LAJMI I FUNDIT:

Perandoritë e së ardhmes

Perandoritë e së ardhmes

Kur jemi analizimi i synimeve ekspansive të çdo organizimi i cili quhet shtet, i njëjti – shikuar nga synimi i shtrirjes së ndikimit politik – formën më të plotë e realizon kur ai e realizon ndikimin e tij sa më shumë, apo të përvetësojë dhe nënshtrojë sa më shumë territore, qofshin këto shtete, apo edhe organizime tjera sociale me karakter territorial, apo të grupacioneve të ndryshme sociale të karakterit etnik, të cilat, me apo pa vullnet, me apo pa detyrim, pranojnë prerogativat e Perandorisë e cila arrin të jetë imponuese.

Historia nuk njeh të kundërtën, sepse edhe kur kjo ka ndodhur, d.m.th. kur një organizim social inferior ka nënshtruar atë superiorë, sikurse te rasti mes relacioni mes gjermanëve dhe Perandorisë Romake, organizimi social inferior ka diskriminuar shumicën e rregullave dhe ka adoptuar vlerat e organizimit social superior. Pra, kur kemi të bëjmë me ato raporte shoqërore, apo politike, ku vije në shprehje dominimi i një strukture sociopolitike mbi të tjerat, formë kjo e realizimit të shtetit i cili ka ndikim të gjerë dhe të shumë anshëm, dhe ku determinantë kryesore e realizimit të këtij atributi është fuqia ushtarake, njihet me emrin perandori. Natyrisht, fillimisht ndikimi realizohet me komponenten ushtarake, por i njëjti paraprakisht justifikohet me propagandë politike e cila manifestohet pastaj edhe me imponimin kulturorë (imperializmi kulturor).


Folur me terma konkret, themi se kur flasim për perandoritë, atëherë ballafaqohemi me emra konkret shtetesh të këtilla të cilat fillimisht kishin një mbret i cili e shpall veten perandor, por kjo nuk është e thënë të ngjaj domosdoshmërisht, pasi që nocioni perandori akomodohet edhe me forma republikane të organizimit politik, të cilat kanë rezultuar me krijimin e shteteve që mundë të hyjnë në listën e shteteve që mundë të quhen perandori.

Në një kontekst konkret, gjurmët e perandorive fillojnë qysh nga Babilonia, civilizimi kinez, romak, arab, otoman, mandej edhe ato në truallin evropian. Ajo çka e veçon perandorinë është ushtrimi i gjerë i ndikimit në kontekst hapësinor (ndikim trans kontinental) dhe kulturor (ndikim trans-kulturor). Perandoria Britanike ishte me dimensione të tilla gjeografike sa që në të nuk përfundonte Dielli kurrë. Ndikimi i saj gjuhësor vazhdon ende.

Sot, numri në rritje i shteteve në njëqind vitet e fundit e dëshmon se perandoritë numerikisht janë zvogëluar. Derisa kishte shpërthyer lufta e parë botërore, perandori austro-hungarez, lajmin për këtë e kishte marrë duke qenë në piknik. Dihet fati i saj pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Perandoria e fundit që u zhduk ishte perandoria e kuqe sovjetike. Perandoria Britanike po ballafaqohet me kërkesën për shkëputje nga Skocia. SHBA ballafaqohet me rivalë si Kina, India, Brazili dhe Bashkimi Evropian.

Sot, fundi i perandorive klasike është i vetëkuptueshëm, por jo edhe koncepti i perandorisë .

Nëse perandoritë do t’i konceptonim si forca qendër-tërheqëse (centrifugale), ku qëllimi i fundit është justifikimi i subordinimit të grupacioneve dhe organizimeve të caktuara sociale apo politike, atëherë shtetet nacionale paraqesin forcën qendër-larguese (centripetale), d.m.th. të ndarjes nga perandoria, duke i pasur për kriter parimet gjeografike, kulturore, etnike dhe simbolike, e sidomos ekonomiko-financiare dhe social-juridike (e cila ndërlidhet me atë që në terminologjinë aktuale quhet komb). Në fakt edhe koncepti kombit është dominim i një elementi specifik lokal i cili në një mënyrë arrin ta shtrijë ndikimin e tij, dhe si i tillë të merr rolin faktorit dominant brenda kombit.

Nuk thuhet kot se gjuhën angleze në Britani e flet mirë vetëm familja mbretërore. Pra, edhe shteti komb kopjon modelin e funksionimit i cili derivohet nga modeli perandorak, dhe rrjedhimisht krijohet një organizim nacional i cili merr rolin e qendrës nacionale.

Simbolikisht, nga aspekti struktural dhe funksional ka analogji mes perandorive dhe shtetit nacional. Në kuptimin politik, decentralizimi apo ushtrimi i pushtetit nga komuniteti në njësitë e caktuara territoriale, mund të konsiderohet se i ngjason ndikimit shkallës së caktuar të njësive të ndryshme brenda perandorive. A nuk e kishin shtetet dhe shoqëritë e caktuara një modus të tillë brenda perandorive. Gjithsesi se kjo formë e organizimit politik që quhet shtet nacional është më e popullarizuara aktualisht, edhe pse ka teoricienë socialë të cilët konstatojnë që shtetit nacional i ka kaluar koha. Megjithatë, duket se gjasat janë që ne do të jetojmë në shtete kombëtare edhe shumë kohë (G.Soros, J. Stiglitz ). Kjo nuk është keq, posaçërisht për shqiptarët që ende nuk e kanë realizuar një optimum të asaj që quhet ëndërr kombëtare.

