjithë popullsisë, rivendosjes së kufijve dhe të kufizimeve, ashtu si dhe vendosjes së udhëheqësve publikë përkrahës të idealeve sovjetike, konfliktet e hapura etnike, të cilat mbizotëronin në këto rajone për shumë shekuj, u shtypën në shkallë të madhe.


Për një periudhë të shkurtër në histori, pushtimi sovjetik (siç edhe përcaktohet nga politika e sotme periudha e dominimit rus), ndihmon në shtypjen e rivaliteteve të shumta etnike, por urrejtja dhe burimet e konfliktit nuk u zhdukën.

Kur Lufta e Ftoftë përfundoi, me shembjen e Murit të Berlinit, në fillim të viteve 1990, u duk sikur paqja mund të vendosej si një mbulesë e ngrohtë në botë. Por, nuk ndodhi kështu. Nga të gjitha anët, pas Luftës së Ftoftë, karakteri i institucionalizuar i luftës vazhdoi të qëndrojë në formën e shtypjes, vazhduan konfliktet e pazgjidhura, duke pritur të shpërthejnë mbulesën e dominimit sovjetik që u largua. Lufta do të dukej se po forcohej në psikozën njerëzore, dhe vazhdoi të shërbejë si një mjet për të vendosur dallimet ndërmjet kombeve dhe shteteve.

Ndarja e Evropës në dy kampe dhe kufizimet në analiza gjatë periudhës së Luftës së Ftoftë, për ngjarjet e ndryshme etnike që kishin ndodhur, kishte siguruar një mbulim (mos ekzistencë) të këtij koncepti. Por, në ditët më pas, problemet etnike dhe mos gjetja e një gjuhe të përbashkët në politikë për parandalimin e këtyre konflikteve, ishin të dukshme. Si përfundim, në Ballkan, konfliktet etnike u rikthyen si për të marrë hak, e kjo dhe për neglizhencën e treguar për një periudhë të gjatë kohe në historinë e saj. Shembuj të cilët i kemi parasysh shumë pak vite më parë, janë konfliktet në ish-Jugosllavi si dhe përhapja e dhunës në këtë rajon.

Është fakt se konfliktet e pas Luftës së Ftoftë, kanë kërkuar qindra, mijëra dhe ndoshta miliona jetë njerëzish, jo vetëm në rajonet që përmendëm më sipër, por edhe në rajone të tjera më gjerë,

Është e rëndësishme për t’u theksuar se me shpërbërjen e “Perandorisë” sovjetike në Evropën Lindore, lindën problemet etnike kombëtare, të cilat vunë në dyshim sigurinë e të gjithë kontinentit evropian.

Në Evropën Qendrore filluan mosmarrëveshjet të cilat nuk patën ose patën fare pak nevojë për forcë (shembuj: Gjermania Lindore, pakicat hungareze, Rumania, Republika Sllovake, Vojvodina në Serbi, Ukraina, si dhe konfliktet tradicionale, Rusi, Poloni, Gjermani). Politikanët dhe popujt e Evropës u vendosën përballë pyetjes: “A është e nevojshme të merremi me problemet etnike?”.

Megjithëse dukeshin si të parëndësishme, konfliktet etnike në Ballkan mund të hidhnin në rrezik interesat evropiane dhe ta tërhiqnin si Evropën edhe mbarë shtetet e interesuara më gjerë në këto ngjarje. Kjo u pa më së miri në konfliktin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në konfliktin në Kosovë, ku Evropa jo vetëm që ishte në gjendje të menaxhonte këto konflikte e vetme, por ato sollën pështjellim dhe kontradikta të thella ndërmjet shteteve kryesore të saj.
Përfshirja e NATO-s, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këto konflikte, u shoqërua me polemika, me kosto politike, me kosto ekonomike, e dilema mjaft të mëdha. Megjithëse shumë amerikanë, në përgjithësi, kishin rezervat e tyre për përdorimin e forcës në rajonet e tjera jashtë territoreve amerikane, terrorizmi, dhuna, gjenocidi dhe spastrimi etnik që po ndodhnin në ato momente, si dhe nisur nga qëllimi dhe dëshira që amerikanët i karakterizon, kryesisht për vendosjen dhe për ruajtjen e demokracisë në të gjitha rajonet që e kërkojnë, përfundimisht ata vendosën të bëjnë atë që kërkonin të gjithë njerëzit në nevojë, që e kërkonte liria dhe demokracia – të ndërhynin, dhe ndërhynë ushtarakisht.

Konfliktet etnike janë një problem i madh për Ballkanin, ashtu siç janë për pjesët e tjera të kontinenteve. Por, mendojmë që ka tri ndryshime të rëndësishme, të cilat i japin veçanti këtij problemi më urgjent në Ballkan.

Në radhë të parë, ka një nivel të rëndësishëm të mbiregjur (mbilakuar) të identitetit. Identitetet superetnike kanë pasur tendencën drejtë një dukje (spikatje) sidomos në Ballkan.

