LAJMI I FUNDIT:

Për mospërfillje, Stavileci merr masa ndaj Hoxhës

Për mospërfillje, Stavileci merr masa ndaj Hoxhës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, pritet të marrë masa ndaj kryeshefit të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, dhe menaxhmentit udhëheqës të kësaj ndërmarrjeje publike. Këto masa vijnë, pasi që kryeshefi Hoxha, nuk kishte përfillur Njësinë për Monitorim, Komisionin e Auditimit, anëtarët e Bordit të Drejtorëve, që të anuloheshin dy konkurse nga të cilat pritet të punësohen staf prej 18 personave.

Sipas zyrës për informim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, së pari NJPMNP pret të marrë informata nga Bordi i Drejtorëve të Postës, për çfarë arsye nuk u morën parasysh rekomandimet e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, që të ndalohet rekrutimi i stafit të zyrtarëve në këto ndërmarrje.

“MZHE është në pritje të informatave për masat e ndërmarra nga Bordet e Drejtorëve në lidhje me çështjet e cekura në shkresën e MZHE-së”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie.


Sipas kësaj Ministrie, pas marrjes së informatave MZHE do të veprojë konform mandatit të saj dhe dispozitave ligjore që rregullojnë ndërmarrjet publike. Në këto përgjigje, po ashtu, kjo Ministri haptas ka qitur në pah gënjeshtrat e menaxhmentit të Postës së Kosovës, kur një ditë më parë kanë deklaruar për gazetën “Zëri”, se nuk kanë pranuar shkresë nga ministri. /Telegrafi/