LAJMI I FUNDIT:

Përmasa kulturore e projektit për Ballkanin Perëndimor

Përmasa kulturore e projektit për Ballkanin Perëndimor
Ilustrim

Ndriçim Kulla

Bashkimi Evropian po investon fort në një projekt për të krijuar një treg të përbashkët ekonomik në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që t’i përgatitë këto vende për anëtarësim në BE, si dhe të rritë bashkëpunimin midis tyre, duke i bërë të lënë pas historinë e gjatë të konflikteve mes tyre. Precedenti i krijimit të Tregut të Përbashkët Evropian, nga ku lindi BE, tregon se nuk mund të krijohet një treg i mallrave dhe shërbimeve, pa u krijuar një treg i përbashkët kulturor. Sepse, çdo bashkëpunim midis popujve dhe vendeve i ka themelet në kulturë. Që në fillimet e TPE u investua shumë në atë që mund të quhet tregu i përbashkët kulturor evropian, ku qarkullonin nga vendi në vend vlerat kulturore përkatëse.


Në Ballkanin Perëndimor nuk kemi një treg të përbashkët kulturor. Është turp ta thuash, por më shumë shkrimtarë dhe poetë të vendeve të rajonit tonë janë botuar të përkthyer në disa gjuhë aziatike, se në gjuhët e vendeve të rajonit tonë. Dhe, problemi është veçanërisht në raportin midis Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Këtë e them për arsye se një serb mund të lexojë një libër të një autori malazez dhe anasjelltas, një boshnjak mund të lexojë librin e një autori serb ose malazez dhe anasjelltas.

Por, një shqiptar i Shqipërisë nuk mund të lexojë librin e një autori serb, malazez, boshnjak, maqedonas nëse këta nuk janë të përkthyer në shqip. Edhe një lexues serb, malazez, boshnjak apo maqedonas nuk mund të lexojë librin e një autori shqiptar nëse ky nuk është i përkthyer në gjuhët përkatëse. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një autor maqedonas në raport në lexuesit serbë, malazezë e boshnjakë, si dhe për një autor serb, malazez e boshnjak në raport me lexuesit maqedonas.

Sigurisht që ka disa përkthime, por këto janë shumë pak në krahasim me komunikimin kulturor që duhet të ekzistojë mes vendeve të rajonit. Dhe, shumica e përkthimeve, që janë bërë me nismën e botuesve privatë, për shkak të kostove të botimit, kanë çmime të tilla që e bëjnë lexuesin të mendohet shumë para se të blejë ndonjë libër. Shqiptarët kanë dëshirë të lexojnë, por sot leximi është një luks për shkak se pjesa më e madhe e popullsisë nuk ia lejon dot vetes që të blerë libra të tillë. Kuptohet lexuesi masiv shqiptar, në fillim do të blejë librat e autorëve të njohur botërorë që botohen, pastaj të atyre të rajonit, megjithëse ka interes edhe për këta.

Për BE-në do të ishte vetëm një “pikë uji” në detin e buxhetit të tij nëse investonte disa dhjetëra milionë euro për zhvillimin e hapësirës së përbashkët kulturore të Ballkanit Perëndimor. Por, kjo “pikë uji” do të ishte shumë frytdhënëse për komunikimin ndërkulturor të popujve në Ballkanin Perëndimor. Kështu do të përktheheshin e do të botoheshin masivisht librat e mirë të kulturave të vendeve të rajonit tonë, dhe do të hidheshin në treg me çmime të arsyeshme.

Dhe, lexuesi i vendeve të rajonit do të kishte në dorë literaturën e mirë të vendeve fqinje, popujt do të njiheshin më mirë me vlerat e tyre të shëndosha kulturore. Mënyra më e sigurt për të ndërtuar themele të shëndosha të pajtimit dhe miqësisë mes popujve që kanë një të shkuar konfliktuale, është që këto themele të ndërtohen duke përdorur si “gurë” librat e mirë të kulturave të tyre.

Në samitin e Durrësit të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin Hahn, u tha se është përpiluar një plan me 115 pika për krijimin e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Shumë mirë që punohet me plan për një hapësirë të përbashkët të tregtisë së lirë. Por duhet të punohet me një plan së paku me 15 pika edhe për një hapësirë të përbashkët kulturore të Ballkanit Perëndimor. Unë më sipër solla si shembull librin në krijimin e kësaj përmase kulturore në Ballkanin perëndimor të së ardhmes, dhe libri realisht është vetëm një aspekt mjaft i rëndësishëm , por nuk është gjithçka në këtë drejtim. Përtej librit është arti, muzika, kënga, vallja, trashëgimia kulturore dhe historike, mënyra e jetesës, qytetaria në periudha të ndryshme të historisë etj. etj. Kultura e çdo populli është një mozaik i mbushur plot me shpirt dhe jetë, vlera, trashëgimi njerëzore dhe kulturore.

Ne në fakt jemi afër gjeografikisht me shumë nga popujt e Ballkanit, sidomos me ata popuj që sot për koniunkturë quhen Ballkani Perëndimor, por për shkak të historisë jemi larg dhe mosbesues ndaj njëri-tjetrit. Të njohura më së shumti ndaj njëri-tjetrit janë kryesisht dobësitë e ushqyera nga urrejtjet shekullore. Por, duhet të kihet parasysh, se ndryshimet në marrëdhëniet midis popujve nuk vijnë vetëm nga lart, pra nga politika, por edhe sidomos nga poshtë, nga njohja reciproke e të mirave njerëzore dhe kulturore që mbart çdo popull.

Më duket se niveli i promovimit dhe njohjes së serbëve ndaj shqiptarëve nuk e ka kapërcyer dot fenomenin “Paja Jovanoviq”, një piktor i shquar serb ky me famë botërore, i cili me gjithë ndonjë shtrembërim që i ka bërë në pikturat e tij të famshme etnografisë shqiptare ka “fotografuar” me hollësi në penelatat e tij madhështinë, krenarinë, arrogancën, talentin artistik dhe mjaftë cilësi pamore dhe burrërore të shqiptarit. E quaj të nevojshme, që mjaft fonde që mund të akordohen në të ardhmen nga Bashkimi Evropian në drejtime të tilla duhet të mbrohen nga “grabitqarët” e institucioneve tona, të cilët është e mundur t’i menaxhojnë ato sipas interesave të tyre personale dhe fitimprurëse, ndonëse ato do kenë të bëjnë me promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendeve tona.

Bashkimi Evropian është një histori suksesi ekonomike që u ka mbijetuar edhe krizave financiare për të cilat euroskeptikët mendonin se do ta shkatërronin Unionin, edhe sepse ka themele të forta ndërkulturore, të krijuara pas një pune sistematike për ndërtimin e tyre. Të tilla themele duhen ndërtuar edhe në Ballkanin Perëndimor. Ky është një investim për të ardhmen evropiane të rajonit.