Së dyti, nuk është vetëm një shtresë e mbilakuar identiteti; “ka gjithashtu identitete alternative në të njëjtin nivel”. Kështu, po të shohësh në Greqi, ka diferenca fetare, racore dhe klasore. Në Maqedoni ka ndryshime kombësie, gjuhësore, klasore, fetare. Serbia, ka konflikte kombësie, klasore, rajonale dhe fetare, në shtesë të konfliktit serbo-shqiptar. Bosnja ka konflikte kombësie, klasore, rajonale dhe fetare.
Gjithashtu, ku më në dukje e ku si çështje të shtruara për zgjidhje, janë këto probleme imediate dhe në Kroaci, në Slloveni, në Turqi. Janë këto shoqëri multietnike të Ballkanit që krijojnë terrene të cilat nga shumë parti nga këto vende arrijnë të tentojnë të organizohen gjatë linjave etnike.

Së treti, “ka prova se identiteti i konfliktit etnik është më i lartë në Ballkan”. Këtë fakt e tregon edhe numri i madh i konflikteve me armë, në pjesën pothuajse kryesore të Ballkanit.

Për sa i përket rëndësisë së konflikteve etnike në Ballkan, në aspektin strategjik, kjo ka një rëndësi të veçantë për krijimin e alternativave, jo vetëm politike por edhe objektivat strategjike.

Kur shfaqet në skenë një konflikt etnik, atë e shoqëron dhuna e cila mund të marrë shumë forma: që nga protestat e grupeve etnike brenda kufijve ligjorë, të cilat nuk shfaqin dhunë, e deri në shpalljen apo vazhdimin e luftës. Në këtë kontest, shkallëzimi i dhunës nga rrëmuja në terrorizëm, mund të arrijë deri në luftë të rregullt ndërmjet forcave, duke përdorur deri dhe armët moderne. Forma që do të marrë konflikti, elementet etnike, në këtë konflikt, marrëdhëniet ndërmjet tyre, si dhe përfundimet potenciale kur kuptohen, ndihmojnë në vlerësimin e kundërveprimeve në konflikt. Shenjat e konflikteve, por edhe konfliktet e vërteta etnike në Ballkan gjatë këtyre viteve të fundit, kanë qenë evidente.

Pakësimi i numrit vjetor të konflikteve të armatosura pas vitit 1992 është i lidhur kryesisht me zgjerimin e ndryshimeve në Evropë, derisa pësuan një rënie ndërmjet viteve 1997 dhe 1998. Më të larta ato kanë qenë në Ballkan, të lidhura me dezintegrimin e Jugosllavisë. Fakti i kësaj rritjeje të konflikteve në këtë rajon, e fut Ballkanin në rajon me konflikte të shumta. Konfliktet ishin mjaft të dhunshme, me simptoma tragjike sociale, ekonomike dhe politike, të ndjekur nga kolapsi i sistemeve të fuqishme në Jugosllavi. Efektet e këtij zëvendësimi të sistemeve janë të asimiluara tash me nivele kombëtare ndërkombëtare, rrjedhimisht, fatmirësisht, ka ardhur me më pak dramatizëm dhe me më pak përdorim force.

Nisur nga seria dhe numri i konflikteve të ndodhura që nga rënia e Murit të Berlinit, mund të nxjerrim disa konstatime:

Së pari, në nivelin ballkanik, janë shumë më tepër të pranishme konfliktet e vjetra. Konfliktet e armatosura aktive në vitin 1999, në masën rreth 66 për qind të tyre, ishin në një afat kohor më tepër se pesëvjeçar.

Së dyti, në Ballkan, konfliktet e armatosura më tepër filluan pas viteve të 1980, ose në fillimin e viteve 1990, por që tani pothuajse janë neutralizuar. Por, njëkohësisht do theksuar që nuk kanë qenë të fundit, pasi mjaft prej tyre kanë mbetur pezull pa një zgjidhje përfundimtare. Është kjo gjendje që përcakton ndryshimin ndërmjet “fundit të një konfliktit” dhe “të mbeturit pezull”, që shpesh është vendimtar për të kuptuar konfliktet e armatosura sot. Të tilla momente, mund të themi, janë: Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia etj.

Së treti, intensiteti i konflikteve ka qenë i ndryshëm. Këtë fakt po e konkretizojmë me disa të dhëna si më poshtë:

Në konflikte me intensitet të lartë, brenda një viti, ka pasur më shumë se 1000 të vdekur, të konfliktit me intensitet të ulët ka pasur mesatarisht 100-1000 të vdekur në vit, ndërsa gjatë konflikteve politike me dhunë, më pak se 100 të vdekur në vit .

Për komunitetin ndërkombëtar është tashmë e qartë se një shtrirje e gjerë e dhunës brenda konflikteve politike në disa shtete, është e vështirë të kontrollohen dhe, në shumë raste, bile edhe janë origjinë e konflikteve etnike.

Zgjidhja e konflikteve pas Luftës së Ftoftë kërkoi që të gjitha palët në debat e grindje të bashkëpunojnë, me qëllim që të arrijnë marrëveshje për shkaqet e konfliktit. Fatkeqësisht, palët e konfliktuara që janë të pavullnetshme për t’i ardhur tavolinës së marrëveshjes, nga frika e ndarjes (pjesëtimit) të pushtetit, shpesh kanë penguar dhe e pengojnë si dhe e vështirësojnë shpirtin e bashkëveprimit dhe të bashkëpunimit. Kur ndodh kjo, është populli ai që vuan.