Filozofi Imanuel Kant ishte njeriu i parë i cili ideoi lidhjen e kombeve. Sigurisht se nuk e ka menduar një OKB siç e kemi sot. Konstatimi i tij se nuk mund të ketë liri të një kombi në kurriz të robërisë së kombit fqinjë, si duket kurrë nuk është kuptuar. Në fakt ai më shumë ka gjasë që qëllimisht është keqkuptuar dhe për më keq kjo vazhdon ende pa ndonjë perspektivë rregullimi. Se sa kjo është e vërtetë, përgjigjen më së miri mund ta japin arabët palestinez dhe shqiptarët kosovarë, të cilët në mënyrën më të egër, pra duke u shfrytëzuar mekanizmat aktualë të asaj që e quajmë OKB, pengohen për të u anëtarësuar në këtë organizatë burokratike në kuptimin më negativ.

Pos këtyre rasteve, mund të imagjinohen edhe sa e sa raste të tjera që lidhen me grupacione sociale që janë edhe në pozicione edhe më të këqija. Kjo nuk dëshmon tjetër pos pakuptimësinë lidhur me ekzistencën e kësaj organizate burokratike, e cila nëse nuk ndryshon formë, ndoshta edhe do të duhej të shuhej fare.

Pa dyshim se forma e një organizimi humb terren kur një formë tjetër gjen forma më të avancuara. Dhe, kjo ka ndodhë në ato shoqëri ku kanë ardhur interaksionet më të mëdha mes grupeve shoqërore. Kompozimi i variacioneve të ndryshme të organizimit social ka krijuar nevojën e një qasjeje inkluduese, si model superior i funksionimit. Kjo do të thotë se një shoqëri arrin të jetë dominante, për aq sa arrin të jetë atraktive për grupet tjera diverse. Shpeshherë dëgjojmë konstatime folklorike se Liga angleze e futbollit dominohet nga të huajt. Por, një konglomerat informativ si CNN e ka të ndaluar për të punësuarit e saj që të e përmendin fjalën i “huaj”. As më shumë e as më pak, për CNN i tërë globi nuk është i huaj.

Në qoftë se CNN-in nuk i mjafton SHBA, atëherë është e qartë se sa i vonshëm është kthimi ekskluzivisht vetëm kah vetja, apo ajo që quhet autarki. Kjo vetëkuptohet. Njohjet e shtetit të Kosovës nga Facebook dhe Chelsea, simbolikisht ndoshta janë më të rëndësishme se njohja nga Qipro. Jo për tjetër, por për faktin se sot ndikimi i FB-së është më i madh se i Qipros. Le ta rikujtojmë situatat reale kur Facbook, Google, apo Microsoft dalin përballë Kinës apo Rusisë apo edhe vet SHBA.

Në fakt atyre nuk iu duhet territori fare, pasi atë e blejnë atëherë dhe aty ku i njëjti atyre iu duhet. Kjo ngase këto organizime kanë efiqiencë, fleksibilitet dhe adaptivitet më të madh se shteti nacional. Iphone, Samsung, Manchester United, etj. kanë ithtarët e tyre anembanë globit. Ata në strukturat tyre kanë raca, etni apo edhe kombe të ndryshme, por funksionimi i tyre nuk afekton në to. Në rrafshin nacional Januzaj dhe Vidiq do ishin armiq, por si pjesëtarë të Manchester United ata funksionojnë. Ky është elementi që shtetet nacionale nuk mund ta përballojnë.

Po ashtu, shumë funksione të shkollës, duke përfshirë edhe arsimin universitarë, më mirë i kryen mediat dhe interneti sesa shkollat tona (folur në veten e parë, shkollat tona publike në Kosovë). Niveli i kualitetit imagjinativ dhe edukativ të shtjellimit të tematikës së filmit të animuar “The Spirit” vështirë të arrihet nga shpjegimet e mësuesve nga gjenerata e shkollës së Kumrovcit që kanë mbaruar fakultet me skripte dhe shënime dore.

Edhe në nivel politik, analizat megalomane konfuze të analistëve nacionalë, keqas tejkalohen nga homologët e tyre nga BBC apo ndonjë perandori tjetër mediatike. Konfuzioni imagjinativ i analistëve lokalë demaskohet nga thjeshtësia dhe çiltërsia analitike e profesionisteve të mirëfilltë.

Racionalizimi në përgjithshëm i jetës ka bërë që njohja e gjuha angleze të jetë domosdoshmëri, ndërsa operimi me nocione strukturale dhe botëkuptimore të shkollës së Kumrovcit të bëhen të mërzitshme skajshmërisht.

Një i ri më shumë ka afilitet lidhur me statistikat e Manchester United apo ndonjë klubi tjetër të preferuar, sesa me faktin se cili kryetar komune po fiton mandat.

Pra, tejkalimi i sferës nacionale duket se është trend, sado që flamuri ka mbetur streha e fundit maskimit pas patriotizmit. Unë njoh një mik që në këmishë bartë shenjën e Microsoftit dhe ardhmja e tij financiare dhe ekonomike më shumë lidhet me sukseset e kësaj perandorie sesa vet shtetit të Kosovës. Ku i dihet, edhe Microsoft ndoshta një ditë do të ketë një dokument që e rivalizon apo e zëvendëson pasaportën? Pra, a nuk kemi të bëjmë me imazhet e para të perandorive të së ardhmes?